Mbt: PIKË me Veton Surroin: Bashkëbisedim me Milivoj Beshlin (pjesa 3)
Surroi: Përshëndetje. Vazhdojmë pjesën e tretë të bisedës me dr. Milivoj Beshlinin, historian nga Beogradi.
Mirë se vini! Vazhdojmë aty ku e lamë. Rënia e Rankoviqit është një epokë e re.
Si e perceptojnë në Serbi, sepse atë që e folëm deri tash, qe perceptimi i rënies së Rankoviqit në nivelin e Jugosllavisë dhe përgjimi i Titos, megjithatë, ekziston edhe një arsye më e thellë për këtë në Serbi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBeshlin: Të themi se në Kosovë u përjetua si, siç flitej, madje publikisht, çlirim i dytë.
Herën e shkuar kur u ndalëm te tema, shkarkimi i Rankoviqit në Brione, në nivelin jugosllav, në fakt u interpretua se ndodhi për shkak të pikëpamjeve të tij konservatore, për shkak të ndaljes dhe bllokimit të reformave, kundërshtimit të decentralizimit të Jugosllavisë.
Ky ishte korriku i 1966-tës, dhe komunistëve serbë iu lanë nja dy muaj e gjysmë për ta shqyrtuar edhe më në thelb shkarkimin e Rankoviqit, që ishte politika, siç thuhej, e nacionalizmit dhe shovinizmit e diskriminimit që kryesisht kishin të bënin me Kosovën.
Surroi: Në atë kohë kryetar ishte Bobi Radosavleviq.
Beshlin: Pikërisht! Dobrivoje Bobi Radosavleviq, ishte atëherë kryetar i KQ të LK të Serbisë dhe një njeri mendjehapur dhe kundërshtar i konceptit të Rankoviqit.
Ai nuk do të qëndronte gjatë aty, por ishte njeri me njohuri të gjera që e kuptoi se marrëdhënia ndaj Kosovës duhej të ndërtohej në një mënyrë dukshëm ndryshe, dhe se hapja e debatit për shkarkimin e Rankoviqit në nivelin e Serbisë ndodh në mesin e shtatorit, 15-16 shtator në Sesionin e 6-të të KQ të LKS, ku u përgatit një raport mbi atë se çfarë kuptimi në të vërtetë kishte hija e madhe e Rankoviqit në Kosovë; deri në çfarë mase shkoi shkalla e represionit.
Më pas delegatët, pra anëtarët e KQ nga Kosova, jo vetëm shqiptarë, por edhe serbë, filluan të dilnin dhe të dëshmonin se si dukej në të vërtetë represioni, para së gjithash, kulmi për të cilin po flisnim ishte në mesin e viteve ‘50 me të ashtuquajturin Proces të Prizrenit dhe mbledhjen e armëve. Dhe ishte shumë dramatike.
Përndryshe, përmbajtja e seancës u botua më vonë, në fakt shumë shpejt pasi u mbajt, u botuan shënimet stenografike, por jo deri në fund. Disa nga dëshmitë shumë dramatike, meqenëse i kam parë edhe në arkiv dokumentet e asaj seance, disa nga dëshmitë më dramatike ose ishin pak të zbutura ose nuk ishin futur fare.
Surroi: Për shembull?
Beshlin: Nuk mbaj mend saktësisht se çka nuk u fut, por dëshmitë ishin vërtet dramatike.
Disa nga ata njerëz dolën dhe qanë, dhe them, si serbë ashtu edhe shqiptarë... tash po përpiqem të kujtoj se çka u fol, në çfarë mënyre janë torturuar njerëzit, kryesisht intelektualë, shqiptarë, më së shpeshti thirreshin mësimdhënës të historisë dhe të gjuhës amtare. Shumë shpesh, ata ftoheshin në verë para fillimit të vitit shkollor, me qëllimin që t’i frikësonin, se çfarë duhej të ligjëronin.
Metodat e torturës në fakt i tronditën anëtarët e KQ-së, udhëheqjen më të lartë të Partisë, saqë disa nga ato metoda ishin madje mesjetare, duke i lidhur njerëzit me rrota...
As nuk mund ta parafytyroj se si dukej e gjitha...
Surroi: Apo t’i fusnin në ujë në dimër...
Beshlin: - Po, po.
Por ato ishin vërtet dramatikë kur filluan, ndër të tjera, të dëshmonin se sa njerëz u vranë ose që pësuan me vdekje nga lëndimet gjatë torturave; se sa njerëz kryen vetëvrasje gjatë torturave; se sa njerëz u sëmurën mendërisht sepse thjesht nuk mund ta duronin...
Nuk bëhet fjalë për mijëra njerëz, por vetë fakti që ndodhi në territorin e shtetit të qeverisur nga Partia, dhe në situatën ku asgjë e ngjashme nuk ndodhi në pjesë të tjera të atij shteti, shkaktoi një tronditje dhe tmerr të madh.
Dhe shumë prej tyre ndiheshin të turpëruar. Shumë madje qanë ndërsa dëgjonin këto dëshmi.
Seanca zgjati dy ditë të plota. Është interesante, të themi se deri atëherë Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Sërba Saviq, ishte shkarkuar tashmë, e jo që ishte zgjidhje e mirë as Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Sllavko Zeçeviq, por sidoqoftë, kjo ishte gjithashtu shenjë se njeriu kyç, të paktën formalisht, i aparatit të sigurisë, duhej të largohej.
Është interesante se në atë seancë të KQ ishte i pranishëm edhe shkrimtari dhe politikani, Dobrica Qosiq, i cili heshti gjatë gjithë kohës.
Siç e dimë, ai nuk e mbështeti shkarkimin e Rankoviqit dhe madje i shkroi një letër Titos ku i thoshte: “pa Rankoviqin, as ti nuk je më Tito“. Heshtja e tij ishte shumë indikative.
Rankoviqi, që pas Brioneve tërhiqet plotësisht, shkroi në ditarin e tij, ndoshta më vonë, fliste me neveri për Seancën e 6-të, dhe tha: “Turpërohen se janë serbë“. Kjo ishte poenta e tij, dhe në thelb tash që po flasim për anëtarë serbë nga Kosova që ishin anëtarë të KQ të LKS që po e shprehnin turpin se ishin pjesë e një sistemi që e kryente një represion kaq brutal, të fuqishëm dhe mizor, që ishte ekskluzivisht, është njësoj e rëndësishme të theksohet, ekskluzivisht e motivuar mbi baza nacionale. Nacionalizmi ishte motivi i vetëm.
Thuajse nuk kishte asnjë shembull se ndonjëri nga këta njerëz të kishte kryer krim të vërtetë, sepse atëherë thjesht do të ndiqeshin penalisht në mënyrën e rregullt. Këto ishin vetëm shenja, domethënë metodat e një kërcënimi që supozohej të synonte elitën intelektuale shqiptare në Kosovë.
Por mënyra se si u zhvillua Seanca e 6-të, gjithçka që u tha aty, fakti që ato transkripte u botuan pasi u mbajt Seanca, tregon se ata mësuan diçka prej saj dhe se e morën seriozisht momentin katarsik që pati vetë ajo seancë, dhe nga kjo ishte tashmë e qartë se politika ndaj Kosovës do të ndryshonte rrënjësisht pas kësaj. Sepse nuk do t’i kishin bërë të gjitha këto, nuk do t’i kishin thënë të gjitha ato po të mos ishin të gatshëm t’i ndryshonin rrënjësisht dhe thellësisht ato metoda. Dhe dua të them, katër shefa të policisë, në Mitrovicë, Pejë, Prizren dhe nuk mbaj mend se ku tjetër, u ndoqën penalisht, sepse u vlerësua se aty, në të vërtetë, kishin ndodhur shumica e torturave dhe zbatimi i të gjitha atyre metodave mizore, dhe ata njerëz u gjykuan.
Surroi: Po hyjmë në dy zhvillime të rëndësishme. I pari është në Kosovë, demokratizimi ndodh pikërisht me procesin e Brioneve, sepse ajo bisedë katarsike hapet dhe bëhet kolektive. Dhe në “Rilindje“ në atë kohë u botuan, për 2 ose 3 muaj, raportet nga takimet e LSSP-së ku njerëzit flasin për këtë, që mua më ngjet pak si ajo që ndodhi në Afrikën e Jugut, kur ajo pjesë e bisedimit kolektiv solli një lloj procesi hapjeje në shoqëri.
Dhe e dyta është se po hyjmë përsëri në reforma kushtetuese dhe po diskutohet statusi i Kosovës. Në njërën nga ato seanca të KQ-së, nëse më kujtohet mirë, ose në Kryesinë e KQ-së të Serbisë, Dobrivoje Radosavleviq tha: “Pse jo Republika e Kosovës”, nuk e shoh problem.
Është pjesë e bisedës rreth asaj se cili do të jetë statusi. Në atë kohë, nuk ishte ende e kriminalizuar.
Beshlin: Para së gjithash ky momenti katarstik, po, kaq është, është vërtet shumë interesante, sepse gjithçka nis të hapet edhe në Kosovë...
Ndoshta na duket pak skematike sot, por e kishin një lloj sekuence lëvizjesh: çka do të hapet në nivelin federal, çka do të ndodhë në nivelin republikan, si do të shkojë në nivelin krahinor, por ndoshta duhet të përmend, po, ishte shumë i gjerë, një lloj ballafaqimi me të gjitha...
Surroi: Me të kaluarën.
Beshlin: Po, me të kaluarën. E kam shikuar arkivin dhe reagimet e njerëzve, ato nga thellësia e shoqërisë në Serbi, për largimin e Rankoviqit dhe për këto momente katarsike që lidhen me Kosovën dhe atë autokritikë ndaj metodave të punës së autoriteteve të sigurisë në Kosovë, ku në fakt ata kishin shumë informacione nga kafehanet për reagimet në Serbi.
Para së gjithash, kishte një vajtim për Rankoviqin. Kjo ishte e dukshme. “Të gjithë ata që kanë mbiemrat me “iq“ largohen; të gjithë serbët janë të dyshimtë; serbët nuk kanë më njeriun e tyre...” kjo ka qenë gjithmonë interesante për mua. Padyshim që kishte shumë komente të tilla, sepse këto janë materialet e UDB-së që i lexon Partia, ku në masë thuhej “serbët nuk e kanë më njeriun e tyre në krye”, ani pse në vend të Rankoviqit, siç thamë, Koça Popoviq mori njërin nga postet e tij dhe Mijalko Todoroviq tjetrin.
Është shumë e vështirë dhe se si duhej të punohej me shoqërinë, veçanërisht kur ke pikëpamje kaq të rrënjosura dhe natyrisht, pastaj i gjithë qëndrimi ndaj Kosovës, i cili do të përshkallëzohet veçanërisht, do të arrijmë aty, pas demonstratave të nëntorit të 1968-tës, kur përsëri reagimi i dikujt...
Surroi: …të njëjtat kafehane…
Beshlin: Kafehane e pazare, thoshin “kështu ndodh kur Rankoviqi nuk është aty; ja Qosiqi e tha...”;
Surroi: “Kur nuk kemi një dorë të fortë atje”
Beshlin: Pikërisht! Por, ndër të tjera, për t’u kthyer te ndryshimet kushtetuese, rezultati i shkarkimit të Aleksandar Rankoviqit është fillimi i reformës së Partisë që e përmendëm herën e kaluar, Komisioni për reforma dhe riorganizim të Partisë dhe fillimi i reformave serioze të federalizmit jugosllav, pra strukturës kushtetuese të shtetit, ku ishte e qartë, siç thamë më parë, se në vitin 1963 ajo Kushtetutë ishte rezultat i një kompromisi midis dy rrymave brenda Partisë: asaj centraliste konservatore, pra asaj të Rankoviqit dhe kësaj tjetrës, të cilën ai e përfaqësonte kryesisht Kardeli. Dhe tash, ishte e qartë se një nga këto dy rryma, kjo e Rankoviqit, antireformistja dhe konservatorja, u mund.
Dhe nis, para së gjithash, reforma e Partisë, ekonomisë dhe reforma e federatës. Ne kemi përmendur tashmë se si dukej reforma e Partisë, si u federalizua, etj., dhe tash reforma e federatës do ta ndryshojë Kushtetutën, thjesht ishin të pakënaqur me të, sepse ishte rezultat i kompromisit, e shikonin, deri diku, si një dokument kalimtar, dhe i nisin tri pako ndryshimesh kushtetuese që në fakt e ndryshojnë Kushtetutën.
Pakoja e parë kishte të bënte me, që ishte në vitin 1967 dhe të mos ndalemi shumë aty, kishte të bënte mbi të gjitha me reformën e shërbimeve të sigurisë, ku UDB-ja u decentralizua, në thelb e ulur në nivele republikane.
Surroi: Dhe krahinore.
Beshlin: Po, edhe krahinore, dhe në një masë të madhe u dekompozua, me atë që pas kësaj Tito do të mbështetej kryesisht në Shërbimin e Inteligjencës Ushtarake, KOS.
Më 1968, dhe është shumë interesante, fillon një shqyrtim serioz rreth pakos së dytë të amendamenteve kushtetuese, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me krahinat; kompetencat e krahinave, autonominë, dhe këtu fillojnë diskutimet serioze brenda udhëheqjes partiake të Serbisë dhe të Kosovës, se si do të duken kompetencat e krahinave. I kam parë, është një det i pafund dokumentesh nga komisionet kushtetuese, komisionet koordinuese, nënkomisione, etj., domethënë, guxoj të them, janë qindra kuti, tash po flas si për vitin 1968ashtu edhe për pakon e tretë të vitit 1971.
Sidoqoftë, për të mos e zgjatur shumë, Dobrivoje Radosavleviq ishte në mesin e atyre që ishin shumë të hapur ndaj argumenteve që vinin nga krahinat. Ai e tha atë në një çast, por e shihte veten si kryetar të përkohshëm të KQ të Serbisë.
Por, të parët, s’mund të thuhet zyrtarisht, që e ngritën çështjen shumë seriozisht dhe sistematikisht, pra mundësinë që Kosova të bëhej republika e shtatë, që nënkuptonte ndryshimin e të gjithë strukturës së federalizmit jugosllav, ishin udhëheqja reformuese e Marko Nikeziqit dhe Llatinka Peroviqit, që erdhën në krye të Partisë në Serbi në fund të 1968-tës, në nëntor 1968.
Por, gjithsesi, para kësaj, tashmë amendamentet kishin kaluar dhe Kosova, deri atëherë Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë, zyrtarisht quhet Krahina (Socialiste) Autonome e Kosovës. Ashtu si edhe Vojvodina, merr kompetenca më të gjera dhe, do të thosha, të drejtën për vetëqeverisje thelbësore.
Sidoqoftë, viti 1968 u thye në atë valë të narrativës anti-Rankoviqiane dhe një lloj katarsisi dhe, po deshëm, edhe fajësimi i vetë Partisë, që u zbatuan masa të tilla represive në Kosovë.
Ka një zgjerim të ndjeshëm të autonomisë së krahinave dhe madje, në rastin e Kosovës edhe ndryshimi i emrit. Gjatë atyre debateve kushtetuese, të cilat kishin të bënin me amendamentet, një pjesë e madhe tashmë ishin bërë publike, si dhe ato masa kundër shtypit, mediumeve etj., po zbuteshin, censura po zbutej ngadalë, e gjithë kjo mund të debatohej publikisht, ndër të tjera, edhe si rezultat i tyre shfaqet nevoja për të shkuar tutje në emancipimin e Kosovës dhe popullsisë së saj, ndodhën demonstrata në Kosovë, nëpër disa qytete.
Surroi: Por para demonstratave, gjatë atyre ndryshimeve kushtetuese dhe debateve, për republikën u fol publikisht, nuk kishte asgjë sekret në lidhje me të.
Beshlin: Pikërisht! Po, po. Hapur.
Surroi: Dhe kjo thuhej nëpër ato aktivet socialiste, apo si quheshin...
Beshlin: Pikërisht. Dhe Lidhja Socialiste e diskutoi këtë. Pra, dihej se cilat ishin debatet nëpër komisione koordinuese kushtetuese, prandaj e thashë, të gjitha ato u bënë publike. Kjo u debatua edhe në shtyp, kështu që asgjë në Jugosllavi nuk ishte nën ndonjë vello sekreti.
Kur bëhet fjalë për demonstratat, kjo është në fakt sfida e parë që ka udhëheqja e re, e Nikeziqit dhe Llatinka Peroviqit, në Beograd Në thelb, vetë Tito shmangu lidhjen e saj me demonstratat në Beograd, para së gjithash, dhe në disa qendra të tjera universitare në Jugosllavi, domethënë me demonstratat studentore nga qershori i vitit 1968, kështu që i gjithë viti 1968 është tmerrësisht dramatik.
Surroi: Nga Parisi e tutje!
Beshlin: Kjo është e vërtetë dhe mos harroni, në maj të 1968-s e kemi edhe paraqitjen e Qosiqit,
përkatësisht ndarjen e tij zyrtare nga Partia...
Surroi: Për shkak të Kosovës.
Beshlin: Kjo është e vërtetë për argumentin e Kosovës.
Surroi: Në fakt, filloi me Rankoviqin.
Beshlin: Pikërisht! Ai që atëherë e kundërshtoi qartë shkarkimin e Rankoviqit, Ia drejton letrën Titos, u pasivizua në Parti dhe pastaj del në maj në atë Seancën e famshme të KQ-së ku shprehu një kritikë të ashpër ndaj Partisë për qëndrimin e saj ndaj Kosovës ku madje thotë, kjo është gjithmonë interesante për mua, gjithë kohën flet për “autonominë vrastare” ndërkohë që autonomia është kategori kushtetuese.
Pra shtrohej pyetja si është kjo e mundur? Ishin argumente të qarta nacionaliste dhe vajtim i qartë për represionin e Rankoviqit në Kosovë. Dhe aty u nda nga Partia. U konfrontua ashpër me Nikeziqin, Tepavcin dhe me të gjithë ata që dolën pas tij në foltore, dhe ky ishte thelbi i ndarjes së Qosiqit.
Shumë shpejt pas kësaj, mendoj se në fund të majit, ndoshta më 29 maj, shumë shpejt, disa ditë pas kësaj, më 2 qershor, ndodhën demonstratat studentore në Beograd, dhe më vonë në qendrat e tjera jugosllave. Mjaft dramatike. E gjitha zgjat deri më 9 qershor. E dimë se si i ndal Tito ato demonstrata: me fjalimin e tij.
Megjithatë, një numër i konsiderueshëm profesorësh që i iniciuan demonstratat studentore shkojnë te Qosiqi dhe i kërkojnë mbështetje. Këtu krijohet një lloj lidhjeje midis, kushtimisht thënë, opozitës së majtë dhe të djathtë: të “Praksistëve” nga njëra anë dhe Qosiqit, i cili më pas do të bëhet shpejt, më 1969, kryetar i Shoqatës Letrare Serbe, e cila ishte boshti thelbësor i institucioneve nacionaliste në Beograd në atë kohë, dhe një lloj, dhe madje mund të themi shumë kushtimisht, organizate opozitare në formim e sipër, diku përgjatë vijave të Amzës Kroate.
Surroi: U vetëquajt disident.
Beshlin: Po, po!
Pas kësaj, kemi përsëri muajin gusht 1968 dhe pushtimin e Çekosllovakisë nga trupat e Paktit të Varshavës, të cilin Jugosllavia e përjetoi, me të drejtë, shumë dramatikisht, jo vetëm për shkak të mbështetjes së saj për reformat në Çekosllovaki dhe kursin e Dubçekut, por edhe sepse pritej që Jugosllavia të ishte e radhës që do të sulmohej.
Dhe pastaj, kongreset mbahen në nëntor, dhe janë kongrese shumë të rëndësishme të partive republikane, kur mbërrijnë udhëheqës të rinj reformistë, nga Savka Dapçeviq dhe Pero Pirkeri në Kroaci te Nikeziqi dhe Llatinka Peroviqi në Serbi.
Dhe pastaj ndodhën demonstratat në Kosovë, kështu që ishte një vit shumë dramatik. Gjatë gjithë kohës ka kërcënime nga Bashkimi Sovjetik ndaj Jugosllavisë për shkak të mënyrës se si reagoi Jugosllavia ndaj pushtimit të Çekosllovakisë, një lloj tensioni lufte po jetohej në të gjithë shtetin.
Pra, një vit vërtet i stuhishëm dhe dramatik, i cili përfundon me atë dramë në Kosovë. Fillimisht u shmang që ato demonstratat të cilësoheshin kundërrevolucion, gjë që do të ndodhte më 1981, sepse atëherë do të thotë vërtet se duhej vepruar me forcë totale...
Surroi: Përsëri Ushtria, përsëri mentaliteti i Administratës Ushtarake.
Beshlin: Pikërisht! Nga ana tjetër, vetë Tito e hodhi poshtë idenë se këto ishin refleks i demonstratave të qershorit. Sidoqoftë, ato u shuan relativisht shpejt dhe lehtë, me idenë se kursi i ndjekur pas Plenumit të Brioneve, kundër represionit, duhej të vazhdohej.
Dhe këtu Nikeziq, si një njeri kyç i establishmentit politik në Serbi, ishte shumë i vendosur. Ai ishte në Kosovë në atë kohë dhe mbajti disa fjalime të rëndësishme, thelbi i të cilave ishte se si shqiptarët ashtu edhe serbët jetojnë në Kosovë, se askush nuk është qiramarrës aty, se të gjithë janë në shtëpi, se të drejtat duhet të vlejnë njësoj për të gjithë në Kosovë, dhe nga ana tjetër se vetë Kosova nuk mund të përjashtohet nga një proces më i gjerë i reformave të demokratizimit që ndodh në Jugosllavi.
Ai tha, “Ne do të jemi shoqëri demokratike për aq sa ekziston një pushtet demokratik dhe tolerance në atë pjesë të shtetit që ishte më e shtypura deri më tash, që ishte Kosova”.
E vetmja gjë për të cilën ai pohonte se nuk kishte diskutim dhe se nuk mund të kishte kompromis dhe debat ishin kufijtë shtetërorë të Jugosllavisë, se ata nuk mund të kontestoheshin, por, për çdo gjë tjetër, nga shkalla e autonomisë te pozita i Kosovës, te nevoja krejtësisht e padiskutueshme që serbët, shqiptarët dhe të gjithë të tjerët që jetojnë aty të jenë të barabartë, ai ishte shumë i ngurtë dhe shumë i vendosur.
Ajo udhëheqje, natyrisht, jo publikisht, ia hapi Titos çështjen e mundësisë së ndryshimit të karakterit të federalizmit jugosllav dhe të futjes së një njësie të shtatë federale, por që në fakt e gjithë struktura federaliste duhej të...
Surroi: Konfederalizohet…
Beshlin:... ta bënte në një formë krejtësisht ndryshe. Tito e ndali. Sepse frikohej se do ta humbte pushtetin, ose se nuk do të ishte në gjendje ta kontrollonte. Pikërisht. Ai kishte frikë se, në thelb, kur u vendos diktatura më 6 janar 1929 dhe kur filluan diskutimet se si të reformohej Mbretëria e Jugosllavisë, Maçek kishte thënë: “Jeleku u zbërthye, e tash duhet mbërthyer sërish, por më ndryshe“.
Tito kishte frikë se jeleku do t’i zbërthehej sërish konsideronte se federalizmi jugosllav është thjesht siç ishte me 6 republika dhe 2 krahina, se kjo është masa e gjërave dhe se nuk kishte nevojë të shkohet më tej, por gjithçka që do të bëhet më vonë me reformat kushtetuese do të çojë në thelb në atë që Kosova, në një masë të madhe, të ketë një status që nuk mund të themi se deri në fund u barazua me republikat, por që kishte një vetëqeverisje mjaftueshëm të gjerë dhe kompetenca të mjaftueshme.
Pas kësaj, nisin negociatat, bisedimet në vitet 1970 dhe 1971 për pakon e tretë, më radikale, të ndryshimeve kushtetuese, pra amendamentet e Kushtetutës së 1963-tës, të cilat në fakt janë të ashtuquajturat amendamente nacionale ku sovraniteti i shteteve federative, pra i republikave, u rrumbullakua plotësisht, dhe ku u zgjeruan më shumë kompetencat e autonomisë së krahinave, dhe e ato diskutime në komisionet kushtetuese ishin veçanërisht interesante sepse komisionin kushtetues të Kosovës e udhëhiqte Fadil Hoxha, komisionin kushtetues të Serbisë, Drazha Markoviq, i cili ishte kryetar i Kuvendit, pra kryetarët e kuvendeve...
Surroi: Që ishte një figurë mjaft konservatore krahasuar me...
Beshlin: Nikeziqin dhe Llatinka Peroviqin... mirëpo, komisionin kushtetues të Jugosllavisë e udhëhiqte kryetari i Kuvendit federativ Millentije Popoviq
Surroi: Që ishte krejtësisht ndryshe nga Drazha Markoviqi.
Beshlin: Pikërisht! Derisa i lexoja, në kohën e kulmit të bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, i pashë të gjeja të njëjtat argumente derisa po i lexoja.
Drazha Markoviqi do të hidhte poshtë cilëndo ide që do ta zgjeronte autonominë e krahinave; që do të tregonte nga sovraniteti i krahinave... Gjithçka që propozonte Fadil Hoxha, përkatësisht Komisioni Kushtetues i Kosovës, i ngjante shtetësisë.
Surroi: Gjë për të cilën ai kishte të drejtë, sepse në fakt ato ishin propozime për shtetësi.
Beshlin: Po. Natyrisht, Drazha Markoviq nuk kishte gabim në të gjitha këto. Ai kishte qenë jurist dhe kishte sens për politikë. Ka qenë atraktiv sepse ka qenë luftues dhe nuk fliste me dorëza, por disi, në bllok, do ta refuzonte çdo gjë që do të vinte nga Kosova si propozim.
Natyrisht, përfaqësuesit e Kosovës kishin idenë për të forcuar një lloj shtetësie dhe sovraniteti të krahinës, që sa më pak të varej nga republika sa më shumë të lidhet me federatën.
Në thelb, qëllimi themelor i amendamenteve të 1968-tës, 1971-tës dhe Kushtetutës së 1974-tës ishte që Kosova të mos ishte brenga e Serbisë, por që kjo përgjegjësi, kur bëhet fjalë për Kosovën, të ndahet në thelb midis Serbisë dhe federatës.
Dhe këtë, siç u tha më vonë nga nacionalistët serbë, nuk e solli Kushtetuta e 1974-tës. Jo! Kjo ishte fryma e atyre antifashistëve të vitit 1945. Do ë kujtojmë, pas vendimit për themelimin e KAKM-së, ata iu drejtuan nivelit federativ, që e miratoi dhe kështu dha garanci, kështu që kjo frymë u realizua vetëm në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970 përmes këtyre dy pakove të amendamenteve kushtetuese ku Kosova tash ishte e ndarë diku mes Serbisë dhe Jugosllavisë, dhe ku njerëzit, sipas identitetit, mund të ishin edhe shqiptarë, e edhe jugosllavë.
Dhe se për herë të parë në vetë Kosovën, Jugosllavia nuk nënkuptonte vetëm represion, por nënkuptonte një lloj shansi dhe një lloj mundësie dhe se ata vetë po fillojnë të ndiejnë një lloj identiteti shtetëror jugosllav, së bashku me atë parësor, kombëtar.
Por duhet të them se ato diskutime ishin jashtëzakonisht interesante për mua. Të themi, si do të duken simbolet e Kosovës, si do të duket flamuri dhe stema. Si do të quhet ligji themelor, a do të quhet kushtetutë, statut, ligj themelor, ligj kushtetues, etj., pajtohen e thonë, “ja ku është ligji kushtetues”, dhe më pas u kujtohet se ligji kushtetues është ligji për zbatimin e Kushtetutës, kështu që kjo nuk mund të bëhet...
Këta ishin njerëz me njohuri të thella juridike, ishin figura serioze politike. Ato diskutime ishin më serioze se çdo gjë që mund të shihja për diskutimet, pas rënies së Jugosllavisë dhe socializmit pas vitit 1991, dhe çdo herë që nuk mund të pajtoheshin... ta zëmë shtrohej pyetja nëse krahinat janë elemente të federalizmit jugosllav, meqë federalizmi jugosllav formohet nga kombet e KAÇKJ-së, domethënë republikat.
Pastaj ata thanë “Po, republikat janë element përbërës i federalizmit jugosllav, por edhe krahinat janë elemente”, prandaj edhe krahinat... po a hyjnë në themelet e federatës jugosllave, në çfarë mënyre, të mos hyj tash në këtë, këto ishin diskutime vërtet serioze.
Së shpejti del vëllimi i dytë i librit tim “Idetë e Serbisë Moderne në Jugosllavinë Socialiste”, ku, mendoj, i kam paraqitur të gjitha shumë gjerësisht, ato diskutime kushtetuese, dhe çdo herë që nuk mund të arrihej një marrëveshje mes Komisionit Kushtetues të Kosovës dhe Komisionit Kushtetues Serb, midis Fadilit Hoxhës dhe Drazha Markoviqit, do të shkohej në arbitrazh, në Komisionin federativ Kushtetues të udhëhequr nga Millentije Popoviq, të cilin e udhëhoqi deri në vdekje në maj 1971, i cili arbitroi dhe vendosi kryesisht në favor të krahinave.
Nuk ishte vetëm Kosova. Vojvodina gjithashtu ishte subjekt në ato diskutime, por në atë moment Kosova ishte shumë përpara me kërkesat për t’i zgjeruar kompetencat. Dhe në përgjithësi, kur pakoja e tretë u miratua në mars të 1971-tës, u zgjeruan ndjeshëm kompetencat e krahinave, dhe në thelb gjithçka tashmë është thyer, disa gjëra vetëm do të rrumbullakohen, Ligji themelor do të quhet kushtetues sipas Kushtetutës së vitit 1974, tashmë ishte shumë e qartë se edhe zhvillimi ekonomik i Kosovës ishte nisur, edhe pse ishte ende vis i pazhvilluar i Jugosllavisë dhe fondet federale që, pak a shumë, u shpërbënë pas reformës ekonomike, mbeti Fondi për viset e pazhvilluara, i cili kryesisht vlen për Kosovën dhe Malin e Zi, pak për disa pjesë të Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Surroi: Ato 15 vjet, nga viti 1966 deri më 1981, ishin një zhvillim i paprecedentë në Kosovë. Mendoj se të gjithë treguesit tregojnë se është diçka e paprecedentë, por ajo që ishte gjithashtu e paprecedentë është një mentalitet, në të cilin subsidiariteti ndodh, në konceptin e BE-së.
Jugosllavia funksionon mbi bazën se të gjithë elementët që e përbëjnë atë funksionojnë në mënyrën e tyre dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në atë të mirë publike. Dhe kështu krijohen identitetet e bashkësisë. 1981-a përnjëherë, natyrisht vdekja e Titos më 1980 dhe zhvillimet e para më 1981 ndryshuan gjithçka në mënyrë dramatike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Jugosllavi në përgjithësi. I kthehemi gjendjes kur gjithçka duhet të administrohet me dhunë.
Beshlin: Po, është shumë interesante kur thoni se Jugosllavia në fakt kishte shumë, quhej ndryshe, dhe ishte ai konteksti socialist dhe i vetëqeverisjes, por kishte shumë nga ato elementë që janë thelbësorë në një kontekst tjetër dhe nën emra të tjerë ekzistojnë në BE-në e sotme në lidhje me çështjen e subsidiaritetit, pra uljen e kompetencave, deri tek autonomia e subjekteve shoqërore, përkatësisht liria.
Për shoqërinë, demokratizimi socialist, natyrisht, nuk do të thoshte më shumë parti. Monopoli i LKJ-së nuk u vu kurrë në dyshim, por nënkuptonte pavarësinë më të madhe të mundshme, autonominë në punën e të gjitha subjekteve shoqërore të mundshme. Pastaj ai lloj përfshirjeje kombëtare, që nuk mund ta quajmë as tolerancë, por shumë më tepër se kaq, barazia thelbësore dhe një shoqëri pluraliste siç ishte shoqëria jugosllave ishin të gjitha ato që ne sot i quajmë “vlera evropiane” me një emër, ndoshta paksa banale, kështu që e kishim në njëfarë mënyre në atë Jugosllavi, jo gjithmonë dhe nuk funksiononte në të njëjtën mënyrë, siç mund ta shohim, por disi ajo shoqëri u avancua, u zhvillua dhe tregoi në shumë elementë disa tendenca shumë progresive.
Ndoshta vetëm për të përmendur se gjithmonë më ka qenë interesante kur lexoja në materiale, ndoshta e vetmja mosmarrëveshje mes udhëheqjes së Kosovës dhe Serbisë gjatë kohës së Marko Nikeziqit nuk ishin politike, aty pajtoheshin plotësisht, por ishin ekonomike.
Kosova priste më shumë, përkatësisht udhëheqja krahinore e Kosovës, e cila ishte e larmishme në aspektin nacional, pra kishte shqiptarë dhe serbë, priste që republika të ndante pjesën e saj për krahinën, dhe Nikeziqi do të thoshte “po mirë, por tash që keni përgjegjësi politike për veten tash merrni pak përgjegjësi ekonomike për funksionimin tuaj”.
Dilemë e madhe është se pse udhëheqja e Kosovës, në krahasim me Vojvodinën, e mbështeti nismën e Titos për t’i shkarkuar Nikeziqin dhe Llatinka Peroviqin. Besoj se edhe arsyet nuk ishin të natyrës ekonomike, por të natyrës politike, jo domosdo se ishin ndoshta më konservatore sesa nënkuptonte kursi i Nikeziqit në Beograd, por që besonin se Tito ishte garantuesi.
Surroi: Është ortodoksí…
Beshlin: Po! Për ta, Tito ishte në fakt një garanci, për udhëheqjen e Kosovës, Tito ishte një garanci e nivelit të arritur të autonomisë, vetëqeverisjes dhe kompetencave. Kjo nuk ishte pa kuptim politik, sepse do të tregohet se kur ajo qendër federative dhe politike dobësohet pa Titon, pas vdekjes së Titos, kur delegjitimohet, qendra federale nuk mund të mbronte më, pra, ta përmbushte detyrimin e saj kushtetues për ta mbrojtur autonominë e krahinës.
Dhe e pamë këtë kur erdhi Millosheviqi. Kështu që në këtë kuptim ata ndoqën Titon. Nga ana tjetër, Tito atëherë, është gjithashtu shumë interesante, nga njëra anë, refuzon të flasë për republikën e shtatë, për ndryshimin e strukturës së federalizmit jugosllav, por pastaj filloi, në fillim të viteve ‘70, për herë të parë ta takojë udhëheqjen e Kosovës pa praninë e udhëheqjes së republikës amë, që kishte qenë rregull deri atëherë.
Do të thotë se ai tashmë e konsideronte se Kosova ishte faktikisht njësi në atë kuptim, por nuk duhej të shkonte deri në fund me Kushtetutë.
Ka edhe diçka tjetër, që mendoj se është mjaft e rëndësishme të përmendet, mes të gjitha të drejtave dhe kompetencave që kishin krahinat, nuk e kishin atë kryesoren, të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Vetëm kombet e kishin këtë, jo edhe kombësitë, dhe kombet, siç do të dëshmohet, meqenëse i kanë shtetet e tyre federale, siç do ta thoshte më vonë Komisioni i Badinterit, mund të ndaheshin vetëm përgjatë kufijve të shteteve federative, pra republikave, kështu që natyrisht krahinat nuk e kishin kurrë këtë.
Kur Tito u zhduk si figura kyçe integruese në Jugosllavi, ndodhi një krizë politike dhe praktikisht gjatë gjithë viteve ‘80, Jugosllavia jetoi në një lloj krize politike. Megjithëse ja një paralele tjetër me përvojën e sotme evropiane: parimi i marrëveshjes ose e drejta e vetos, pra konsensualiteti në qeverisje ku si republikat ashtu edhe krahinat kishin të drejtën e vetos dhe ku të gjitha organet federale nga Gjykata Kushtetuese, Banka Qendrore deri te KEF-i, pra qeveria, duhej ta kishin atë parim të marrëveshjes, pra vendimmarrjen unanime dhe se të gjithë, përfshirë krahinat, kishin të drejtë të ndalonin çdo vendim që e konsideronin në dëm të tyre. Ja një shembull se si BE-ja nuk mund të funksionojë sot, derisa ishte Orbani, autokrati hungarez deri vonë, se si i ndalonte disa nga vendimet, prandaj tash po diskutohet se kur të hyjnë anëtarët e rinj, a do të kenë të drejtë vote, etj.
I përmendët demonstratat e vitit 1981. to u cilësuan kundërrevolucion, u shtypën shumë brutalisht. Në thelb, regjimi ushtarak që u fut pas vitit 1981 nuk u hoq kurrë plotësisht nga Kosova. Ajo ushtri mbeti aty.
Motivet kanë qenë të ndryshme, madje edhe ne në historiografi deri më sot, të paktën unë nuk kam parë nëse ka pasur ndikime të jashtme, nëse sovjetikët ndikuan në provokimin e atyre demonstratave, në çfarë mënyre, është thjesht e vështirë të thuhet.
Surroi: Sepse nuk kishte asnjë arsye që të organizoheshin demonstratat, Demonstratat organizohen qoftë afër, qoftë gjatë ndryshimeve kushtetuese apo partiake...
Beshlin: Kjo është ajo që thamë, viti 1968 kishte kuptim, disi gjithçka po vlonte para syve të publikut, po paralajmëroheshin ndryshime të mëdha, kështu që kishte kuptim, por 1981-tën....
Surroi: Nga kush të kërkoheshin ndryshime kushtetuese në Kosovë, kur nuk kishte më qendër?
Por ky rast, në perspektivën e kësaj bisede, e kthen Qosiqin në skenën historike. Jo drejtpërdrejt, ai nuk është udhëheqës, por e gjithë kjo ide e tij bëhet ideja udhëheqëse e viteve ‘80. Ai thotë, kisha të drejtë, Leka Rankoviq kishte të drejtë, shkojmë prapë nga centralizimi ose në fund, me Millosheviqin, te shkatërrimi i shtetit.
Beshlin: Një pjesë e konsiderueshme e Serbisë nuk është pajtuar kurrë me reformën kushtetuese. Domethënë, ai nuk e pranoi.
Surroi: Serbia e tri pjesëve.
Beshlin: Po. E përmendëm se si më 1945, kuvendi serb merr vendimin, pasi gjithçka kishte mbaruar me procesin e konstituimit të krahinës, përkatësisht rajonit, ai vendos që Serbia, në fakt, i formoi ato.
Më 1968, 1971, pra, ndryshimet kushtetuese, Drazha Markoviq gjithë kohën i kundërshton. Tito madje i kërkoi Nikeziqit në fillim të 1971-tës që ta largonte Drazha Markoviqin nga pozita i tij si kryetar i Kuvendit të Serbisë, megjithëse Tito më vonë do të luante me kartën e Drazha Markoviqit më 1972, i cili ishte bartësi kryesor i akuzave kundër Nikeziqit dhe Llatinkës, kështu që ai kërkoi të largohej, sepse Titon e kishte të qartë se Drazha i kundërshtonte ndryshimet kushtetuese. Madje Drazha kishte thënë këtë: “Nuk ka dorë serbe që do ta nënshkruajë Republikën e Kosovës”, në kohën kur Nikeziqi dhe Llatinka Peroviq po i thoshin Titos “nëse kjo është një kërkesë, ta bëjmë “.
Pastaj kemi marsin e vitit 1971, një debat disaditor në Fakultetin Juridik në Beograd. Është një kritikë shkatërruese ndaj ndryshimeve kushtetuese të vitit 1971, para miratimit të tyre, ku u botuan analet e Fakultetit të Drejtësisë, në rreth 100 mijë ekzemplarë, ku Mihaillo Gjuriq e thotë: “Se Jugosllavia tash ekziston si formë, dhe se është ashtu siç është tash, më mirë të mos krijohej, se nuk duhet vajtuar për shkatërrimin e saj të pashmangshëm, se serbët duhet ta krijojnë shtetin e tyre në të gjithë hapësirën etnike”...
Surroi: Aty ishte një jurist i ri me emrin Koshtunica, apo jo?
Beshlin: Jo, është Mihaillo Gjuriq.
Surroi: Edhe ai ishte atje…
Beshlin: Po, është e vërtetë, ishte edhe Kosta Çavoshki, etj... po, të gjithë ishin në Fakultetin Juridik atëherë.
Jozyrtarisht, dihej se Drazha Markoviqi e nxiti atë diskutim, domethënë se ai i inkurajoi organizatorët e tij thjesht të mos dukeshin ashtu. Ishin qëndrime njëmend shumë radikale, është viti 1971, që është me rëndësi sepse është ndoshta viti i lirisë më të madhe për debat publik gjatë sundimit të Titos, domethënë gjatë jetës dhe sundimit të Titos në Jugosllavi, kur nuk ka pothuajse asnjë censurë në Jugosllavi.
Ndodh Pranvera Kroate në Kroaci, censura ishte hequr pothuajse plotësisht. Madje ishte e mundur që kur prokurori do të kërkonte ndalimin e diçkaje për shkak të gjuhës së urrejtjes ose thirrjes për përmbysjen e rendit shoqëror, gjyqtari të thoshte se nuk ka bazë dhe ta hidhte poshtë atë, diçka që nuk ishte e mundur më vonë dhe para kësaj.
Llatinka Peroviq dhe Marko Nikeziq e kishin të qartë, i quajtën ato amendamente të 1971-tës betejë, domethënë një luftë që duhej ta fitonin brenda Serbisë, sepse e kuptuan se rezistenca e nacionalistëve ishte e madhe dhe Shoqata Letrare Serbe, e cila në atë kohë, ai institucion kyç që mbledh mbi të gjitha intelektualët nacionalistë, në themelet e saj u formulua qëndrimi, që më vonë në vitet ’80, do të bëhej motoja e asaj opozite djathtiste, e kjo ishte ose Jugosllavia sipas serbëve dhe Serbisë ose shteti serb në të gjithë hapësirën etnike.
Ndër të tjera, ishte edhe fjalimin që e citova, nga Mihaillo Gjuriq. Të gjithë do të kalojnë në ilegalitet pas rënies së Liberalëve në tetor 1972, pra Shoqata Letrare Serbe e të ngjashme, por programin që e hartuan gjatë viteve1970/1971/1972 vazhdoi të rafinohej dhe të jetonte në ilegalitet.
Pritej vdekja e pashmangshme e Titos, pra zhdukja e tij biologjike, dhe ata me atë program, tash edhe më të radikalizuar, dolën në vitet ‘80.
Demonstratat e vitit 1981 ishin, ndër të tjera, një shkas për ta. Shkas shumë i rëndësishëm Shkohet drejt rehabilitimit të Rankoviqit, kjo do të shihet në varrimin e famshëm.
Surroi: Sa ishin aty, 100, 200 mijë njerëz?
Beshlin: Thuhet se UDB-ja vlerësoi atëherë se rreth 100 mijë njerëz ishin mbledhur... “Heroi Leka”; duartrokitje, brohoritje, diçka shumë pazakontë për një varrim, në fakt ishte një demonstratë politike.
Dhe mbi atë program, në thelb, u publikua edhe memorandumi i ASHAS-së, por të kthehemi pak prapa, Drazha Markoviqi, i cili u mbijetoi të gjithave politikisht, i cili u rezistoi ndryshimeve kushtetuese, ani se i zbatoi kur natyrisht duhej, sikurse kishte nxitur debatin në Fakultetin Juridik më 1971, e urdhëroi hartimin e “Librit të Kaltër”, e kjo ndodhi vetëm dy vjet pas miratimit të Kushtetutës së 1974-tës. “Libri i Kaltër” është gjithashtu një lloj memorandumi i Partisë, që është gjithashtu një kritikë shumë shkatërruese e mekanizmave kushtetues të Kushtetutës së fundit jugosllave dhe, ndër të tjera, si rezultat i këtyre, në vitet ’80 nis një rezistencë shumë të gjerë në shoqëri në Serbi.
Ajo kushtetutë është stigmatizuar si kushtetuta që e shkatërroi Jugosllavinë, së pari shkatërroi Serbinë, pastaj shkatërroi edhe Jugosllavinë, që është një argument shumë i çuditshëm, sepse asnjë kushtetutë nuk mund të shkatërrojë kurrë një shtet. Kushtetuta është një akt konsensual.
Përkundrazi, në fakt ishte shkelja e kushtetutës dhe mosrespektimi i saj që përfundimisht e shkatërroi Jugosllavinë.
Surroi: Dhe ai “Libri i Kaltër” kaloi nga dora e një Markoviqi në dorën e një tjetre. Mira Markoviqi e mori “Librin e Kaltër” nga xhaxhai i saj.
Beshlin: Po, megjithëse personalisht nuk mund të duroheshin, por politikisht mund të tërhiqet njëfarë vazhdimësie që nga Rankoviqi, Drazha Markoviqi deri te Sllobodan Millosheviqi.
Drazha Markoviq nuk do të futej në luftë, dhe këtu nuk ka dyshim. Por Ivan Stambolliq, i cili në gjysmën e dytë të viteve ‘80 ishte në krye, pra Kryetar i Kryesisë së Serbisë, dhe i cili ishte në njëfarë mënyre një mentor dhe njeriu që e solli Sllobodan Millosheviqin në krye të Partisë, ishte gjithashtu i të njëjtit mendim: se kushtetuta duhej të ndryshohej dhe se mekanizmat kushtetues nuk e kënaqnin Serbinë.
Dallimet në raport me Millosheviqin, fakti se në vitet ‘80 mendonin se Kushtetuta duhej të ndryshohej vetëm në aspektin e raporteve midis krahinave dhe republikës. Ende nuk flitet për ndryshimin e kushtetutës dhe marrëdhënieve midis republikave dhe kompetencave të tyre, etj., Ishte shumë i rëndësishëm rendi i lëvizjeve. Stambolliqi dëshironte ta bënte këtë në marrëveshje me krahinat dhe i nisi bisedimet. Kishin avancuar mjaft me Vojvodinën dhe udhëheqjen e Kosovës në lidhje me ndryshimet kushtetuese.
Udhëheqja e Vojvodinës ishte pak më e gatshme sesa ajo e Kosovës për të hequr dorë nga disa përgjegjësi dhe për që raportet të ndryshonin paksa, dhe kur Stambolliqi pothuajse i kishte përfunduar negociatat dhe pakon, e megjithatë gjithçka do të ishte diku brenda kufijve të Kushtetutës dhe mekanizmave të deriatëhershëm politikë, Millosheviqi erdhi dhe e ndryshoi metodologjinë e punës. Ai nuk donte më bisedime dhe marrëveshje me krahinat për kompetencat, por donte t’ua hiqte me dhunë dhe pa pëlqimin e tyre.
Surroi: Siç është thënë që nga viti 1971, ose do të ketë Jugosllavi sipas shijes së Serbisë, ose nuk do të ketë shtet fare. Në fakt, Millosheviqi e tha këtë.
Beshlin: Po, është e vërtetë. Ndërmjet Stambolliqit dhe tij, në fillim, nuk ka dallim sa i përket qëllimit. Qëllimi është të shkurtohet dhe kufizohet autonomia e krahinave, të forcohet sovraniteti i Serbisë, sepse teza themelore ishte se Serbia, ndryshe nga të tjerët, nuk është një shtet federal sovran brenda Jugosllavisë, përderisa i ka krahinat si dy pesha rreth qafës.
Pra ndryshojnë metodat. Ajo që Stambolliqi ishte i gatshëm ta bënte me marrëveshje, gati të bënte me marrëveshje, prandaj edhe ndryshimet do të ishin të kufizuara Millosheviqi, donte ta bënte këtë pa një marrëveshje, ta bënte atë si një akt të njëanshëm të dhunës politike, gjë që në fund do t’i bënte autonomitë të pakuptimta siç edhe ndodhi. Ky ishte hapi i tij i parë.
Hapi i dytë ishte centralizimi i ri i Jugosllavisë, sipas Serbisë. Dhe ai e bën përpjekjen, duke i marrë votat e Vojvodinës, Kosovës dhe pastaj të Malit të Zi, për ta vendosur dominimin e tij në federatë, dhe kur nuk mundi ta bënte këtë, atëherë e ndërmori hapin e tretë dhe të fundit, që ishte ravijëzimi, pra përkufizimi dhe pushtimi i hapësirës etnike serbe, domethënë krijimi i një Serbie të madhe. Shkatërrimi Jugosllavisë.
Surroi: Dhe ky është preludi i luftës.
Beshlin: Ashtu është. Ishte hyrja direkte në luftë.
Surroi: Dhe nuk ishte gabim. Ishte projektuar si hyrje në luftë. Me të gjitha pasojat. Kështu që është hyrë në luftë me sytë hapur.
Beshlin: Është e vërtetë, sepse mendonin se kishin dominim për shkak të APJ-së. Dhe kjo është diçka që duhet të hulumtohet dhe të debatohet.
Ky është roli i APJ-së si e ashtuquajtura republikë e shtatë, e cila ishte kryesisht mbi sistemin, e cila ruajti traditat e mënyrës sovjetike të qeverisjes dhe veprimit, të cilat dallonin shumë nga ato jugosllave, ku njerëz që ishin shumë konservatorë, si Goshnjaku, të cilët kishin orientim shumë prosovjetik, dhe kur Goshnjak u largua si një njeri i afërt me sovjetët, pas agresionit kundër Çekosllovakisë dhe me presionin e Koça Popoviq, u thyen shumë shtiza, se kush do të jetë ai ministër i ri i Mbrojtjes, domethënë njeriu që mban kontrollin e drejtpërdrejtë mbi APJ-në.
Dhe pati disa propozime shumë të mira për disa gjeneralë, të cilët atëherë ishin modernë dhe të prirë për reforma, dhe në fund, më 1967, Tito vendosi për atëherë për një anonimus dhe relativisht të ri, Nikolla Lubiçiq, të cilin askush nuk e njihte në atë kohë.
Ai dukej si një zgjidhje kompromisi, por do të dilte të jetë një shpirt i lig dhe që në vizitën e tij të parë në Bashkimin Sovjetik pas një a dy vitesh, ambasadori jugosllav ishte diplomati i kalitur Velko Miqunoviq, autori i librit të famshëm “Vitet e Moskës”, i cili kishte qenë ambasador atje pas shkrirjes së parë të raporteve dhe tash ishte aty për së dyti, nga fundi i të ’60-ve, i cili i kuptonte dhe i kishte deshifruar pagabueshëm sovjetikët dhe politikën sovjetike, në përgjithësi e veçanërisht ndaj Jugosllavisë, dhe Veljko Miqunoviq e njohu Lubiçiqin shumë shpejt. Ai ishte një nga të parët që e njohu, sepse e kuptoi sjelljen e tij në Moskë.
Ta përmend një episod interesant. Kur Lubiçiqi shkoi në bisedime me udhëheqjen sovjetike, e la ambasadorin e shtetit të tij, Miqunoviqin, pas dere. Miqunoviqit i ishte e qartë se në cilin drejtim do të shkonte politika e Lubiçiqit.Tito, natyrisht, mbështetej shumë në të. Ky është një nga njerëzit që do të kontribuonte në mënyrë vendimtare që Millosheviqi ta fitonte betejën për ta udhëhequr Partinë e Serbisë.
Dhe Serbia, të mos harrojmë, në vitet ‘80, në të gjitha përgatitjet për atë që u quajt në mënyrë eufemiste “trashëgimia jugosllave”, domethënë për shpërbërjen e Jugosllavisë, kishte dy gjeneralë në udhëheqjen e saj si kryetarë të Kryesisë: Lubiçiqin dhe Petar Graçaninin.
Surroi: Meqë po i afrohemi fundit të këtij episodi, ja një histori alternative: Vjen 1973-ta apo 1972-ta, Marko Nikeziqi është ende në pushtet. Arrihet një marrëveshje mes gjithë atyre njerëzve që janë intelektualisht shumë të ngritur në Kroaci, dhe në Serbi, dhe në vise të tjera, madje edhe në Maqedoni, e cila nuk ishte pikërisht më e talentuara në atë drejtim...
Beshlin: Stane Kavçiç në Slloveni dhe Krsto Cërvenkovski dhe Slavko Millosavllevski në Maqedoni. Edhe pse Maqedonia, duhet thënë, e kishte Kiro Glligorovin, që kishte qenë një nga arkitektët kryesorë të reformës ekonomike.
Surroi: Po, por i cili ishte në Beograd...Ajo udhëheqje e ndritur thotë: “Duhet ta arrijmë një marrëveshje. Socializmi do të ecë në rrugën e vet drejt një ekonomie tregu; Kosova do të jetë republika e shtatë; autonomia në Vojvodinë do të mbetet në të njëjtin proporcion; do të ketë një rikompozim të shpërndarjes së parave, nuk do të paguajmë më kaq shumë, nuk do t’i japim më kaq shumë para Kosovës, sepse ata do të jenë republikë, do t’i kenë përgjegjësitë e tyre, etj”.
A do të përfundonte Jugosllavia në luftë?
Beshlin: E dini që nuk është tragjedi që Jugosllavia u shpërbë. Edhe pse unë ende mendoj, e ky është mendimi im personal, nuk mund ta bëj këtë si historian, por mendoj se ishte korniza më e mirë për zhvillimin e të gjitha atyre identiteteve.
Tragjedia është se si u shpërbë dhe ky është çelësi. Dhe duhet t’i kthehemi kësaj. Si arritëm te shpërbërja kaq e përgjakshme.
Dhe ndoshta nuk jemi as të vetëdijshëm se në çfarë përmasash ato luftëra dhe pasojat e tyre, jo vetëm në njerëz, por edhe materiale, ekonomike, i kthyen prapa shoqëritë tona, i prapakthyen marrëdhëniet tona historike dhe sa shumë, gjithçka që u arrit në aspektin civilizues dhe progresiv në Jugosllavi u shua në ato luftëra.
Pra, gjëja më e keqe që u ndodhi të gjithë këtyre popujve në fund të shekullit të 20-të ishte mënyra se si u shpërbë Jugosllavia. Dhe mendoj se gjëja më e mirë ka mundur të kishte qenë reforma.
Vetë Tito ishte përgjegjës, prandaj e përmenda Nikolla Lubiçiqin, etj., sepse ai e serbizoi APJ-nënë një masë të madhe. Ishte një udhëheqje, ju e përmendët çka nëse do të mbesnin Nikeziqi dhe Llatinka Peroviq, ishte një udhëheqje në Serbi që me një çast paralajmëroi se ishte një institucion në vend që qëndronte jashtë konceptit të barazisë kombëtare, që ishte e padiskutueshëm në Jugosllavi, dhe kjo ishte APJ-ja. Dhe se aty mbizotëronte një popull mjaft shumë, brenda APJ-së.
E ishte udhëheqja e Serbisë ajo që po paralajmëronte. Në vend që Kosova të ishte republika e shtatë, APJ-ja ishte republika e shtatë. Pikërisht. APJ-ja u bë republika e shtatë. Sikurse në bisedën e fundit me Titon që patën Nikeziqi dhe Llatinka Peroviq, ajo i tha Titos: “Me shkarkimin e Nikeziqit, i bëtë një lëshim nacionalizmit serb”.
Dollanci i kishte thënë: “Nuk mund t’i flasësh Titos në atë mënyrë”, kurse ajo iu përgjigj: “Ia thashë të vërtetën”.
Koncepti konservator që ai zgjodhi në atë kohë në Serbi..
Surroi: Dhe e cila ishte konservatore edhe për të gjithë popujt e tjerë...
Beshlin: Ishte konservatore për të gjithë të tjerët sepse, në fakt, ajo që Nikeziqi paralajmëroi më 1971, më e keqja për Serbinë, dhe madje edhe për Jugosllavinë, mund të ndodhë kur puqen socializmi dogmatik konservator dhe nacionalizmi konservator serb.
U puqën në Seancën e 8-të dhe së bashku e qitën mbi sipërfaqe Sllobodan Millosheviqin, i cili zgjodhi zgjidhjen e luftës duke e vendosur nën komandën e tij APJ-në, tashmë të serbizuar, konservatore dhe pro-sovjetike, e cila në fakt u bë instrumenti i tij në përpjekjet e tij për ta dominuar Jugosllavinë dhe më pas instrumenti i tij për krijimin e një Serbie të madhe.
Gjatë gjithë kohës po u kthehem çështjeve që i di dhe i kam hulumtuar në përpjekje për ta shmangur përgjigjen pyetjes suaj, për të cilën realisht nuk kam një përgjigje.
Çka do të ndodhte nëse do të ndodhte, ndoshta kur t’i mbyllim mikrofonat atëherë do t’jua tregoj, por besoj se në atë rast, Jugosllavia do të kishte shmangur skenarin më të keq nga të gjithë, që nuk ishte vetë shembja e shtetit, por mënyra se si u shemb ai shtet, që ishte lufta.
Surroi: Ishte kënaqësi e madhe, Milivoj Beshlin. Faleminderit.
Beshlin: Faleminderit për ftesën
Përktheu dhe përshtati: Flaka Surroi