Arbëri

Projektet e dështuara të Shpend Ahmetit, premtim i kandidatëve

Garuan për të parin e Prishtinës me programet që synonin ndryshimin e jetesës së qytetarëve.

Projektet e të gjithë kandidatëve për kryetar të Prishtinës përmbanin pika të shumta e që secili nga ta patën hapësirë të mjaftueshme për t’i shpalosur ato gjatë fushatës para zgjedhjeve të 17 tetorit.

Premtimi për realizmin e rrugës A, u bë nga të gjithë kandidatët, mbase se si zotim nuk u realizua kurrë nga kryetari Shpend Ahmeti.

Megjithatë, drejtori për Investime Kapitale, Gëzim Mehmeti, i cili gjithashtu ishte kandidat për kryetar të komunës, thotë se kjo rrugë veçse është iniciuar dhe është çështje kohe fillimi i ndërtimit të saj.

Së bashku me rrugën A unazat e përmendura me dekada e premtuan sërish kandidatët.

Disa nga kandidatët premtuan Qendër të Mjekësisë Familjare në Veternik, megjithëse një e tillë tashmë ka filluar të ndërtohet.

Në hollin e pallatit të rinisë ndodhet projekti që parasheh lidhjen me “Hotel Grand”. Projektin e vjetër e kthyen në premtim fushate ata që synojnë ulësen e kryetarit.

Parku qendror nga katedralja po ashtu ishte paramenduar nga kryetari aktual, e megjithëse parkingu nëntokësor është duke u ndërtuar, ai nuk u kursye nga kandidatët si një projekt që është i nevojshëm për Prishtinën.

Ndërtimi i një tuneli në rrugën “Agim Ramadani” dhe lidhja e qytetit të vjetër të Prishtinës me sheshet e Prishtinës, po ashtu u prezantuan nga Shpend Ahmeti. Të njëjtin projekt e përmendën edhe kandidatët e tjerë, megjithëse ndërtimi i këtij tuneli ka hyrë në procedurat e prokurimit në fund të vitit 2020.

Por, kandidati i LDK-së, Përparim Rama gjatë fushatës theksoi se ky projekt ishte i LDK-së para se të arrinte Ahmeti në pushtet.

Kolektori në Kalabri dhe në Mat ishte dhe vazhdon të jetë një projekt i nevojshëm për Prishtinën, të cilin e përfshinë të gjithë në programin e tyre qeverisës.