Kulturë

“Adnan Kafazi” me fund tragjik, nis kapitullin e ri në kinema

Ka bashkuar jo pak aktorë të njohur teatri e filmash artistikë, në rrëfimin filmik për t’ia lidhur kryet historisë e të bëmave të gangsterëve, që nisi me “Zonjusha” e “Diamanti”. “Adnan Kafazi” tashmë ka mbërritur në kinema me premierën kaherë të paralajmëruar dhe ekipi është kujdesur goxha edhe në marketing. Fundi i filmit është tragjik. Në mes e kudo ka dhunë, drama, aksion e komedi. Se çfarë ndodh më tej, i mbetet publiku ta zbulojë nëpërmjet ekranit të madh

Adnani me fëmijëri të zorshme e baba të dhunshëm bëhet gangster. Merr në kontroll gjithë “Qytetin e Madh”. Gangsterë janë edhe Vuça (Armend Baloku), Bulli (Besart Sllamniku) dhe Zaki (Muhamed Arifi). Të tre ndodhen në Meksikë për t’u bindur të kthehen në Kosovë nga mashtrimi që Qoqa (Dukagjin Podrimaj) ua bën me historinë e Adnanit (Armond Morina). I gënjen se në mesin e personave që ai i mban të mbyllur e i trafikon janë edhe familjarë të Vuçës e të Zakit. Pasi të lirohen nga Katarina (Dafina Zeqiri), treshja merr rrugë për në Kosovë. Lina (Ylber Bardhi ) është me ta kudo. Me ardhjen e tyre në Kosovë vijnë edhe sfidat për realizimin e planit. Synojnë ta rrëzojnë Adnan Kafazin. Edhe brenda grupit të tyre ka mosmarrëveshje, të cilat disi mbesin pezull përgjatë tërë filmit. Fundi është tragjik. Në mes e kudo ka dhunë, drama, aksion e komedi. Se çfarë ndodh më tej, i mbetet publiku ta zbulojë nëpërmjet ekranit të madh. “Adnan Kafazi” tashmë ka mbërritur në kinema. Të enjten mbrëma në “Cineplexx” të Prishtinës ka pasur premierën kaherë të paralajmëruar dhe ekipi është kujdesur goxha edhe në marketing.

Nën regji të Genc Berishës, “Adnan Kafazi” kompleton trilogjinë, që nisi me “Zonjusha” dhe “Diamanti”. Ka nivel në realizim përkundër faktit që është film komercial. Dhuna e vrasja “zbuten” me komedi. Këtë synon t’ia veçojë audienca.

Si finalizim të një pune trevjeçare e ka quajtur filmin producenti e aktori në filmin “Adnan Kafazi”, Besart Sllamniku. Tok me Lulzim Bucollin e Rita Krasniqin nënshkruajnë edhe skenarin. Ka thënë se u është mirënjohës anëtarëve të ekipit, që pa e ditur për suksesin që filmi do ta arrijë, u pajtuan që t’i bashkohen nismës së tij dhe të Genc Berishës.

“Kjo çka patë sonte është një finale të cilën tash e tre vjet jemi duke e bërë me krejt këtë ekip që është këtu. Pandemia dhe disa elemente të tjera na kanë shtyrë që ta bëjmë tek në 2022-tën dhe unë po shpresoj në emër të ekipit, produksionit, regjisorit, aktorëve t’i falënderoj këtu sepse nuk e kam pasur rastin që t’i falënderoj. Po shpresoj që kemi bërë një punë të mirë, me një filmin të cilin që nga fillimi e kemi pasur qëllim që ta bëjmë një film argëtues”, ka thënë Sllamniku, në konferencën për media një ditë para premierës me mysafirë, të ftuar e me ekipin nëpër tapetin e kuq.

Për dallim nga dy filmat e parë, kastës të së tretit iu shtuan edhe shumë aktorë të tjerë. Kjo i përshtatet shumë skenarit dhe mesazhit që synojnë ta përcjellin. Atë të fuqizimit të grave. Madje gratë luajnë rolin thelbësor që historia e Adnan Kafazit përfundon ashtu siç përfundon.

Aktorja Edona Reshitaj, e cila e luan rolin e Uma T, ka folur për rolin e grave në film, përtej kuptimit kinematografik.

“Kjo është e mira e kësaj se po besoj që te secili e ka përçuar këtë mesazh. Puna e dhunës edhe gjërave të tjera që janë paraqitur në film janë për të treguar që një kriminel përfundimin e ka tragjik. Sigurisht që ai kriminel do të ushtrojë dhunë edhe gjëra të tjera negative, por përfundimi është tragjik. Ndërsa sa i përket fuqizimit të gruas është një prej synimeve që e ka pasur filmi për shkak se në dy filmat e parë kemi pasur mungesë të gjinisë femërore, kështu që është fuqizuar edhe roli i tyre si aktore, edhe prezenca e tyre në film”, ka thënë Reshitaj.

Ende pa u publikuar, për filmin pati jo pak komente. Disa prej tyre qenë ai për gjuhën e përdorur në film e deri tek ai për të si film komercial, gjë që ekipi nuk pretendon ta kategorizojë ndryshe.

Dukagjin Podrimaj ka thënë nuk ka asgjë të gabuar nëse një produkt prodhohet me qëllim që të shitet.

“Gjithmonë projektet e tilla janë për me e zhvillu industrinë e filmit argëtues, sepse ne po e keqkuptojmë nganjëherë punën e filmit komercial. Po, ky është një film komercial në kuptimin e mirë të fjalës sepse komercial po themi gjithçka që shitet. Nuk ka asgjë të keqe nëse shitet diçka”, ka thënë Podrimaj.

Për film komercial ka folur edhe Armond Morina, i cili shembull e mori mungesën e kinemave nëpër shumë qytete të Kosovës. Sipas tij, kjo është pengesë në zhvillimin e kinematografisë dhe realizimin e filmave të rinj.

“Nuk kemi kinema në Gjilan, në Ferizaj. Në rast se ne fillojmë ta tërheqim publikun është problem. Një film nëse ka profit e bën filmin e dytë, të tretë e kështu me radhë. Ideja është që nëpërmjet subvencionit me i ndihmu, e subvencioni ka hapësirë shumë në ligj”, ka thënë Morina.

Për gjuhën e përdorur në film të gjithë aktorët pohuan se është pasqyrim i asaj që shoqëria kosovare përdor në përditshmëri.

Trilogjia “Zonjusha”, “Diamanti” dhe tash “Adnan Kafazi” – që shtrihen në aksion, triller, dramë e komedi – skenat e përgjakshme kanë një tis prej Qunetin Tarantinos. Uma T mban emrin një prej personazheve kryesore në filmin “Adnan Kafazi”, e Uma Thurman është aktorja e Hollywoodit, e cila është protagoniste në disa filma të regjisorit të njohur për stilizimin edhe të dhunës.

Besart Sllamniku ka thënë se gjejnë inspirim te Tarantino.

“Vetëm dy për qind ta di se kemi ngjashmëri me filmat e Tarantinos, unë dhe po besoj e tërë kasta ndahemi të kënaqur me punën që e kemi bërë”, ka thënë ai.

prej Hollywoodit synoi edhe me ceremoninë e premierës. Qe afër asaj që në kushtet vendore mund i afrohet glamurozes. Ndonëse në një hapësirë të vogël, aktorët protagonistë të filmit u bënë tok me kolegët e filmdashësit për ta shënuar publikimin premierën e filmit. Pati edhe blice, pozime e cakërrim gotash.

Pas premierës në Prishtinë, filmi “Adnan Kafazi” do të shfaqet edhe në ato qytete që kanë kinema, si në Prizren, në kinemanë “Hyrije Hana” në Gjakovë. Do të udhëtojë në fillim të marsit në Shkup, e më pas edhe në Zvicër, Austri e Gjermani.