Komisioni për Legjislacion ka miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën, pak para seancës plenare, ai është votuar unanimisht nga anëtarët e Komisionit që kanë qenë prezent. Për ndryshim të Ligjit kanë votuar 9 deputetë, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tek ka arsyetuar kërkesën për ndryshim të Ligjit ka thënë se me të synohet që Gjykatës Speciale, t’i merret një pjesë e juridiksionit.
“E kemi gjetur një zgjidhje që të mos prekim as Kushtetutën, as detyrimet tona ndërkombëtare, krejt çfarë kemi bërë është që përmes ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara që është një ligj i zakonshëm, në i marrim një pjesë të juridiksionit Gjykatës Speciale, ajo është pjesa e krimeve të luftës e cila nuk ka qenë kurrë qellim për Gjykatën Speciale”, është shprehur Gruda.
Kryetari i Komisionit, Vigan Qorolli ka thënë deputetët e LVV-së do të votojnë pro këtyre ndryshimeve.
“Jemi në një situatë që ne si komision të gjithë njëzëri do ta miratojmë ndryshimin e ligjit. Ne në këtë rend hierarkik kushtetues duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Në emër të deputetëve të LVV-së do ta japim votën pro. Do të ndihmojmë të kalojmë këtë situatë sepse lufta e drejtë e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë tonë. Katër krerët e UÇK-së duhet të prezumohen të pafajshëm sepse janë të pafajshëm. Vota jonë do të jetë pro ndryshimeve”, ka thënë ai.
Edhe
Speciale: Konstituimi i Kuvendit mbetet pezull, çka pas?
Besnik Tahiri i Aleancës ka thënë se procesi gjyqësor 6-vjeçar na dëshmoi se ajo për çka është formuar kjo gjykatë është tejkaluar.
“Ajo qe duhet ne si Komision për Legjislacion ta themi është se ndryshimi mbi premisat e standardeve politike janë shumë normale për shkak se ligjet nuk janë libra të shenjtë që nuk ndryshojnë. Ato ndryshojnë me kohë. Institucioni duhet të reflektojë dhe ne sot jemi këtu për t’i bërë këto veprime”, ka thënë ai.