Luftarake

Zijade e lumtur për medaljen e fituar në Shkup

Enise Zijade

Xhudistja premtuese, Enise Zijade, fitoi medalje për Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian Veror për të Rinj të enjten, dhe për këtë sukses është ndarë jashtëzakonisht e lumtur. 

Zijade në Shkup e fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 57 kilogramë, duke triumfuar në katër luftëra, ndërsa një tjetër e humbi. 

Ajo për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës ka thënë se ishte dita e saj, të cilën e ka kërkuar prej kohësh. 

“Së pari falënderoj shumë trajnerët e mi, Driton Kukën dhe Majlinda Kelmendin. Ne ushtrojmë dy herë në ditë, nga ora gjashtë në mëngjes fillojmë, dhe në shtatë në mbrëmje. Kam qenë në formë tash e dy vjet, por nuk kam marrë medalje. Kam pritur që do të fitojë. Sot ishte dita dhe jam shumë e lumtur për sakrificën dhe mundin që e kam bërë sot për ta fituar këtë medalje”, deklaroi Zijade. 

Zijade të enjten në Shkup u drejtua nga trajnerja Majlinda Kelmendi. Njësoj si xhudistja e re e talentuar, edhe Kelmendi tha se ky sukses është mjaftë i madh për Kosovën. 

“Sigurisht që jam shumë e lumtur. Kjo është medalje që ndoshta i ka munguar ekipit të xhudos. Jam shumë e lumtur që Enise e ka fituar këtë medalje, dhe nuk jam aspak e befasuar për Enisen. Ka vite rresht që ushtrojmë bashkë dhe që stërvitjen e parë e fillojmë në orën gjashtë të mëngjesit. Jam e lumtur që mundi, sakrifica dhe djersa iu shpërblye sot. Kjo medalje besoj që është medalje jo vetëm për ekipin e xhudos, por për gjithë Kosovën, për gjithë sportin e Kosovës. Sigurisht që në krye me trajnerin tonë, Tonin, rezultatet nuk kanë se si të mungojnë. Jam jashtëzakonisht e lumtur”, theksoi Kelmendi. 

Deri te medalja e bronztë, Zijade arriti pasi mposhti xhudiste nga Sllovakia, Sllovenia dhe Moldavia. Në gjysmëfinale humbi nga Jolina Reinhold e Gjermanisë, kurse për medalje të bronztë e fitoi luftën ndaj italianes, Anita Comba. 

Ndaj saj realizoi Ippon të bukur pas një minute e gjysmë luftë. 

Për Kosovën është medalja e parë e fituar në EYOF në Shkup. EYOF-i vlerësohet ngjarja kryesore kontinentale për sportistët nga 14 deri në 18 vjet. 

Kosova më herët medalje në këtë ngjarje kishte fituar me atletin Muhamet Ramadani. Ramadani e kishte fituar të artën në hedhje të gjyles në “Baku 2019”. 

Me këtë sukses, xhudoja kosovare ka të fituara medalje në të gjitha ngjarjet e mundshme.