Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të hënën Komisioni për Legjislacion shqyrton ndryshimet e Ligjit për Specialen

Komisioni per Legjislacion

Të hënën nga ora 8:00 do të mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, ku në rend të ditës do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dhomat e Specializuara të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Legjislacion, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, nëpërmjet një postimi në Facebook. 

“Të hënën, më 5 tetor 2026, në ora 08:00, në sallën N-10, do të mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion. Në rend të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas ngarkimit të Komisionit me shqyrtimin e tij. Mbledhja do t’i kushtohet shqyrtimit të Projektligjit dhe aspekteve të tij juridike, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit. Ftohen deputetët dhe mediat që të marrin pjesë në këtë mbledhje!” – ka shkruar Qorrolli në Facebook. 

E Lëvizja Vetëvendosje ka bërë kërkesë që nesër të mbahet seancë në Kuvendin e Kosovës nga ora 9:00, ku ndër pikat do të jetë edhe ky projektligj. 

Ekzekutivi i Kosovës të premten mbrëma i ka hapur rrugë nismës së propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një mbledhje elektronike, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin. Sipas njoftimit zyrtar, është konstatuar se nuk ekzistojnë pengesa ligjore për procedimin e këtij projektligji.