Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kërkesë që nesër të mbahet seancë në Kuvendin e Kosovës me fillim në ora 9:00.
Burime kanë bërë të ditur për KOHËN se kërkesa është dorëzuar sot. Ndër të tjera pritet në Kuvend të trajtohet edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për Specialen.
6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, bazuar në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Të shtunën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit kreu i Lëvizjes Vetëvendosje është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Hamza tha pas takimit se PDK-ja do të jetë e gatshme për presidentin, por pasi të miratohen në Kuvend ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale.
PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale. Me anë të ndryshimeve ligjore synohet që mandati i saj të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj.
Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.
Ekzekutivi i Kosovës të premten mbrëma i ka hapur rrugë nismës së propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një mbledhje elektronike, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin. Sipas njoftimit zyrtar, është konstatuar se nuk ekzistojnë pengesa ligjore për procedimin e këtij projektligji.