038

Çka premtoi për Prishtinën Përparim Rama e çka (nuk) realizoi?

Kështu do të duhej të jetë hyrja e Prishtinës nga Veterniku mes Dardanisë e Kalabrisë.

Por projekti madhor prej 15 milionë eurosh i fushatës së vitit 2021 ka mbetur vetëm premtim nga kryetari në fuqi Përparim Rama.

Qytetarët e dy lagjeve ende e kalojnë rrugën në semafor e në rrugë të mbushur me vetura.

Në përfundim të mandatit shumë nga projektet e mëdha infrastrukturore kanë mbetur në gjysmë e disa të tjera nuk janë nisur fare.

Rruga “A”, përgjatë 3 vjetëve të fundit, jo që nuk ka mundur të përfundohet në tërësi, por përgjatë procesit është ballafaquar edhe me shumë probleme ligjore.

Për një periudhë të caktuar Gjykata Komerciale, i ka ndaluar punimet e komunës për shkak se pronari i kompanisë tenderuese ‘Sallahu’ sh.p.k, Lulzim Sallahu, kishte të kryera vepra penale.
Ndërlidhja e lagjeve do të duhej të vazhdonte edhe nga lagjja “Arbëria” deri te Pallati i Rinisë.
Projekti ka filluar në fund të mandatit të Ramës, aktualisht janë vendosur vetëm shtyllat.

Në nëntor të vitit të kaluar IKMM-ja ka ndaluar punimet në mungesë të lejes për mbrojte të monumenteve.

Projekti ishte parashikuar të kapte vlerën e 6.5 milionë eurove.
As nënkalimi “Agim Ramadani”, nuk ka përfunduar.

Projekti që e lidhte sheshin “Ibrahim Rugova” me pjesën e vjetër të qytetit dhe fuste makinat në tunel nëntokësor do të duhej të përfundonte sivjet.

Nisja e punimeve nga Komuna e Prishtinës pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore ka rezultuar me zënka jo të vogla edhe në sheshin “Xhorxh Bush” .

Dy herë Instituti për Trashëgimi kulturore ia ka ndalur komunës punët, përkundër kësaj komuna ka gërryer asfaltin dhe e ka lënë në gjendje të keqe, punimet nuk po vazhdojnë.

Projekti ishte ndërruar nga Rama më shumë se dy herë pa njoftim publik, ndërtimi i sheshit do t’i kushtojë Komunës 18 milionë euro.

Kurse tenderi për ndërtim iu kishte dhënë kompanisë së Blerim Kuçit nga Suhareka që ka qenë i afërt me partnerin qeverisës në kryeqytet AAK. Kuçi pas disa javësh pati aderuar në LDK.

Tenderi për ndërtimin e sallës koncertale është dhënë më 12 mars, salla koncertale do të kishte kapacitet prej 800 ulëseve për sallën e madhe dhe 200 ulëse për sallën e vogël (Jazz salla).

Rama kishte premtuar që projekti të përfundonte për 3 vjet, kurse ai nuk ka filluar fare. Salla koncertale ishte planifikuar që të bëhet në ish-objektin e Shtëpisë së Mallrave ish-Gërmia.

Tregu i Gjelbër gjendet në gjendje të mjerueshme ani pse gjendja e tij ishte premtuar të ndryshojë për 9muaj.

Por komuna nuk arriti ta ndërtojë tregun në hapësirën e re as pas 4 vjetësh.

Në vitin 2021 në kohën e fushatës zgjedhore kryetari Rama kishte bërë 206 premtime, shumë më shumë sesa kandidatët e partive të tjera.

Por, sipas Institutit Gap ai ka realizuar 43 premtime, ka nisur pa përfunduar 54 sosh dhe nuk ka nisur fare 75 premtime.