Shumë shpejt publiku do të ketë rastin të argëtohet me filmin e ri, “Adnan Kafazi”, i cili i takon zhanrit komedi, dramë dhe aksion dhe është vazhdim i dy filmave të kaluar, “Zonjusha” dhe Diamanti”.
Besart Sllaminiku, protagonist, skenarist dhe producent i këtij projekti, ishte i ftuar në studion e emisionit “Nëpër Film” për të ndarë hollësi rreth xhirimeve të filmit, temës që e trajton ky vazhdim i tretë, kastës së pasur të aktorëve dhe shumëçka tjetër.
Filmi i sjellë në ekran të madh personazhet, Vuça, Bulli, Zagi dhe Lina, tek kalojnë kohën më të mirë të jetës së tyre pasi edhe gjendjen financiare e kanë të tillë. Por gjithçka ndryshon kur del në pah personazhi i ri negative, Adnan Kafazi. Banda vendos të kthehet në Kosovë. Kur merret vesh se Adnani është shumë më i fortë, metoda e vjetër për të luftuar gangsterët nuk do të funksionojë dhe në këtë mënyrë rrezikojnë jetën e tyre.
Kasta e aktorëve në film përfshin emra të njohur të skenës si: Armend Baloku, Besart Sllamniku, Muhamed Arifi, Ylber Bardhi, Dukagjin Podrimaj, Edona Reshitaj, Armond Morina, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Xhejlane Tërbunja, Ernest Malazogu, Lulzim Bucolli, Edita Sllamniku, Blin Sylejmani, Arjanit Mermullaku, Rita Krasniqi e të tjerë. Kësaj here, kastës i janë bashkangjitur edhe dy aktore nga Shqipëria, Alesia Xhemalaj dhe Olimpia Smajlaj. Po ashtu, si mysafirë specialë, janë ftuar këngëtarët Dafina Zeqiri dhe Kastriot Rexha, i njohur si Majki.
Skenari i filmit është bashkëshkruar nga Besart Sllamniku, Lulzim Bucolli dhe Rita Krasniqi, kurse regjinë e ka bërë Genc Berisha.