Opinion

Zgjedhjet e 28 dhjetorit përballë sfidës së deepfakes: Qytetari kritik si antidot ndaj dezinformimit

Zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë një test i rëndësishëm për shoqërinë e Kosovës edhe për sa i përket rezistencës ndaj manipulimeve audiovizive të gjeneruara me inteligjencë artificiale. Në fushatat e mëhershme zgjedhore, manipulimet audiovizive me inteligjencë artificiale ishin të pakta, apo të rralla, por, tashmë deepfakes mund të prodhohen lehtë edhe në gjuhën shqipe. Pra, nëse më herët kishte gjenerim të deepfakes me personazhe që flisnin në gjuhën angleze, tashmë e pamë që kufizimi gjuhësor nuk është më. 

Deepfakes që qarkulluan së fundi në media sociale kishin disa mangësi, pra nuk ishin të përsosura, megjithatë qytetarë të shumtë i komentuan sikurse ato video të ishin reale. Por, duhet kuptuar që dezinformimi nuk funksionon, sepse njerëzit janë të paditur, por funksionon sepse janë njerëzorë. Pra, udhëhiqen nga emocioni në vend të racionales. Udhëhiqen nga paragjykimet, në vend të arsyetimit racional. Udhëhiqen nga shkurtore (shortcuts) për shkak të mbingarkesës konjitive dhe kjo pamundëson analizim më të thellë të çdo informacioni. 

Ne duhet të punojmë që, në shoqërinë tonë, ta shtrijmë gjykimin kritik që do t’i bënte njerëzit të analizojnë në mënyrë kritike çdo përmbajtje mediale me të cilën ndeshen dhe, të mos udhëhiqen nga ato që në studimet psikologjike nënvizohen për të elaboruar ‘pse-në’ e rënies pre të dezinformimit. Fjala është për konceptet si: Paragjykimi i Konfirmuar, me qenë se, ne, si qenie njerëzore, priremi të besojmë atë që përputhet me bindjet tona; pastaj, Arsyetimi i Motivuar që nënkupton argumentimin për të mbrojtur bindje apo narrativa që japin rehati emocionale, edhe kur ato janë të pavërteta; dhe, Mbingarkesa Konjitive (Njohëse), pra kur ne marrim shumë informacione që tejkalojnë kapacitetin e trurit për përpunim dhe rrjedhimisht, hasim në vështirësi për të kuptuar informacionin, për ta analizuar më thellë. Kjo ndikon që njerëzit të zgjedhin rrugën e shkurtët dhe të mos e ngarkojnë veten më shumë, por të vlerësojnë një informacion pa e menduar e analizuar më gjatë. Kur këto tri koncepte kombinohen, atëherë e pengojnë gjykimin, interferojnë në mënyrën e të menduarit dhe e bëjnë individin të ndjeshëm ndaj çdo lloj manipulimi. Qëkëndej, ne duhet të kthejmë përqendrimin tek antidoti i dezinformimit e që është mendimi kritik. Por, njëherësh, duhet të jemi të vetëdijshëm që mendimi kritik nuk është një refleks automatik, por është një gamë e gjerë aftësish. Pra, mendimi kritik shkon përtej identifikimit se kush është autori i mesazhit dhe përfshin edhe analizimin se kush përfiton nga një përmbajtje e atillë mediale. 

Mendimi kritik mund të jetë efektiv kur individi është në dijeni të mundësive që inteligjenca artificiale ofron sot, për gjenerim të audiove dhe videove edhe në gjuhën shqipe. Kur e kuptojmë se si ndërtohet një deepfakes, atëherë mund të jemi në gjendje ta dekonstruktojmë të njëjtën përmbajtje mediale. Prandaj, ne duhet të punojmë shumë që, në shoqërinë tonë të shtrijmë aftësitë e mendimit kritik te qytetari dhe të gjykimit të tij ndaj përmbajtjeve mediale, në mënyrë që çdo qytetar të jetë i përgatitur për t’u ballafaquar  dinjitetshëm me ambientin informativ që e rrethon. 

Në një studim për dinamikat e ekspozimit ndaj dezinformimit dhe besueshmërinë e informacionit në Kosovë, që pritet të publikohet në pjesën e parë të vitit 2026, bashkë me bashkautorin e këtij studimi, profesorin britanik Darren Lilleker, ne propozojmë që të zbatohet një zgjidhje me shumë nivele, në arsimim formal dhe joformal, me përfshirje të aktorëve të ndryshëm të shoqërisë, të institucioneve politike, arsimore, të mediave dhe shoqërisë civile. “Edukimi medial” është lënda që duhet të përfshihet në kurrikulat mësimore që mësohet nga shkollimi fillor e tutje dhe, për këtë është e domosdoshme që të ketë strategji kombëtare, të ketë kurrikulë kombëtare dhe të përgatiten kuadro, mësimdhënësit e edukimit medial, për një shtrirje efektive të edukimit medial në shoqëri. Hëpërhë,  edukimi medial mësohet aty-këtu si lëndë zgjedhore dhe e lënë në vullnetin e mirë të mësimdhënësve që duan t’i pajisin nxënësit me njohuritë dhe me aftësitë që konsiderohen kyç, në raport me median, informacionin dhe me teknologjinë. Krahas lëndës së edukimit medial që do t'i pajiste brezat e rinj me mjetet, njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të vlerësuar burimet në mënyrë kritike dhe për të qenë në gjendje të identifikojnë manipulimin, është gjithashtu e rëndësishme që organizatat e shoqërisë civile dhe media të organizojnë fushata për ndërgjegjësim publik, punëtori dhe programe trajnimi për gazetarë që përqendrohen në identifikimin dhe kundërshtimin e dezinformimit. Përveç kësaj, partneriteti midis institucioneve arsimore, organizatave të kontrollimit të fakteve, si Krypometër dhe Hibrid, dhe mediave, mund të jetë një zgjidhje e mirë për hendekun ekzistues midis praktikës së verifikimit dhe marrjes së përditshme të informacionit. 

Me aktivitete të tilla ushqehet një qytetari më kritike dhe më rezistuese ndaj dezinformimit, të cilin nuk mund ta mënjanojmë plotësisht, por mund ta kufizojmë shtrirjen dhe ndikimin e tij përmes edukimit medial dhe mendimit kritik. Pra, është tejet e rëndësishme që shoqëria jonë të ketë më shumë qytetarë të informuar, kritikë dhe të aftë të navigojnë në një botë informacioni gjithnjë e më komplekse.

Duke rritur rezistencën shoqërore ndaj manipulimit të informacionit me apo pa përdorim të inteligjencës artificiale, ne kontribuojmë drejtpërdrejt në forcimin e demokracisë.