Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zelensky: SHBA-ja ka rifilluar shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën

zelensky

Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën, pas një ndërprerjeje të shkurtër, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky të dielën, raportoi Reuters.

Ukraina është mbështetur në informacionet e inteligjencës amerikane për të identifikuar raketat balistike me shpejtësi të lartë, të cilat Rusia i ka lëshuar në valë drejt qyteteve ukrainase.

Duke folur për emisionin “Meet the Press” të televizionit NBC, Zelensky ka konfirmuar se shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës ishte ndërprerë, por më pas ishte zhbllokuar.

“Jemi shumë mirënjohës për këtë. Tani funksionon”, ka deklaruar shkurtimisht presidenti ukrainas.

Më herët gjatë kësaj jave, presidenti amerikan, Donald Trump, kishte deklaruar se Uashingtoni po vazhdon të ndajë informacione të inteligjencës me Ukrainën, pavarësisht se zyrtarët ukrainas kishin raportuar për sulme ruse që kanë ndodhur pa paralajmërim.