Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zelensky: SHBA-ja ka rifilluar furnizimet ushtarake në Ukrainë

zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të premten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë rifilluar dërgesat e furnizimeve ushtarake për Ukrainën dhe se zyrtarët e lartë në Kiev do të angazhohen javën e ardhshme për të thelluar bashkëpunimin ushtarak me të dërguarin e posaçëm të Washingtonit, Keith Kellogg, ka raportuar The Guardian.

Ai ka theksuar se Ukraina kishte pranuar sinjale në nivel të lartë nga Washingtoni dhe aleatët e tjerë perëndimorë se furnizimet me armë, të cilat ishin pezulluar shkurtimisht javën e kaluar, tani sapo kanë rifilluar.

“Jemi duke punuar aktualisht me partnerët për furnizime të reja, rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë dhe mbështetje më të mirë për ushtrinë tonë”, ka thënë Zelensky. 

“Javën e ardhshme, do të vazhdojmë të punojmë me palën amerikane në nivel ushtarak, po ashtu jemi duke u përgatitur për pakot e reja të mbrojtjes nga Evropa”, ka shtuar ai.

Kellogg kishte thënë për mediumin ukrainas “Novyny.LIVE” në margjinat e konferencës për rindërtimin e Ukrainës në Romë se pala amerikane “do të jetë në Kiev të hënën, si dhe do të qëndrojë atje gjatë gjithë javës”.

E presidenti amerikan, Donald Trump, kishte njoftuar të enjten se SHBA-ja do ta furnizojë Ukrainën me armë përmes NATO-s dhe se ai do të lëshojë një “deklaratë të madhe” për Rusinë javën e ardhshme.

Edhe Trumpi thotë se Rusia është sjellë mirë në lidhje me Ukrainën Botë Trumpi thotë se Rusia është sjellë mirë në lidhje me Ukrainën

Ai kishte folur po ashtu edhe për atë që e kualifikoi si marrëveshje të re mes SHBA-së, aleatëve të NATO-s dhe Ukrainës lidhur me dërgimin e armëve amerikane, ndonëse kishte nënvizuar se aleanca veriatlantike do të paguajë për to.

“Ne po i dërgojmë armë NATO-s, dhe NATO-ja po paguan për ato armë, 100%. Pra, ajo që po bëjmë është që armët po dërgohen në NATO, dhe më pas NATO-ja do t’ia japë ato armë Ukrainës, dhe NATO-ja po paguan për to”, kishte thënë Trump.