Luftarake

20 medaljet e xhudos kosovare në ngjarjet shumësportëshe

20 medaljet e xhudos kosovare në ngjarjet shumësportëshe

Xhudistët kosovarë kanë debutuar me medalje në të gjitha ngjarjet ndërkombëtare shumësportëshe për seniorë. Dhe prej të enjtes kanë medalje në të gjitha ngjarjet e rëndësishme shumësportëshe për të rritur e për të rinj.

Janë plot 20 medalje që xhudistët i sollën vendit nga ngjarjet shumësportëshe për një dekadë prej se Kosova ka nisur të garojë në to.

Medaljen e parë e fitoi Nora Gjakova në Lojërat Evropiane “Baku 2015”. Ishte edicioni i parë i Lojërave Evropiane, ngjarje që në fillim u vlerësua si Olimpiadë Evropiane. Për Kosovën ishte debutim në ngjarjet shumësportëshe. Pos historike, pjesëmarrja në Lojërat Evropiane në Baku ishte edhe disi festive. Për herë të parë sportistët e Kosovës parakalonin dhe garonin të barabartë me sportistë nga shumë vende të tjera në një ngjarje kulmore të shumë disiplinave sportive. Nora e fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 57 kilogramë, që ishte vlerësuar me “ngjyrë ari”.

Medalja e 20-të u fitua të enjten në Shkup. Enise Zijade fitoi të bronztën në Festivalin Olimpik Veror Evropian për të Rinj (EYOF) që po mbahet në Shkup. Kjo ishte ngjarja e vetme shumësportëshe verore në të cilën xhudoja kosovare nuk kishte medalje. Dhe tani e ka.

EYOF-i po ashtu ishte ngjarja e vetme ku Kosova nuk kishte debutuar me medalje në xhudo. Që në pjesëmarrjet e para nga nxënësit e kryemjeshtrit Driton Kuka janë fituar medalje në Lojëra Evropiane, Lojëra Olimpike, Lojëra Mesdhetare dhe Lojëra Olimpike për të Rinj.

“Është medalje që i ka munguar ekipit të xhudos. Jam shumë e lumtur që Enise Zijade e ka fituar këtë medalje. Por nuk jam aspak e befasuar për këtë sukses. Ka shumë vjet që ushtrojmë bashkë. Stërvitjen e parë e kemi që në gjashtë të mëngjesit. Jam e lumtur që mundi, sakrifica dhe djersa i është shpërblyer. Kjo medalje është jo vetëm për ekipin e xhudos, por për gjithë Kosovën, për gjithë sportin e Kosovës. Në krye me trajnerin tonë, Toni Kuka, rezultatet nuk kanë se si të mungojnë”, ka thënë Majlinda Kelmendi, trajnere e xhudistes së re, Zijade. 

Legjenda e xhudos, Majlinda Kelmendi, fitoi të artën në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Që në debutim solli medaljen më të vlefshme për Kosovën, në momentin që mbetet më i rëndësishmi në histori të sportit kosovar.

Në ngjarjen bindshëm më të rëndësishme sportive, Lojërat Olimpike, Kosova i ka pesë medalje. Të arta kanë fituar edhe Nora Gjakova e Distria Krasniqi. Distria e ka edhe një të argjendtë, ndërsa Laura Fazliu ka të bronztë nga “Parisi 2024”.

Në Lojëra Evropiane, Kosova në xhudo i ka katër medalje. Por xhudoja ishte pjesë e programit të Loëjrave Evropiane në dy edicionet e para dhe jo në edicionin e tretë. Në “Minsk 2019”, Majlinda fitoi të artë, Nora të argjendtë, ndërsa Loriana të bronztë.

Në Lojëra Mesdhetare, Kosova i ka nëntë medalje në xhudo, prej tyre gjashtë të arta. Nga ngjarjet shumësportëshe për të rinj, Kosova në xhudo ka medalje të bronzta në Lojërat Olimpike për të Rinj dhe tani edhe në Festivalin Olimpik Evropian.

Më meritori për këto medalje është kryemjeshtri Kuka.

“Kur fitohen medaljet olimpike, flasim për kulminacionin në sport. Por gara të ndryshme edhe për grupmosha janë me rëndësi. Sidomos medalja e djeshme, që konfirmon vazhdimësinë e punës serioze. Nëse flasim për medaljet e fituara për një dekadë, mendoj se secila e ka rrëfimin e vet të veçantë. Si trajner jam me fat që kam arritur të fitoj çdo medalje të mundshme në sport. Jam krenar me nxënësit e mi dhe natyrisht me trajnerët që punojnë në ekipin tim”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN të premten.

Në ngjarjet e xhudos, Kampionate Botërore, Kampionate Evropiane, garat Masters, Grand Slam e Grand Prix dhe garat e tjera, numri i medaljeve të Kosovës është shumë i madh. 

Por xhudoja e bën dallimin edhe në ngjarjet shumësportëshe. Në të gjitha sportet tjera, në të gjitha ngjarjet, Kosova i ka dy medalje.

Lojërat Olimpike

Rio 2016: Majlinda Kelmendi – medalja e artë

Tokio 2020: Distria Krasniqi – medalja e artë

Tokio 2020: Nora Gjakova – medalja e artë

Paris 2024: Distria Krasniqi – medalja e argjendtë

Paris 2024: Laura Fazliu – medalja e bronztë

Lojërat Evropiane

Baku 2015:  Nora Gjakova – medalja e bronztë

Minsk 2019: Majlinda Kelmendi – medalja e artë

Minsk 2019: Nora Gjakova – medalja e argjendtë

Minsk 2019: Loriana Kuka – medalja e bronztë

Lojërat Mesdhetare

Tarragona 2018: Distria Krasniqi – medalja e artë

Tarragona 2018: Nora Gjakova – medalja e artë

Tarragona 2018: Akil Gjakova – medalja e artë

Tarragona 2018: Loriana Kuka – medalja e argjendtë

Oran 2022: Distria Krasniqi – medalja e artë

Oran 2022: Laura Fazliu – medalja e artë

Oran 2022: Loriana Kuka – medalja e artë

Oran 2022: Akil Gjakova – medalja e bronztë

Oran 2022: Flaka Loxha – medalja e bronztë

Lojërat Olimpike për të Rinj

Buenos Aires 2018: Erza Muminoviq – medalja e bronztë

Festivali Olimpik Evropian për të Rinj

Shkupi 2025: Enise Zijade – medalja e bronztë