Botë

Trumpi viziton zonën e përmbytur në Teksas, mbron reagimin e agjencive shtetërore

trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbrojtur reagimin shtetëror dhe federal kundrejt përmbytjeve vdekjeprurëse në Teksas, gjatë vizitës të së premtes në rajonin e goditur të Hill Country, ku të paktën 120 persona, përfshirë dhjetëra fëmijë, humbën jetën një javë më parë.

Gjatë një diskutimi në tryezë pas inspektimit në Kerr County, njëkohësisht epiqendrën e fatkeqësisë natyrore, Trump e ka lavdëruar guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott, dhe sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tek ka thënë se që të dy kanë bërë “punë të jashtëzakonshme”.

Administrata Trump, së bashku me zyrtarët lokalë dhe shtetërorë, është përballur me pyetje nëse mund të ishte bërë më shumë për të mbrojtur dhe paralajmëruar banorët përpara përmbytjeve, të cilat goditën zonën me shpejtësi befasuese në orët e para të mëngjesit të 4 korrikut, ka raportuar Reuters.

Mes tjerash, Trumpi ka reaguar me zemërim kur një gazetar i bëri me dije se disa familje të prekura nga përmbytjet kishin shprehur zhgënjim që paralajmërimet nuk ishin dhënë më herët.

“Mendoj se të gjithë bënë një punë të jashtëzakonshme në këto rrethana”, ka thënë ai. “Nuk e di se kush je, por vetëm një person shumë i lig do të bënte pyetje të tilla”.

Disa kritikë kanë ngritur pikëpyetje nëse shkurtimet buxhetore të administratës së presidentit amerikan karshi Shërbimit Kombëtar të Motit dhe Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA), e cila koordinon përpjekjet e Qeverisë amerikane në rast të fatkeqësive natyrore, mund ta kenë përkeqësuar gjendjen.