Negociatat midis Izraelit dhe Hamasit që po zhvillohen në Doha të Katarit, me qëllimin për t’u dakorduar rreth armëpushimit të ri në Rripin e Gazës, krahas marrëveshjes tjetër që garanton lirimin e pengjeve janë në prag të kolapsit, kanë bërë të ditur zyrtarë palestinezë me njohuri rreth procesit negociator.
Një zyrtar i lartë palestinez ka thënë për mediumin britanik BBC se Izraeli ka blerë kohë gjatë vizitës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Washington këtë javë, përderisa e ka vonuar qëllimisht procesin duke dërguar një delegacion pa asnjë autoritet real për të marrë vendime mbi pikat kyçe të mospajtimeve.
E këto pika përfshijnë tërheqjen e trupave izraelite nga territori i enklavës dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Përpara se të largohej nga Shtetet e Bashkuara të enjten, Netanyahu ishte shprehur optimist, tek kishte thënë se shpresonte që marrëveshja do të arrihet “brenda pak ditësh”.
Sipas kryeministrit izraelit, në marrëveshjen e propozuar parashikohet që Hamasi të lirojë gjysmën e 20 pengjeve të gjalla që ende mbahen në Gazë dhe pak më shumë se gjysmën e 30 pengjeve të vdekur gjatë armëpushimit që do të zgjaste 60 ditë.
Që nga e diela e kaluar, negociatorët izraelitë dhe ata të Hamasit kanë marrë pjesë në gjithsej tetë runde bisedimesh të tërthorta nëpër ndërtesa të ndara në Doha.
Mes tjerash, bisedimet janë lehtësuar nga kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, dhe zyrtarë të lartë të inteligjencës egjiptiane, ndërsa në to ka marrë pjesë edhe i dërguari amerikan Brett McGurk.
Por të premten në mbrëmje, zyrtarë palestinezë me njohuri rreth negociatave i kanë thënë BBC-së se ato ishin në prag të kolapsit, pasi që të dyja palët janë thellësisht të ndara në disa çështje.
Sipas këtyre burimeve, diskutimet më të fundit ishin përqendruar në dy çështje: mekanizmin për dorëzimin e ndihmave humanitare në Gazë dhe shkallën e tërheqjes së Ushtrisë izraelite.
Hamasi ka këmbëngulur që ndihma humanitare të hyjë në Gazë dhe të shpërndahet përmes agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare të ndihmës.
Qeveria izraelite, nga ana tjetër, ka mbrojtur qëndrimin se shpërndarja e ndihmave duhet të realizohet përmes mekanizmit kontrovers që drejtohet nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF).