Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka thënë se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese është garanci për sigurinë. Këto komente ajo i ka bërë gjatë një fjalimi në 17-vjetorin e themelimit të kësaj gjykate.
Ajo ka theksuar se Kushtetuta garanton që askush të mos jetë mbi ligjin dhe që pushteti të ushtrohet me përgjegjësi, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve.
Sipas saj, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është vetëm parim juridik, por garanci themelore për demokracinë, sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në institucione. Ajo theksoi se ky mision bëhet edhe më i rëndësishëm në kohë krizash politike, kur vihet në sprovë respektimi i parimeve kushtetuese.
“Ky mision bëhet edhe më i rëndësishëm në kohën e krizave politike, kur presioni mbi institucionet rritet dhe kur respektimi i parimeve kushtetuese bie në sprovë. Pikërisht në këto momente dëshmohet rëndësia e gjykatave të pavarura, ato garantojnë që ushtrimi i pushtetit të mbetet brenda kufijve të kushtetutës. Për Kosovën, si shtet i ri, Gjykata Kushtetuese ka një rëndësi të veçantë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, respektohen dhe nuk personalizohen pavarësisht efekteve të tyre politike. Përvoja e Gjykatës Kushtetuese, federale të Gjermanisë, e gjykatave të tjera evropiane, dhe ekspertiza e Komisionit të Venecias, përbëjnë një mundësi të çmuar për të diskutuar sfidat e përbashkëta për të thelluar dialogun juridik, dhe të përforcuar standardet e mbrojtjes së rendit kushtetues. Përvojat tona mund të ndryshojnë, por parimet që na bashkojnë janë të njëjta. Forca e një demokracie nuk matet me mungesën e kufijve të pushtetit, por me gatishmëri për të respektuar ato. Kur Kushtetuta është mbi pushtetin, të drejtat e qytetarëve janë më të sigurta, kur institucionet i nënshtrohen Kushtetutës, demokracia është më e fortë”, nënvizoi Shiroka-Pula.
Ndërkaq, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, tha se institucioni ka vendosur standarde të qëndrueshme në mbrojtje të identitetit kushtetues, duke garantuar respektimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe parimeve të modelit liberal.