Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar propozimin e tij për falje të tatimit në pronë për vitin 2023.
Ai ka propozuar që të falet çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro.
“Pra, nëse një pronë ka pasur tatimin 50 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 70 euro, atëherë falja do të jetë 20 euro. Nëse një pronë ka pasur tatimin 120 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 300 euro, atëherë falja do të jetë 100 euro”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ky propozim sipas tij do t’u ndihmojë të gjithë qytetarëve të Prishtinës dhe nuk do të dëmtojë qëndrueshmërinë buxhetore të kryeqytetit. “Njëherësh, nuk do të cenojë mundësinë e zhvillimit dhe transformimit të mirëfilltë të kryeqytetit për të mirën e të gjithëve, prandaj lus secilin asambleist, pa dallim, që në seancën e radhës të votojë PËR!”, ka shkruar Rama.
Të hënën Komuna e Prishtinës ka njoftuar se më 07.12.2023, e enjte, në ora 15:00, në sallën e Kuvendit Komunal të kryeqytetit, do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, me vetëm një pikë të rendit të ditës, e cila është "Propozim-vendimi për faljen e tatimit në pronë për pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023”.