Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Vlera e madhe e medaljes së argjendtë të Laurës

Laura Fazliu

Laura Fazliu e fitoi të shtunën medaljen e parë të argjendtë në garat e nivelit Grand Prix. Gjatë karrierës, 25-vjeçarja ka fituar medalje shumë më të vlefshme se ajo në Linz të Austrisë.

Ka medalje të bronztë olimpike, dy medalje të bronzta botërore, medalje të argjendtë e të bronztë evropiane, të artë e të argjendtë në Masters dhe të argjendtë e dy të bronzta në Grand Slam.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithatë medalja në Linz ka vlerë të madhe për Laurën. Sidomos për momentin kur u fitua.

Për këtë ka folur edhe kryemjeshtri Driton Kuka, të dielën për KOHËN.

“Laura ka pasur një krizë të vogël në formë e rezultate. Por gara në Austri ishte më ndryshe dhe më është dukur një ‘dalje nga tuneli’. Në prag të Evropianit kjo medalje ka rëndësi për mua. Është e rëndësishme që Laura ka këndellje të formës”, ka thënë Kuka, trajneri i Kosovës në xhudo.

Laura ishte bartëse e dytë në kategorinë deri 63 kilogramë. Tri kundërshtaret e para i kaloi me paraqitje bindëse. Mposhti Leila Mazouzin e Sllovenisë, Nina Cvjetkon e Kroacisë dhe Sara-Joy Bauerin e Gjermanisë.

Në finale humbi nga legjenda braziliane, Rafaela Silva. 33-vjeçarja ka medalje të artë olimpike dhe dy tituj të botës. Ndonëse në vitin e 17-të në karrierën seniore, Silva po paraqitet fuqishëm dhe vazhdon të jetë shumë e motivuar. Silva ishte bartëse e parë.

Në fakt Laura pati paraqitje plotësisht të barabartë me Silvan. Megjithatë përvoja e brazilianes bëri që ajo të realizojë aksion për “Yuko” që është pika më e vogël në xhudo. Dhe një “Yuko” ishte dallimi në fund.

Laura tani ka tri disfata nga Silva. Megjithatë në Linz tregoi se është në rrugën e duhur për të gjetur mënyrën e fitores edhe ndaj saj.

“Taktikisht duhet t’i rregullojmë edhe dy-tri gjëra për përballje të suksesshme me Silvan. Ajo nuk është më e mirë se Laura. Por përvojën e ka”, ka shtuar Kuka.

Laura kishte dy gara të mëdha pa medalje, por kjo ecuri i takon së kaluarës. Vendi në podium është gjithnjë i rëndësishëm.

Sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare ka shkruar se Laura Fazliu thuajse gjithnjë është “garanci” për medalje të Kosovës, pavarësisht se cilat xhudiste të tjera e synojnë podiumin në 63 kilogramë.

“Të dy xhudistet dolën duke dashur të realizonin hedhje dhe kjo është ajo që tifozët e xhudos duan. Ishte një luftë e nivelit më të lartë, e dy xhudisteve që dinë si të arrijnë në podium. Megjithatë vetëm njëra mund të fitonte dhe pika shumë e rëndësishme erdhi nga Silva. Fazliu luftoi për t’u kthyer por kjo nuk ndodhi. Ajo është dashur ta pranojë të argjendtën”, ka shkruar IJF.

Kampionati Evropian mbahet në mes të prillit në Tbilisi të Gjeorgjisë. Dhe Laura përfundimisht do ta kërkojë medaljen. Pse jo, edhe të artën.