Ylli i muzikës pop, Shakira, ka premtuar se një pjesë e fitimeve nga koncerti i saj në San Antonio, Teksas, do të shkojnë si ndihmë për viktimat e përmbytjeve shkatërruese që kanë goditur rajonin, ka raportuar FemaleFirst.
Shakira, 48 vjeçe, ka performuar të shtunën mbrëma (5 korrik 2025) në stadiumin Alamodome në kuadër të turneut “Las Mujeres Ya No Lloran”. Ajo ka njoftuar se një pjesë e të ardhurave do të dhurohen për një organizatë bamirësie që po mbështet të prekurit nga katastrofa, e cila deri tani ka marrë jetën e të paktën 82 personave, prej të cilëve 28 fëmijë.
“I dashur San Antonio, zemrat dhe lutjet tona shkojnë për ata që janë prekur nga vërshimet që kanë ndodhur në qendër të Texasit. Po dhurojmë një pjesë të të ardhurave të grumbulluara sonte gjatë këtij koncerti në mënyrë që sado pak t'i ndihmojmë familjet që janë prekur nga këto vërshime”, ka shkruar Shakira në rrjetin social X.

Shakira shtoi edhe një link për mbledhje fondesh nga “Catholic Charities”, organizatë që po shpërndan ujë, batanije, veshje dhe mjete higjienike në zonat më të goditura.
Përmbytjet ndodhën të premten (4 korrik 2025) në Kerr County, pasi reshjet e dendura bënë që lumi Guadalupe të dilte nga shtrati. Deri tani, numri i viktimave ka shkuar në 82, ndërsa 41 persona rezultojnë ende të zhdukur, përfshirë 10 vajza të vogla që ndodheshin në një kamp veror.
“Melania dhe unë po lutemi për të gjitha familjet që janë prekur nga kjo tragjedi e tmerrshme. Ekipet tona të ndihmës së parë janë në detyrë duke bërë atë që dinë më së miri. Zoti i bekoftë familjet dhe Zoti e bekoftë Texasin!”, ka shkruar presidenti i SHBA-së Donald Trump në platformën Truth Social.

Përmbytja goditi rëndë kampin Camp Mystic, ku humbën jetën të paktën 27 persona. Ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit.
“Kjo tragjedi na ka shkatërruar neve dhe të gjithë komunitetin. Zemrat na janë thyer bashkë me ato të familjarëve që po vuajnë nga kjo tragjedi, dhe ndajmë me ta shpresën e lutjet tona”, kanë deklaruar drejtuesit e kampit për NBC News.
Drejtori i kampit, Dick Eastland, ishte mes viktimave. Familja e tij ka bërë të ditur se ai humbi jetën duke u përpjekur t'i shpëtonte fëmijët.