Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, ka mbërritur të premten në Korenë e Veriut, në vizitën më të fundit nga një zyrtar i lartë rus në shtetin e izoluar, ka shkruar Reuters.
Sipas mediumit shtetëror verikorean (KCNA), vizita e Lavrovit që planifikohet të zgjasë deri të dielën, përfshin edhe një takim ndërmjet ministrave të Jashtëm të të dyja vendeve.
Vizita e tij përfaqëson takimin më të fundit në nivel të lartë mes dy vendeve, në kohën kur bashkëpunimi strategjik mes Rusisë dhe Koresë së Veriut po përjeton përafrim dhe thellim të pashembullt, duke përfshirë tashmë edhe paktin e ndërsjellë të mbrojtjes.
Shërbimi i inteligjencës së Koresë së Jugut ka njoftuar se Koreja e Veriut mund të jetë duke u përgatitur për të dërguar trupa shtesë në Ukrainë gjatë muajve të verës, krahas dërgimit të mëparshëm të mbi 10,000 ushtarëve për të luftuar përkrah Rusisë.
Ndër të tjera, Koreja e Veriut ka rënë dakord po ashtu të dërgojë 6,000 inxhinierë ushtarakë dhe punëtorë krahu për të ndihmuar në rindërtimin e rajonit rus të Kurskut, ku forcat ukrainase kishin thyer kufirin përmes ofensivës së rrufeshme në vitin 2024.
Agjencitë ruse të lajmeve kanë raportuar njëkohësisht për mbërritjen e Lavrovit, teksa kanë bërë të ditur se pas vizitës së tij në Korenë e Veriut, kryediplomati i Kremlinit pritet të udhëtojë drejt Kinës për të marrë pjesë në takimin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait, i cili do të mbahet të hënën dhe të martën e ardhshme.
Lavrov takohet me homologen verikoreane, Pyongyangu rikonfirmon mbështetjen për Rusinë
Kryediplomati rus, Sergei Lavrov, është takuar të shtunën me homologen e tij verikoreane, Choe Son Hui, në qytetin bregdetar të Wonsanit, gjatë së cilës Pyongyangu zyrtar ka rikonfirmuar mbështetjen e tij për veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, ka raportuar agjencia e lajmeve ruse TASS.
Lavrov u nis nga kryeqyteti malajzian i Kuala Lumpurit të premten, pas takimit të ministrave të Jashtëm të organizatës rajonale ASEAN, duke mbërritur të njëjtën ditë në Wonsan të Koresë së Veriut, vendpushim e ri bregdetar, por gjithashtu i njohur për objektet e tij raketore dhe detare.
Vizita e Lavrovit është takimi më i fundit në nivel të lartë mes dy shteteve, teksa ato po e forcojnë bashkëpunimin strategjik, që tani përfshin edhe një pakt të ndërsjellë të mbrojtjes.
“Ne shkëmbyem mendime rreth krizës në Ukrainë… Miqtë tanë koreanë konfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për të gjitha objektivat e operacionit special ushtarak, si dhe për veprimet e udhëheqjes dhe forcave të armatosura ruse”, është cituar të ketë thënë Lavrov.
TASS ka raportuar më tutje se resorti i ri bregdetar në Wonsan mund të tërheqë turistë rusë drejt Koresë së Veriut, duke përmendur linjën e trenave të drejtpërdrejtë nga Moska në Pyongyang dhe projektin për ndërtimin e një ure mbi lumin Tumen, i cili ndodhet në kufirin mes Koresë së Veriut, Kinës dhe Rusisë.
Në TASS kanë cituar gjithashtu zëvendësministrin e Jashtëm rus, Andrei Rudenko, të ketë thënë se delegacione të tjera të nivelit të lartë do ta vizitojnë Korenë e Veriut më vonë gjatë këtij viti.
Rudenko ka theksuar se marrëveshja për partneritet strategjik “përmbush qartë nevojat që kanë ndryshuar gjatë dekadave të fundit si dhe i forcon marrëdhëniet tradicionalisht miqësore dhe fqinjësore ruso-koreane, duke i ngritur ato në nivel të ri”.