Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: Komuna s’ka pasur ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Komuna e drejtuar prej tij e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë dhe, rrjedhimisht, siç thotë ai, nuk ka pasur ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë.

Të hënën dhe të martën qytetarë të shumtë reaguan nëpërmjet rrjeteve sociale pasi tatimi në pronë për vitin 2023 u erdhi me dyfish të vlerës në krahasim me tatimin në pronë të një viti më herët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Komunat kanë fajësuar Ministrinë e Financave për vlerësimin e ri të pronave, ndërsa Murati në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike ka thënë se me këtë vlerësim “komunat kanë qenë të pajtuara”.

Por Rama mohon se ka pasur gisht Komuna në rritjen e faturës.

“Që prej dje kam marrë shqetësime të arsyeshme nga ju në lidhje me ngritjen e çmimeve të tatimit në pronë. Për të evituar hutinë e shkaktuar nga deklaratat e nxjerra deri më tash, dëshiroj ta bëj më se të qartë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit, të cilët janë ata që direkt preken nga ky proces. Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njejtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë”, ka shkruar Rama në Facebook.

“Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Prandaj, ju siguroj se Kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhur si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave”, thuhet tutje në sqarimin e kreut të Prishtinës.