Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Çka thotë për kalimin te Kosova babai i dy peshëngritësve me prejardhje nga Kuba

Emily dhe Brayan Ibanez

Emily dhe Brayan Ibanez

Emily dhe Brayan Ibanez shkruan histori në Kampionatin Evropian të peshëngritjes për juniorë dhe grupmoshën U23. Të dy po bëhen gati për Kampionatin Botëror që javën e ardhshme fillon në Kinë. Të dy synojnë normën olimpike për “Los Angeles 2028”. 

E veçanta – Emily dhe Brayan Ibanez Guerrero garojnë për Kosovën. Ata janë të lindur në Spanjë, ndërsa kanë prejardhje nga Kuba. Kanë jetuar gjatë në Kanada. Për Kanadanë garuan deri tri vjet më parë. Më pas synuan të garojnë për Spanjën, vendin e lindjes, por kjo nuk iu mundësua. Mes shumë paqartësive, dy peshëngritësit me potencial të madh, përfunduan duke garuar për Kosovën. I fituan plot gjashtë medalje në Evropianin që ditë më parë përfundoi në Durrës. 

Emily, që është ende 15-vjeçare, i fitoi tri të arta në kategorinë deri 69 kilogramë te junioret. 

Brayan 20-vjeçar, fitoi të artë dhe dy të argjendta në kategorinë deri 85 kilogramë te juniorët.

Emily i vendosi tri rekorde botërore për të reja, ndërsa Brayani vendosi rekord evropian për juniorë në shkëputje. 

Së fundi për dy peshëngritësit që përfaqësojnë Kosovën shkroi edhe Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes. Prindërit e tyre, Abigail dhe Ciro Ibanez janë trajnerë të dy peshëngritësve. Abigail është nga Spanja dhe u pajis me pasaportë të Kosovës që kjo t’i bëhej e mundur më pas edhe Emilyt.

“Kemi qenë pezull për kohë të gjatë, derisa erdhi mundësia me Kosovën”, ka treguar Ciro Ibanez për IWF. Përpjekjet e familjes për të garuar për Spanjën nuk dolën të suksesshme. Spanja nuk ua mundësoi këtë për disa arsye.

 “Kanadaja i përkes së kaluarës, Spanja gjithashtu. Tani duam të përqendrohemi thjesht te gjërat pozitive”, ka shtuar Ciro Ibanez, që kishte karrierë të suksesshme në peshëngritje duke përfaqësuar Kubën. Është edhe trajner i suksesshëm.

Peshëngritja në Kosovë është thuajse e pazhvilluar. Por Ciro Ibanez pret që kjo të ndryshojë.

“Kosova ka ofruar të gjitha kushtet e mundshme që Emily dhe Brayan të kenë sukses në nivel botëror. Ata (kosovarët) po na ndihmojnë neve dhe ne duam t’i ndihmojmë ata. Astriti ka një plan për zhvillimin e këtij sporti dhe ne po ndihmojmë përmes trajnimit. Kosova ka pasur tre sportistë në Evropianin për të rinj në gusht”.

Astrit Hasani është kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës dhe po ashtu i Federatës Evropiane të Peshëngritjes. 

“Vazhdoj të dëgjoj njerëzit të thonë se ka shumë para të përfshira, por kjo nuk është e vërtetë. Kosova nuk na ofroi para dhe nuk jemi paguar nga Qeveria. Jemi në kampe stërvitore deri në Katar, udhëtojmë në vende të ndryshme si Turqia dhe Shqipëria, po ashtu edhe në Kosovë. Në janar planifikojmë të lëvizim për në Kosovë dhe ne kemi gjetur një vend në Prishtinë. Kosova po sillet shkëlqyeshëm me ne, na mirëpret. Jemi të lumtur ta shfaqim flamurin e Kosovës përreth botës”, ka theksuar Ciro Ibanez.

Ai është në kontakt të rregullt me Kianoush Rostamin, që po ashtu garon për Kosovën ndërsa është nga Irani. Rostami kishte karrierë impresive tek Irani. Ibanez e Rostami flasin çdo javë, ndërsa trajneri e ndihmon me këshilla teknike dhe e mbështet gjatë garave.

Edhe Rostami synon normën për Lojërat e ardhshme Olimpike. Kështu Kosova mund t’i ketë në Los Angeles tre peshëngritës të natyralizuar. Në Kosovë jo të gjithë pajtohen me këtë. Madje ka zëra kundër edhe nga Ministria e Sportit.