Banda prej katër anëtarësh, në Meksikë kalon kohën më të mirë të jetës pas shitjes së diamantit për shtatë milionë dollarë. Brenda dy vjetësh mungese në vendlindje, kthehet udhëheqësi. Veprimtaria e tij është trafikimi me qenie njerëzore, përkatësisht gra. Protagonistët rrezikojnë jetën e tyre për të luftuar dukurinë negative në shoqëri dhe krejt historia mbërthehet në filmin “Adnan Kafazi”, që merr emrin e personazhit në rolin negativ.
Si vazhdimësi e ngjarjeve në filmat “Zonjusha” dhe “Diamanti”, të enjten është prezantuar filmi i metrazhit të gjatë “Adnan Kafazi”. Për dallim nga dy filmat paraprakë të zhanrit komedi dhe krim, ky i fundit përmban edhe më shumë dramë e aksion.
Në konferencën për media, të mbajtur mesditën e së enjtes në “Kino Armata” ekipi realizues dhe aktorët kanë shpalosur detaje për rrjedhën e punës në film, e asaj i ka paraprirë prezantimi i teaser-it. Brenda një minute janë përmbledhur pjesë disasekondëshe të skenave të ndryshme në film. Ata shfaqen duke diskutuar e shijuar jetën, argëtuar, rrahur e në përdorimin e armëve. Fenomeni i trafikimit të grave vihet në pah si dukuri që praktikohet e luftohet.
Me skenar të Besart Sllamnikut, Lulzim Bucollit e Rita Krasniqit dhe regji të Genc Berishës, filmi “Adnan Kafazi” vjen me personazhet Vuça, Bulli, Zagi dhe Lina tek kalojnë kohën më të mirë të jetës së tyre pasi edhe gjendjen financiare e kanë të tillë. Por gjithçka ndryshon kur del në pah Adnan Kafazi (Armond Morina).
Banda vendos të kthehet në Kosovë. Kur merret vesh se Adnani është shumë më i fortë, metoda e vjetër për të luftuar gangsterët nuk do të funksionojë dhe në këtë mënyrë rrezikojnë jetën e tyre.
Kasta e aktorëve në film përfshin: Armend Balokun, Besart Sllamnikun, Muhamed Arifin, Ylber Bardhin, Dukagjin Podrimajn, Edona Reshitajn, Armond Morinën, Arta Muçajn, Shkumbin Istrefin, Fatmir Spahiun, Xhejlane Tërbunjën, Ernest Malazogun, Lulzim Bucollin, Edita Sllamnikun, Blin Sylejmanin, Arjanit Mermullakun, Rita Krasniqin e të tjerë. Kësaj here, kastës i janë bashkangjitur edhe dy aktore nga Shqipëria, Alesia Xhemalaj dhe Olimpia Smajlaj. Po ashtu, si mysafirë specialë, janë ftuar këngëtarët Dafina Zeqiri dhe Kastriot Rexha, i njohur si Majki.
Xhirimet e filmit kanë filluar në qershorin e këtij viti dhe kanë përfunduar në shtator.
Producenti e skenaristi, Besart Sllamniku, ka thënë se plani për filmin ka qenë që xhirimet të fillojnë dy vjet më parë, por që ka pasur një “konflikt” në kohë me një pjesë të ekipit. Sllamniku ka thënë se filmi ka ardhur si rezultat i suksesit të dy filmave paraprakë dhe sidomos filmit “Diamanti”.
Ka bërë të ditur po ashtu se filmi do ta ketë premierën këtë janar në të gjitha trevat shqiptare.
“Besojmë se këtë film, bashkërisht me ekipin, e kemi ngritur në një nivel më lartë se dy filmat e parë. Kanë lidhshmëri, por për ata që nuk i kanë parë, mos u dekurajoni ta shikoni në janar, kur do ta ketë premierën. Kësaj here jemi munduar ta plotësojmë me disa vija dramaturgjike, duke ditur se filmat paraprakë e kanë pasur vetëm nga një vijë, vetëm një tregim. Kësaj here jemi munduar të trajtojmë më shumë se dy tregime, që është një pasuri dramaturgjike”, ka thënë Sllamniku derisa filmin e ka konsideruar të plotësuar sa u përket zhanreve që u takon.

“Një gjë shumë e rëndësishme që dua të them është se përveç anës argëtuese që e kemi pasur në dy filmat e parë, në ‘Adnan Kafazi’ kemi trajtuar edhe disa elemente që janë si fenomene negative në shoqërinë tonë, si trafikimi i qenieve njerëzore”, ka shtuar ai.
Filmin “Adnan Kafazi” e ka konsideruar më të zgjeruar edhe regjisori Genc Berisha.
“Kemi kaluar shumë mirë në film, përveç anës tjetër, asaj artistike që veç ia kemi marrë dorën e kemi punuar. Është zgjeruar ekipi, kasta e aktorëve, ekipi prapa kamerës. Edhe teknikisht jemi në një nivel më lartë se dy filmat e kaluar. Ma merr mendja se do t’u pëlqejë shumë”, ka thënë ai.
Aktorja e këngëtarja, Edona Reshitaj, ka thënë se numri i femrave është më i madh, jo pa arsye.
“Filmi vjen deri te një përfundim, ndoshta feminist, për ta kuptuar më në fund burrat se ata nuk dinë t’i zgjidhin problemet dhe duhet patjetër t’i kenë ato për t’i zgjidhur. Kështu që Dafina ka pasur ta luajë një rol që nuk ka pasur shumë kohë dhe i kemi dhënë një rol që e ka përfunduar brenda ditës dhe ka bërë një punë shumë të mirë”, ka thënë Reshitaj.

Aktualisht filmi është në fazën e postproduksionit si bashkëprodhim mes shtëpive filmike: “A&G Production”, “RED RENTAL Film House” dhe NiftyFiftyLens Production”. Skenograf është Florian Kllokoqi, skenografe Edona Reshitaj, për muzikën Trimor Dhomi dhe drejtor i fotografisë është Rron Ismajli.
Aktori Armond Morina ka thënë se në periudhën e para luftës është ëndërruar të ketë filma të zhanreve të ndryshme dhe tashmë janë duhet të përfshihen të gjitha llojet brenda artistikes.
“Fatmirësisht Kosova po e zhvillon kinematografinë, edhe të pavarur edhe të mbështetur nga Qendra Kinematografike. Mirëpo, tash duhet të liberalizohet ideja e kësaj se çfarë quhet ‘entertainment’ apo argëtuese. Sot do t’u bënim thirrje kinemave dhe rrjeteve për të pasur shtrirje. Tashmë kushtet janë më të mira, mirëpo do të ishte e duhura që salla për produkte vendore të mos paguhej, siç është ekzistuese 50/50, pasi ajo është ndihmesë për producentët të kenë prodhim”, ka thënë ai.
Aktorja Arta Muçaj e ka vlerësuar projektin filmik si të bukur, përkundër se nuk ka qenë i financuar nga institucioni përkatës i shtetit.
“I përgëzoj të gjithë për këtë film, shpresoj të ketë shumë sukses. Edhe pse është komplet i financuar privatisht, nuk kemi të bëjmë me shtetin, kështu që besoj se ka dalë një gjë e bukur, kështu që suksese”, ka thënë ajo.