Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në javët e fundit puna e saj është përballur me një fushatë baltosëse që, sipas saj, nuk ka të bëjë me kritikën apo llogaridhënien, por me përpjekje të qëllimshme për cenimin e dinjitetit njerëzor dhe dëmtimin e demokracisë.
Në konferencën hapëse të Javës së Gruas (WoW) 2026, Osmani ka thënë se kjo qasje përbën rrezik për demokracinë dhe është një mesazh i drejtpërdrejtë për gratë që synojnë të angazhohen në jetën publike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në javët e fundit, puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që për qëllim nuk e ka kritikën. Dhe nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është diçka tjetër. Shumë më e ftohtë, e krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor. Për ta kthyer në objekt. Për ta krahasuar me kafshët më të egra. Për ta zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara. Gënjeshtra që përsëriten aq shumë derisa dikujt mund t’i duken të vërteta. Imazhe që krijohen për të lënduar dhe për të shkatërruar vlerat më të larta njerëzore që e kanë mbajtur popullin tonë bashkë në kohët më të rënda. Fjalë që nuk synojnë debat, por shkatërrim dhe eliminim”, ka thënë ajo, transmeton EkonomiaOnline. “Dhe për këtë arsye duhet të flasim. Jo si viktima. Asnjëherë. Asnjëherë si viktima. Asnjëherë. Por si mbrojtëse të demokracisë. Vetëm si mbrojtëse të demokracisë. Sepse kur propaganda mund ta kthejë këdo në tradhtar brenda natës, kur e vërteta më s’ka aspak rëndësi, kur dinjiteti gjithnjë shndërrohet në dëm kolateral, atëherë e tërë demokracia është në rrezik”.
Presidentja ka theksuar se lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë është domosdoshmëri dhe jo luks, duke kërkuar institucione që nuk heshtin dhe mbajnë përgjegjës ata që, sipas saj, përdorin teknologjinë për propagandë dhe dezinformim.
“Dhe kërkon institucione që nuk heshtin. Kërkon që të mbajmë përgjegjës ata që përdorin teknologjinë dhe e shndërrojnë në propagandë, që shfrytëzojnë dezinformimin dhe që besojnë që narrativa e tyre mund të ruhet vetëm e vetëm nëpërmjet frikësimit. E një shoqëri që mësohet me një narrativë të tillë, e humb në tërësi, në tërësi e humb busullën morale. Mirëpo kjo nuk është luftë vetëm ndaj një personi. Është një mesazh i drejtpërdrejtë për secilën grua. Për secilën vajzë që mendon të hyjë në jetën publike. Është mesazhi që thotë se për gratë në politikë, ky është çmimi që do ta paguash. Apo edhe ndoshta më i lartë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kjo çështje nuk është më personale, por çështje e vetë demokracisë, duke paralajmëruar se ajo dobësohet gradualisht kur relativizohet e vërteta dhe kur shpifja shndërrohet në mjet kryesor.
Osmani ka thënë po ashtu se kur e ka marrë postin e presidentes pesë vjet më parë, për të ka qenë vetëm fillimi dhe jo kulmi i rrugëtimit politik.
“Pesë vite më parë kur e mora detyrën nuk e pash si kulm të rrugëtimin tim por si fillim. Ishte ai moment kur filloi përgjegjësia dhe pushtetin nuk e mora si privilegj por shërbim”, tha Osmani.
Presidentja në fillim të marsit nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pasi Kuvendi nisi procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri, por nuk pati kuorum. Osmani nuk ishte kandidate zyrtare edhe pse kishte shprehur ambicie.
Vendimi i saj u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria. Kushtetuesja pezulloi punën e Kuvendit dhe dekretin deri më 31 mars.
Pas dekretit, Presidenca e Kosovës raportoi se presidentja Osmani është kërcënuar me pushkatim. Rasti ishte iniciuar në autoritetet përkatëse.
LEXO EDHE: