Një politikane që ka gëzuar privilegje. Ajo i do përsëri privilegjet. Tani nën maskën e LDK-së.
Në romanin e famshëm të George Orwell-it, Ferma e Kafshëve, revolucioni fillon me idealizëm. Kafshët ngrihen kundër pronarit të tyre, z. Jones, sepse ai i shtyp dhe i shfrytëzon. Ai dhe lakejt përreth jetojnë në luks, kafshët punojnë dhe vuajnë. Revolucioni udhëhiqet nga derrat, nga Napoleoni, i cili udhëheq me idealet e barazisë, drejtësisë dhe çlirimit. Ai premton të ndërtojë një fermë më të drejtë, pa privilegje dhe pa shtypës. Kur pushteti përmbyset, derrat, si më të mençurit e kafshëve, gradualisht marrin kontrollin, krijojnë privilegje dhe bëhen po aq shtypës sa njerëzit që kishin përmbysur.
Shkrimtari anglez përdor Revolucionin Rus si alegori për të shpjeguar se si, kur idealet e mëdha nuk realizohen, ato degradohen dhe shndërrohen në diktatura. Revolucionarët që udhëhoqën të tjerët kundër padrejtësisë, privilegjit dhe arrogancës së pushtetit, me kalimin e kohës fillojnë të ngjajnë me vetë sundimtarët që kishin rrëzuar. Dhe në fund, askush nuk mund të bëjë dallimin midis revolucionarëve dhe elitës së vjetër.
Politika e Kosovës ka përjetuar vazhdimisht të njëjtin cikël. Shumë nga ish-‘revolucionarët’ kanë degraduar me kalimin e kohës. Vetëm diktatura mungon, të tjerët janë aty.
Diçka e ngjashme ndodhi me ish-presidenten Vjosa Osmani. Ajo u bë presidente duke valëvitur flamurin e “ndryshimit”. U përpoq shumë të ndërtonte identitetin e saj publik mbi narrativën e një politikaneje që lufton kundër establishmentit, atyre që, duke përdorur sloganin e sakrificës në luftë, kishin kapur shtetin dhe kishin krijuar privilegje politike dhe ekonomike. Në tregun tonë politik Vjosa shitej si antiteza e kësaj elite politike. Por sot, pas pesë vitesh në krye të shtetit, shumë prej nesh, si votues të zakonshëm, mund të bëjmë një pyetje që është plotësisht legjitime: a ishte sllogani për ndryshim thjesht një metodë për të hyrë në klubin e të privilegjuarve?
Si duket në politikë është normë. Kur politikani e shijon privilegjin për gjatë, privilegji i bëhet varësi. Dhe, është e dukshme. Ish-presidentja e ka shijuar në maksimum (si person dhe si familje) privilegjin që i kishte dhënë politika. Nga deputete, në kryetare të parlamentit, në presidente të vendit, ish-presidentja nuk ka qenë një figurë e krijuar jashtë sistemit politik të Kosovës. Është produkt i sistemit. Përfituese e tij dhe tani mbrojtëse e statusit që i ka dhënë pushteti. Kurrë nuk ka dashur të marrë përgjegjësi ekzekutive, ku pushteti i jep politikanit mundësinë të ndryshojë, të zgjidhë një problem. Në fund të fundit, pse të merrte përsipër përgjegjësi ekzekutive, aty ku rezultatet e punës mund të maten?
Por, gjatë karrierës së saj politike, ajo na ka treguar se e njeh mirë matematikën e politikës. Llogaritjet janë të dukshme edhe sot. Afrimi i saj sot me LDK-në, partinë që e kishte nokautuar pesë vjet më parë, veç si rikthim ideologjik nuk mund ta quajmë. Duket më shumë si një kthim në strehën natyrore të një klase politike që e njeh mirë mekanizmin e pushtetit; një parti që e njeh mirë mbijetesën përmes riciklimit.
Edhe Dimri i zgjatur politikKjo është industria politike e mashtrimit. Një industri ku politikanët shiten si “të rinj” edhe pse janë plakur në politikë; ku rebelët institucionalë, edhe kur bëhen elita të privilegjuara, vazhdojnë të flasin si viktima; ku ndryshimi përdoret si slogan elektoral, jo si projekt transformimi. Në Kosovën tonë të dashur, politika nuk e ka ndryshuar kurrë sistemin. Sistemi ka mbetur i njëjtë.
Vetëm menaxherët e privilegjit kanë ndryshuar. Dhe ndoshta ky është mashtrimi më i madh që na është shitur.
E, mashtrim nuk është ardhja në pushtet, por shitja e tij si një moral i ri.