Kosova është bërë vendi i parë që ka konfirmuar publikisht se po shqyrton mundësinë e ndërtimit të qendrave për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar nga Britania.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Kosova “dëshiron të ndihmojë” Mbretërinë e Bashkuar në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, në këmbim të mbështetjes për forcimin e sigurisë ndaj kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia.
Në prag të samiti të liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet të mërkurën në Londër, Kurti konfirmoi se po zhvillohen bisedime ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar për këtë çështje.
“Ne duam ta ndihmojmë Britaninë. E shohim këtë si detyrim miqësor dhe politik. Edhe pse kemi kapacitete të kufizuara, jemi të gatshëm të kontribuojmë”, ka thënë ai për gazetën “The Times” të martën.
Tri shtete të tjera të rajonit — Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina — kanë refuzuar ofertën britanike për ngritjen e qendrave të tilla. Kryeministri shqiptar Edi Rama përsëriti se “asnjëherë në Shqipëri” nuk do të pranohej një marrëveshje e tillë, ndërsa homologu malazez Milojko Spajiq u shpreh se Mali i Zi nuk është pjesë e rrugës së kontrabandës së emigrantëve në Ballkan.
Britania po kërkon partnerë në rajon si pjesë e përpjekjeve për të frenuar kalimet e paligjshme përmes Kanalit të La Manche, ku këtë vit janë regjistruar rreth 37 mijë emigrantë, një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar.