Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Nga e Drejta Ndërkombëtare te Kushtetuta dhe pse demokracia e mirëfilltë ka nevojë për interpretim bona fide

Në librin e tyre të njohur How Democracies Die, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt vërejnë një dukuri që është veçanërisht e rëndësishme për demokracitë e reja: kur partitë politike fillojnë ta shohin njëra-tjetrën jo si kundërshtare politike, por si armike që duhet mposhtur me çdo mjet institucional, atëherë rreziku për demokracinë nuk vjen domosdoshmërisht nga shkelja e hapur e Kushtetutës. Ai mund të vijë pikërisht nga përdorimi maksimal i kompetencave që Kushtetuta dhe ligji ua japin aktorëve politikë. Levitsky dhe Ziblatt e përshkruajnë këtë fenomen përmes idesë së constitutional hardball: përdorimit të instrumenteve institucionale në mënyra që mund të jenë formalisht të mbrojtshme, por që cenojnë frymën e bashkëjetesës demokratike dhe i shtyjnë kundërshtarët politikë të përgjigjen me të njëjtën logjikë.

Këtu qëndron edhe rëndësia e një koncepti që në të drejtën ndërkombëtare është shumë më i zhvilluar sesa në të drejtën kushtetuese të brendshme, interpretimi bona fide. Kjo e zhvendos diskursin nga ‘a lejohet?’ tek ‘a është interpretim i mirëbesimit?’. Në të drejtën ndërkombëtare, bona fide nuk është thjesht një parim moral. Ai është një parim juridik i interpretimit. Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve kërkon që traktatet të interpretohen në mirëbesim, në përputhje me kuptimin e zakonshëm të termave, në kontekstin e tyre dhe në dritën e objektit dhe qëllimit të traktatit. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në shumë raste ka konfirmuar rolin esencial që ka ky parim në interpretimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ndër ta është edhe rasti ‘Nuclear Test' ku ajo kishte konstatuar se ‘një prej parimeve kryesore që qeverisë krijimin dhe zbatimin e obligimeve ligjore, pavarësisht burimit, është parimi i mirëbesimit’. Sipas autorit Krzysztof Kaleta, në artikullin e tij ‘Good Faith in Constitutional Interpretation’, ndër të tjerash beson se mirëbesimi në interpretimin kushtetues është i domosdoshëm pasi që interpretimi kushtetues pashmangshëm përmban një fushë të diskrecionit dhe përmes mirëbesimit kufizohet diskrecioni interpretues dhe forcohet legjitimiteti i vendimeve kushtetuese duke krijuar kështu një rezistencë kundrejt abuzimeve. Në të drejtën kushtetuese, megjithatë, ideja e interpretimit në mirëbesim ka marrë shumë më pak vëmendje si koncept i pavarur. Gjykatat kushtetuese kanë folur më shpesh për lojalitetin kushtetues, respektimin e ndarjes së pushteteve, parimin e bashkëpunimit institucional, ruajtjen e funksionalitetit të institucioneve dhe respektimin e frymës së Kushtetutës. Të gjitha këto janë të rëndësishme. Por bona fide shkon një hap më tej.

Interpretimi bona fide nënkupton që një normë kushtetuese nuk duhet të lexohet vetëm për të gjetur formulimin që i jep një avantazh maksimal interpretues subjektit që e interpreton atë. Ajo duhet të interpretohet në mënyrë të arsyeshme, objektive dhe në përputhje me funksionin që ajo normë ka brenda rendit kushtetues. Me fjalë të tjera, pyetja nuk duhet të jetë vetëm: ‘A mund ta lexoj këtë dispozitë në këtë mënyrë?’ por edhe: ‘A është kjo mënyra e arsyeshme dhe e mirëbesimit për ta kuptuar këtë dispozitë në funksion të Kushtetutës si tërësi?’. Ky dallim është thelbësor. Sepse pothuajse çdo tekst juridik mund të përdoret për të ndërtuar më shumë se një argument. Por demokracia kushtetuese nuk mund të funksionojë nëse secili aktor institucional zgjedh gjithmonë interpretimin që i jep atij përfitimin më të madh politik.

Kushtetuta nuk është arsenal politik

Një nga mësimet më të rëndësishme të Levitskyt dhe Ziblatt është se demokracia nuk mbijeton vetëm përmes rregullave të shkruara. Ajo mbijeton edhe përmes normave jo të shkruara të vetëpërmbajtjes institucionale dhe të tolerancës reciproke. Ata argumentojnë se kur njëra palë përdor në mënyrë agresive kompetencat e veta institucionale për të maksimalizuar avantazhin politik, pala tjetër tenton të përgjigjet me të njëjtën monedhë. Kështu krijohet një spirale e asaj që autorët e quajnë si constitutional hardball. Në vend që institucionet të shërbejnë si mekanizma për zgjidhjen e konfliktit politik, ato shndërrohen në mjete të vetë konfliktit politik. Ky është pikërisht momenti kur duhet të hyjë në lojë bona fide.

Edhe Opinion Presidenti nuk është konsensual

Një parti politike mund të ketë një interpretim juridik që e favorizon atë. Mund ta konsiderojë atë interpretim të mbrojtshëm. Mund ta paraqesë edhe para gjykatës. Por kur bëhet fjalë për funksionimin e institucioneve kushtetuese, duhet të ekzistojë edhe një detyrim më i gjerë: të mos përdoret teksti kushtetues si një instrument për ta bllokuar funksionimin e sistemit për aq kohë sa kjo mund të jetë politikisht e dobishme. Kjo nuk do të thotë se partitë duhet të heqin dorë nga interesat e tyre. Demokracia është konkurrencë politike. Opozita duhet të kundërshtojë. Shumica duhet të qeverisë. Partitë duhet të kërkojnë vota dhe të mbrojnë programet e tyre. Por ekziston një kufi midis konkurrencës politike dhe instrumentalizimit të Kushtetutës.

Kosova e ka përjetuar këtë problem në mënyrë shumë konkrete. Për muaj të tërë pas zgjedhjeve të vitit 2025 vendi u përball me bllokadën e konstituimit të Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së kryetarit të tij. Problemi nuk ishte thjesht juridik. Ai u shndërrua në një konflikt rreth mënyrës se si duhej interpretuar kompetenca për propozimin dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Pozicioni i shumicës politike ishte se ajo kishte të drejtë të insistonte në kandidatin e saj, ndërsa subjektet e tjera politike duhej të merrnin pjesë në procesin e votimit të atij kandidati. Problemi me një qasje të tillë nuk është domosdoshmërisht vetëm nëse mund të ndërtohet një argument tekstual në mbështetje të saj. Problemi më i madh është pyetja tjetër: ‘A është ky interpretim në përputhje me funksionin e normës kushtetuese?’

Një dispozitë që synon të mundësojë konstituimin e një organi kushtetues nuk mund të interpretohet në mënyrë të tillë që vetë interpretimi ta bëjë të pamundur konstituimin e tij. Kjo është një pikë ku bona fide bëhet veçanërisht i rëndësishëm. Nëse një interpretim e shndërron një mekanizëm kushtetues në një instrument bllokimi, atëherë duhet të shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë ende me interpretim të normës apo me përdorim strategjik të normës. Kjo sidomos në rastin kur dispozita për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit është deri diku mjaft e qartë nga një interpretim logjik pasi që e drejta për propozimin i takon partisë më të madhe por kërkesa për votim nënkupton logjikisht se nuk është e drejtë absolute e partisë më të madhe që të kërkojë me cdo kusht që vetëm njëri kandidat i përveçëm të zgjedhet Kyretar i Kuvendit përmes një imponimi partive tjera më të vogla parlamentare. Kjo sidoqoftë do të kishte kuptim tjetër kur partia më e madhe ka vota të mjaftueshme për të kaluar këtë proces sipas zgjedhjes së tyre.

Edhe krizat aktuale na japin një mësim

Më 8 gusht 2026, kemi arritur në një pikë tjetër të tensionimit institucional. Kuvendi ende nuk është konstituar brenda afatit kushtetues dhe mosmarrëveshjet politike rreth zgjedhjes së kryesuesit kanë vazhduar. Situata ka prodhuar një frustrim të dukshëm politik dhe shoqëror, deri edhe në shfaqje të papranueshme të agresivitetit fizik në sallën e Kuvendit. Fakti që një deputete hodhi vezë ndaj kryeministrit nuk është vetëm një episod i shëmtuar parlamentar. Ai është edhe një simptomë e një problemi më të thellë: kur institucionet nuk arrijnë të prodhojnë zgjidhje për një konflikt politik, konflikti fillon të dalë jashtë kanaleve institucionale. Sigurisht, dhuna apo agresioni fizik nuk mund të justifikohen si përgjigje ndaj asnjë bllokade politike. Por duhet ta shohim edhe shkakun e tensionimit. Një demokraci nuk mund të kërkojë pafundësisht durim nga qytetarët ndërkohë që institucionet kushtetuese mbeten të bllokuara. Sa më gjatë që zgjat një krizë e tillë, aq më shumë rritet frustrimi, polarizimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve. Dhe këtu bona fide nuk është më një nocion akademik. Ai bëhet nevojë praktike për funksionimin e shtetit.

Edhe Opinion Kur Kushtetuta rrezikon të bëhet peng i vetvetes?

Edhe presidenti dhe afatet kushtetuese kërkojnë të njëjtin standard. Problemet aktuale nuk kufizohen vetëm te konstituimi i Kuvendit. Edhe çështjet që lidhen me kompetencat e presidentit dhe me afatet kushtetuese kërkojnë një qasje të njëjtë. Në një situatë kushtetuese të kontestuar, është gjithmonë e mundur të ndërtohen interpretime të ndryshme. Kjo është normale. Kushtetutat nuk janë formula matematikore. Por aktorët institucionalë duhet të bëjnë dallimin ndërmjet një mosmarrëveshjeje të sinqertë juridike dhe një interpretimi të motivuar kryesisht nga interesi politik. E para është pjesë normale e demokracisë kushtetuese. E dyta është problem. Kjo është edhe arsyeja pse bona fide duhet të merret më seriozisht në të drejtën kushtetuese. Interpretimi në mirëbesim nuk kërkon që një subjekt politik të heqë dorë nga pozicioni i tij vetëm sepse ai është politikisht i papërshtatshëm. Ai kërkon që subjekti të pranojë se Kushtetuta nuk i përket atij, shumicës, opozitës apo një institucioni të vetëm. Kushtetuta i përket të gjithëve, prandaj edhe interpretimi i saj duhet të bëhet nga perspektiva e funksionimit të tërësisë kushtetuese, jo nga perspektiva e interesit të momentit të njërit prej aktorëve.

Bona fide është më shumë se “lojalitet kushtetues” Në jurisprudencën kushtetuese evropiane hasim shpesh konceptin e lojalitetit kushtetues. Ai është përdorur në forma të ndryshme edhe nga gjykata kushtetuese të vendeve evropiane dhe është i pranishëm edhe në jurisprudencën kushtetuese të Kosovës. Lojaliteti kushtetues kërkon që institucionet ta respektojnë rendin kushtetues dhe të mos veprojnë në mënyrë që dëmton funksionimin e tij. Por bona fide ka një dimension tjetër. Ai vendos një standard mbi mënyrën e interpretimit. Një institucion mund të pretendojë se po respekton tekstin e Kushtetutës dhe njëkohësisht ta interpretojë atë në mënyrën më të ngushtë, më oportuniste dhe më maksimaliste të mundshme. Interpretimi bona fide kërkon të kundërtën: arsyeshmëri, objektivitet dhe respekt për objektin dhe funksionin e normës. Në këtë kuptim, bona fide është një lloj antidoti ndaj constitutional hardball.

Natyrisht, duhet të bëjmë edhe një dallim tjetër. Nuk duhet që bona fide të përdoret për të mbyllur çdo debat kushtetues. Nuk mund të thuhet se çdo interpretim që prodhon konflikt është automatikisht interpretim në keqbesim. Ka raste kur dispozita kushtetuese është realisht e paqartë. Ka raste kur ekzistojnë dy ose më shumë interpretime serioze dhe objektivisht të arsyeshme. Ka raste kur institucionet duhet t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Kjo është demokracia kushtetuese. Problemi lind atëherë kur një aktor e di se ekziston një interpretim që mundëson funksionimin normal të institucioneve, por zgjedh pikërisht interpretimin që prodhon bllokim, sepse ky bllokim i jep atij avantazh politik. Aty duhet të fillojë analiza e bona fide.

Kushtetuta duhet të interpretohet për ta mbajtur sistemin gjallë.  Një Kushtetutë nuk është vetëm një katalog kompetencash. Ajo është mekanizëm për organizimin dhe kufizimin e pushtetit, por edhe për garantimin e funksionimit të shtetit. Prandaj, në rastet kur ekzistojnë disa interpretime të arsyeshme të një dispozite, duhet të ketë një preferencë të fortë për interpretimin që ruan funksionimin e institucioneve dhe shmang bllokimin institucional. Demokracia nuk kërkon që politikanët të jenë më pak politikë. Ajo kërkon që ata të dinë se ekzistojnë momente kur interesi i institucionit dhe i rendit kushtetues duhet të jetë mbi interesin e menjëhershëm të partisë. Kjo është pikërisht ajo që Levitsky dhe Ziblatt e lidhin me vetëpërmbajtjen institucionale: demokracia funksionon jo vetëm sepse ekzistojnë kufij juridikë, por sepse aktorët politikë nuk përpiqen të përdorin çdo centimetër të hapësirës institucionale vetëm sepse teknikisht mund ta bëjnë këtë.

Kosova ka nevojë për një kulturë të interpretimit në mirëbesim. Gjykata Kushtetuese e Kosovës në rastin e fundit në lidhje me zgjedhjen e Kyreparlamentarit por edhe në rastet tjera të mëhershme kishte konstatuar lojalitetin kushtetues ndërsa angazhim mirëbesimi në dialogun ndërpartiak. Kjo qasje duket analoge me praktikën e gjykatave evropiane si ne Gjermani ku pasqyrohet me shprehjen verfassungsorgantreue apo në Rumani si loialitate constitutionala.  Megjithatë, Gjykata Kushtetuese duhet të konstatojë rolin e interpretimit me mirëbesim të tekstit kushtetues që shkoj përtej kuptimit të lojalitetit. Për Kosovën, kjo është më shumë se një çështje teorike. Një shtet i ri dhe një demokraci e re nuk mund të përballojnë lehtë kriza të zgjatura institucionale. Çdo bllokadë sjell kosto duke vonuar proceset ligjvënëse, pengohet qeverisja, dobësohet administrata publike, vonohen proceset e integrimit evropian dhe dëmtohet besimi i qytetarëve.

Edhe Opinion Presidenca e tkurrur: si e ka zvogëluar Gjykata Kushtetuese presidencën dhe e ka shndërruar shpërndarjen e Kuvendit në mjet politik

Prandaj, mësimi që duhet ta nxjerrim nga krizat e fundit nuk është vetëm se kush ka të drejtë në një debat të caktuar kushtetues. Mësimi duhet të jetë shumë më fundamental: Si duhet ta interpretojmë Kushtetutën kur interpretimi ynë mund të na japë një avantazh politik, por njëkohësisht ta dëmtojë funksionimin e institucioneve? Përgjigjja duhet të jetë: me mirëbesim. Bona fide nuk do të thotë të heqësh dorë nga argumenti yt. Nuk do të thotë të mos kundërshtosh. Nuk do të thotë të mos përdorësh mjetet kushtetuese që të takojnë. Do të thotë të mos e përdorësh Kushtetutën kundër vetë Kushtetutës. Do të thotë të kuptosh se një normë kushtetuese nuk është pronë e atij që për momentin ka shumicën. Dhe mbi të gjitha, do të thotë të kuptosh se fitimi i një beteje politike përmes një interpretimi maksimalist mund të jetë humbje për të gjithë sistemin kushtetues. Në fund të fundit, demokracia nuk vdes vetëm kur shkelet Kushtetuta. Ndonjëherë ajo dobësohet edhe kur Kushtetuta respektohet në shkronjë, por tradhtohet në frymë. Pikërisht për ta parandaluar këtë duhet ta marrim shumë më seriozisht konceptin e interpretimit bona fide.

Autori është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës