Arbëri

NPB-ja rrënon tërësisht lokalet e qendrës së vjetër zejtare, punët i quan “rinovim”

Descriptive Text

Ishin ndërtuar afro gjysmë shekulli më parë. Lokalet në të cilat operonin mbi 40 zejtarë të ndryshëm në Lagjen e Muhaxherëve, tani po rrënohen nga Ndërmarrja Publike Banesore.

Projekti i ndërmarrjes komunale nuk po përkrahet nga shfrytëzuesit, megjithëse pohojnë nevojën për intervenim.

Neshet Nushi, i cili për 47 vjet me radhë ka një dyqan të pastrimit kimik në rrugën “Adrian Krasniqi”, frikësohet se fati i tyre do të jetë i ngjashëm me zejtarët që ushtronin veprimtaritë e tyre përreth Katedrales, të cilët nuk u rikthyen më asnjëherë në atë vend.

“Ka tri javë që na kanë larguar. Edhe ky largim është bërë me një njoftim me shkrim që duhet t’i lironi lokalet, të gjitha makinat dhe veglat e punës t’i largoni se do të bëhet rinovimi i lokaleve. Kërkesa jonë ishte se ne nuk kemi asgjë kundër rinovimit, por të pritet deri në pranverë. Pse kjo është ngut të bëhet para zgjedhjeve, sepse ndoshta dikush s’ka mund t’i fitojë zgjedhjet dhe s’ka mund t’i përfundojë punët që i ka nis. Është mëkat i madh për 250 familje, pronarë dhe të punësuar. Kemi një përvojë jo të mirë nga rasti i zejtarëve te Lagjja Pejton te Katedralja, ku ato u kthyen në dyqane të mëdha”, ka thënë Nushi.

Ai shprehet se ata nuk morën asnjë vërtetim dhe se këtu ka punë për hetuesinë.

“Çfarë vendimi, një njoftim as pa emër, një njoftim të përgjithshëm, secili nga një kopje dhe asgjë më shumë. Institucionet e hetuesisë duhet ta shohin se çka është serioze dhe çka po manipulohet. Ne kemi shumë dyshime, urojmë të realizohet, por me këta hapa me nga 2-3 punëtorë nuk kanë arritur as çerekun e dyqaneve të rinovojnë”, shtoi ai.

Por ndonëse objektet janë kthyer në gërmadha, NPB-ja rrënimin e tërësishëm vazhdon ta quajë rinovim i cili, sipas tyre, do të zgjasë 3 muaj.

“Sa u përket objekteve apo pasurive komerciale të Ndërmarrjes Publike Banesore, afër Ministrisë së Arsimit, ju njoftojmë që aty NPB ka filluar implementinin e një projekti për rinovimin e atyre lokaleve apo pasurive komerciale. Rinovimi i lokaleve në fjalë është bërë me të vetmin qëllim, mundësimin e kushteve më të mira për ushtrimin e veprimtarive të ndryshme në to. Përfundimi i punëve të rinovimit, sipas kontratës së lidhur me operatorin ekonomik, do të përfundojë në afat prej jo më shumë se 90 ditësh. Vlen të theksohet se këto objekte pasi që të rinovohen do të kthehen prapë tek të njëjtët qiramarrës, të cilët gjatë procesit të rinovimit nuk do të faturohen për qira. Gjithashtu ju njoftoj që qiramarrësit aktualë janë njoftuar dy muaj më herët për fillimin e projektit për rinovimin e lokaleve ku ata veprojnë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për media të NPB-së.

NPB kohëve të fundit po përballet me akuza të shumta nga Vetëvendosje edhe për projektin e ndërtesës milionëshe, të cilën parashikojnë ta ndërtojnë në hapësirën që ndodhej objekti i tyre në lagjen “Lakërishte”.

Egzon Azemi nga Vetëvendosje ka bërë thirrje për një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal për NPB-në. Ai e akuzon ndërmarrjen publike të Komunës së Prishtinës se njëra nga kompanitë e përzgjedhura për projektin 200-milionësh është hapur vetëm një ditë para se të fitonte në këtë aplikim.

“Ndryshimi i Rregullores së ndërmarrjes, humbja e pronës në emër të marrjes së disa lokaleve, akt noterial i paligjshëm, marrja e lejeve pa dokumentacion të plotë, pagesa milionëshe për leje nga NPB për pronën dhe objektet që tentonin t’ua transferonin kompanive të përzgjedhura në mënyrë shumë të dyshimtë. Një nga kompanitë e përzgjedhura për këtë projekt 200-milionësh është hapur vetëm një ditë para se të fitonte në këtë aplikim. Kjo ka mjaftuar që të nisin hetimet dhe të ndalet. Kjo kompani që është themeluar vetëm një ditë më herët se të konkurronte ka fituar dhe ka nënshkruar kontratën me NPB”, ka thënë Egzon Azemi, anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Ndryshe, ditë më parë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e drejtuar nga Liburn Aliu, ka ndaluar punimet e rrënimit të objektit të vjetër të NPB-së, pas protestës së banorëve, të cilët pretendonin se po rrezikoheshin nga përmbajtja e azbestit.