Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Prishtinës i rekomandon Qeverisë që tatimi në pronë të jetë si në vitin 2022

Përmes një propozimi të kryetarit Përparim Rama, Komuna e Prishtinës të martën i ka rekomanduar Qeverisë dhe Kuvendit që fatura e pagesës së tatimit në pronë të jetë e njëjtë sikur në vitin 2022. Me 30 vota pro, kaluan edhe dy rekomandime të tjera të Ramës në lidhje me tatimin në pronë që do t'i drejtohen institucioneve shtetërore. 

Rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave javën e kaluar nxiti reagime të shumta në opinion. Në disa zona, veçanërisht në kryeqytet, tatimi në pronë u rrit për 100 për qind. Pas reagimeve, ministri i Financave, Hekuran Murati, e më pas Lëvizja Vetëvendosje, rekomanduan që t’u falen nga 100 euro tatimpaguesve.

Ky rekomandim nxiti debat të madh në mbledhjen e sotshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, pas propozimit për falje të 100 eurove nga shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla.

"Kemi të bëjmë me një ligj që parasheh rivlerësimin e pronave. Prandaj po kërkojmë subvencionimin e qytetarëve me këto mjete pasi kemi qëlluar në kohë të vështira", ka thënë Sveçla.

Por këtë e kundërshtuan grupet tjera të asamblistëve dhe nuk mori votat e mjaftueshme.

Edhe Prishtina miraton faljen e tatimit në pronë, por jo më shumë se 75 euro Arbëri Prishtina miraton faljen e tatimit në pronë, por jo më shumë se 75 euro

Nga LDK-ja, asamblisti Amir Simnica ka thënë se një nismë e tillë nuk është në rregull pasi për këtë fajtor nuk është komuna, por qeverisja qendrore.

Ndërsa, bartësi i listës së asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri ka thënë se kjo kërkesë është joligjore, duke bërë thirrje që raporti të kthehet në Kuvend dhe Ministria e Financave të bëjë rivlerësimin e pronave.

"Ky është propozim joligjor nga zëdhënësi i Hekuran Muratit në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Është diskriminues. Në lagjet luksoze të ulet norma e tatimit, ndërsa në lagje rreth qendrës të rritet mbi 100 për qind. Raporti duhet të kthehet, të shkojë në Kuvend dhe Ministria e Financave të marrë vendim për rivlerësimin e pronave", ka thënë Retkoceri.

Propozimin e VV-së e kundërshtoi edhe AAK-ja e AKR-ja, të cilët thanë se duhet të gjendjet një zgjidhje më e mirë për të ndihmuar qytetarët.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se duhet të ndihmohen njerëzit me skemë sociale dhe të papunët. Më pas, me 30 vota pro, kaluan tri rekomandimet e Ramës për tatimin në pronë. 

Sipas rekomandimit të kreut të Prishtinës, mbledhja e tatimit në pronë sipas vlerësimit të ri të kryer nga Ministria e Financave të fillojë nga data 1 janar 2024, përmes ndryshim/plotësimit të Ligjit për Tatimin në Pronë.

Edhe Rama publikon propozimin për falje të tatimit në pronë, pritet të votohet të enjten Arbëri Rama publikon propozimin për falje të tatimit në pronë, pritet të votohet të enjten

Rekomandimi i dytë është që ndryshimi i Ligjit për Tatimin në Pronës, sipas pikës 1 të këtij propozimi, ia mundëson kryeqytetit që gjatë vitit 2023 të faturojnë dhe mbledhin tatimin në pronë sipas vlerave të faturimit të vitit 2022.

Ndërsa, rekomandimi i tretë është se Qeverinë e Kosovës t’ua falë qytetarëve deri në 100 euro për tatim në pronë. Propozimi për 100 euro ndihmë duhet të vijë si subvencion nga Qeveria, sipas rekomandimit të Ramës.