Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Nga javë në orë - teknologjia e re që përshpejton diagnostikimin e tumoreve të trurit

tumori

Një test i ri dhe i shpejtë për tumoret e trurit, që ka nisur të përdoret nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor britanik, NHS, mund ta shkurtojë kohën për një diagnozë të saktë nga gjashtë deri në tetë javë, në vetëm dy orë.

Testi përdoret për të përcaktuar llojin e tumorit dhe pritet t’u mundësojë pacientëve të nisin më shpejt trajtimin, përfshirë radioterapinë dhe kimioterapinë, duke u kursyer atyre javë të tëra pasigurie.

Steve Palmer, 55 vjeç, nga Nottinghami, është një nga pacientët që ka përfituar nga teknologjia e re. Në rastin e tij, kirurgët morën rezultatin derisa ai ishte ende në sallën e operacionit, ku po i hiqnin tumorin.

“Diagnostikimi kaq i shpejtë më hoqi javë të tëra ankthi”, tha ai për BBC-në.

“NHS England” bëri të ditur se testi gjenomik, i cili analizon me shpejtësi kodin gjenetik të një kampioni të tumorit, do të pilotohet në qendra të specializuara në Angli.

Ekzistojnë rreth 150 lloje të ndryshme të tumoreve të trurit, nga ato që rriten ngadalë deri te kanceret agresive, të cilat mund të reagojnë ndryshe ndaj trajtimit.

Steve u diagnostikua me tumor në tru pasi u rrëzua në palestër. Testi zbuloi se ai kishte glioblastomë të shkallës së katërt.

“Nuk ishte rezultati që doja të dëgjoja, por tani mund të vazhdoj me fazën tjetër të trajtimit dhe rikuperimit dhe të përballem me atë që kam përpara”, tha ai.

Neurokirurgu Stuart Smith, i cili drejtoi operacionin në Qendrën Mjekësore Queens në Nottingham, e përshkroi testin si diçka “pothuajse magjike”.

“Diagnoza e tumoreve të trurit kërkon analiza molekulare dhe gjenetike, por marrja e informacionit të plotë mund të zgjasë gjashtë deri në tetë javë. Këtu, kjo bëhet ndërsa ne jemi ende duke operuar”, tha Smith.

Përcaktimi i llojit të tumorit gjatë operacionit mund të ndikojë edhe në mënyrën se si kryhet ndërhyrja. Për disa lloje tumoresh që mund të kurohen, kirurgët duhet të heqin sa më shumë tumor që të jetë e mundur. Ndërsa në rastet kur tumori është tepër agresiv, ata mund të tregohen më të kujdesshëm për të ulur rrezikun e dëmtimit të trurit.

Testi funksionon duke dërguar në laborator mostra të vogla indi të marra nga tumori. Ato përgatiten për t’u analizuar në një pajisje për sekuencimin gjenetik, në madhësinë e një kutie këpucësh, të prodhuar nga “Oxford Nanopore”.

Pajisja përdor një softuer të zhvilluar nga Universiteti i Nottinghamit në bashkëpunim me mjekët e spitaleve. Molekulat e ADN-së kalojnë përmes një nanopore, një vrimë mikroskopike, duke zbuluar gjurmën unike gjenomike të tumorit.

Në rastin e Stevet, vetëm 20 minuta pasi pajisja nisi analizën, ekipi i neuropatologjisë telefonoi në sallën e operacionit për të njoftuar se tumori kishte shumë gjasa të ishte glioblastomë.

Simon Paine, neuropatolog, tha se testi gjenomik përbën një ndryshim të madh krahasuar me atë që mund të përcaktohet vetëm duke parë qelizat tumorale nën mikroskop.

“Mund të bëj një parashikim dhe, në një ditë të mirë, mund të jem mjaft i saktë, por nuk krahasohet me qartësinë që ofron nanopori, i cili jep një klasifikim të plotë molekular”, tha ai.

Më shumë se 12 mijë njerëz në Britani diagnostikohen çdo vit me tumor primar të trurit. Kjo sëmundje është shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri te fëmijët dhe te të rriturit nën moshën 40 vjeç.

Drejtoresha mjekësore e NHS-së, profesoresha Frankie Swords, tha se për pacientët me dyshime për tumor në tru, pritja me javë për një diagnozë mund të jetë veçanërisht e vështirë për ta dhe familjet e tyre.

Ajo e përshkroi testin e ri si një zhvillim që mund të ndryshojë mënyrën e diagnostikimit të tumoreve të trurit, duke bërë të mundur që rezultatet të merren brenda ditësh, në vend të javësh.

Sipas saj, diagnoza më e shpejtë mund t’u mundësojë pacientëve të nisin më herët trajtimin e duhur ose të kenë qasje më të shpejtë në provat klinike. Në disa raste, ajo mund t’u japë kirurgëve informacion të rëndësishëm për vendimet që duhet të marrin ndërsa pacienti ndodhet ende në sallën e operacionit.

Në një intervistë për BBC Breakfast, Swords e cilësoi skemën pilot si zhvillimin e parë në botë, duke thënë se asnjë shërbim tjetër shëndetësor nuk po e zbaton këtë teknologji në mënyrë të koordinuar në disa spitale.

Pilotimi nga NHS England do të përfshijë pesë qendra të specializuara në Nottingham, Birmingham, Londër dhe Newcastle. Më vonë, projekti do të zgjerohet edhe në qendra në Bristol, Oxford, Leeds dhe Manchester.

Projekti bazohet në një nismë të mëhershme që tashmë po zbatohet në Nottingham dhe Birmingham.

Edhe profesoresha Dame Sue Hill, drejtuese shkencore e NHS-së në Angli dhe përgjegjëse për programin e gjenomikës, tha se testimi i shpejtë gjenomik mund të shkurtojë ndjeshëm pritjen për një diagnozë dhe, në disa raste, t’u japë kirurgëve informacion jetik para përfundimit të operacionit.

“Ambicia jonë është të krijojmë dëshmitë e nevojshme që ky testim të bëhet pjesë e kujdesit rutinë të NHS-së, në mënyrë që pacientët në të gjithë vendin të përfitojnë njësoj nga një diagnozë më e shpejtë dhe më e saktë”, tha ajo.

Stuart Smith shtoi se për pacientët kjo do të nënkuptojë jo vetëm marrjen më të shpejtë të rezultateve dhe trajtimit, por edhe qasje më të shpejtë në provat klinike, falë profilit të plotë gjenetik të tumorit.