Opinion

Vjosa Osmani, “status quoja” që askush s’e do, por të gjithë ia kanë nevojën!

Midis kostos së ngërçit institucional dhe frikës nga përçarja eventuale politike, rizgjedhja e Vjosa Osmanit po imponohet si kompromisi më i duhur dhe shumë më racional si për pushtetin absolut në ardhje, ashtu edhe për opozitën e hutuar dhe të frustruar

Sikur ta kombinonim aritmetikën parlamentare, dinamikën e pushtetit dhe logjikën e aktorëve, bashkë me apatinë e krijuar në shoqërinë kosovare, ekzistojnë gjasa reale për të kuptuar shanset e rizgjedhjes së Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës. Ajo çfarë dihet është se presidenti/ja zgjidhet me 2/3 e deputetëve (80 vota) në dy raundet e para, ose me 61 vota në raundin e tretë. Po ashtu, dihet nga përvoja e përzgjedhjes së ish-presidentëve/eve se asnjëri/ra nuk është ulur në këtë “karrige” – jo edhe aq formale sa mund të pretendojë dikush – pa një konsensus paraprak ndërpartiak.

Dhe krejt problemi këtu nuk ndërlidhet me cilësitë, as me përgatitjen, madje as me kriteret moralo-politike që eventualisht mund t’i posedojë kandidati/ja, por me vullnetin politik, që si eufemizëm nënkupton taksativisht “pazare” midis propozuesit dhe subjekteve të tjera politike që (s)duhet ta pranojnë këtë mënyrë. Pra, thënë më drejtpërdrejt: sa herë që është zgjedhur ndonjëri nga ish-presidentët, ndonjëri nga subjektet “periferike” ka përfituar diçka nga “kulaçi” qeverisës.

Në rastin e Vjosa Osmanit, si kandidate e VV-së, shtrohet pyetja jo se kush duhet ta përkrahë atë me vota dhe me prononcime publike nga katër subjektet aktuale parlamentare, por cilët janë ata faktorë që ia rrisin shanset Vjosa Osmanit për t’u rizgjedhur edhe një herë në postin e “kryeplakut/es së oxhakut” të shtetit të Kosovës? Dhe nëse tani  i numërojmë këta faktorë, do të mund të veçonim disa prej tyre që, sipas mendimit tim, kanë edhe “mbulesë” dhe argumente të forta. 

Njëri ndër ta, pa asnjë dyshim, është ai i imazhit dhe perceptimit të konsoliduar ndërkombëtar, të cilin znj. Osmani e ka ruajtur dhe e ka “mirëmbajtur” me një lloj xhelozie fanatike, sidomos kur kanë qenë në pyetje interesat e shtetësisë së Kosovës, por edhe kombit në përgjithësi. Një tjetër faktor që mendoj se duhet të merret parasysh është ai i indiferencës dhe sidomos i maturisë gjatë periudhës së “shizofrenisë politike”, apo ngërçit që arriti të polarizojë jo vetëm skenën politike, por edhe mbarë shoqërinë kosovare, duke mbajtur peng dhe duke paralizuar shumë institucione të shtetit. 

Vjosa, me qëndrimin e saj jopolarizues, arriti brenda vendit ta ruajë rejtingun e saj të lidershipit, ndërsa në arenën ndërkombëtare edhe ta rrisë atë. Faktor kyç në planin e brendshëm është fakti se ajo, në mënyrë konstante, për një pjesë të opozitës, dhe me qëllim të ruajtjes së balancave, por edhe të neutralitetit politik ashtu siç e parasheh Kushtetuta, mundohej të përfaqësonte një “status quo të menaxhueshme” për të gjithë, e jo një rrezik permanent.

Tani, meqë VV-ja është, si të thuash, promotore apo propozuesja e kandidaturës, duhet kuptuar se zëvendësimi i saj me ndonjë emër tjetër do të hapte, me siguri, konflikt të panevojshëm, do ta rrezikonte perceptimin pozitiv të krijuar ndërkombëtar dhe do ta forconte narrativën e ripërsëritjes së ngërçit dhe të përçarjes së pushtetit. Thënë më thjesht: LVV-ja humb shumë më tepër kredi, si brenda ashtu edhe jashtë, se sa opozita në rast të mosrizgjedhjes së Vjosës. Këtë konstatim e përforcon edhe argumenti tjetër se opozita, duke qenë ende e tronditur nga humbjet elektorale dhe duke mos pasur asnjë kandidat konsensual, çdo kandidaturë tjetër alternative mund ta interpretojë ose si interes partiak e jo shtetëror, ose si “instrumentalizim i simbolikës së luftës”. Nga kjo logjikë del se opozitës së tanishme shumë më tepër i leverdis ta përdorë rizgjedhjen e Vjosës si kompromis, sesa ta kontestojë pa arsye.

Së këndejmi, nga këndvështrimi dhe intuita ime sociologjike, në procesin e rizgjedhjes ajo do të hyjë si favoritja kryesore strukturore, jo për shkakun se e dëshiron këtë shumica absolute e spektrit politik kosovar, por për shkakun se zëvendësimi i saj me ndonjë emër tjetër, kushdo qoftë ai apo ajo, është më i kushtueshëm politikisht sesa rizgjedhja. Në këtë kontekst, as VV-së, as PDK-së, as LDK-së e as AAK-së nuk u konvenon ta ripërsërisin telenovelën e ngërçit dhe ta rimarrin sërish përsipër përgjegjësinë e ribllokadës eventuale. Pra, duket sheshi që midis kostos së ngërçit institucional dhe frikës nga përçarja eventuale politike, rizgjedhja e Vjosa Osmanit po imponohet si kompromisi më i duhur dhe shumë më racional si për pushtetin absolut në ardhje, ashtu edhe për opozitën e hutuar dhe të frustruar...