Një taekwondiste 8-vjeçare nga Kosova u godit me shuplakë nga trajneri i saj në një garë në Tiranë. Trajneri është edhe babai i saj. Ai ka thënë se shuplaka ishte e lehtë dhe me qellim që ta qetësonte vajzën që po reagonte me emocione pas humbjes nga garuesja serbe. Nga federata nuk kanë folur për rastin
Përballjet e sportistëve të Kosovës dhe të Serbisë janë shumë të rralla. Por kur ndodhin, marrin vëmendje të madhe si në Kosovë ashtu dhe Serbi.
Të dielën fitorja e një garueseje tetëvjeçare nga Serbia ndaj garueses së Kosovës mbeti në hije të një veprimi që ndërkohë bëri bujë të madhe.
Taekwondistja 8-vjeçare nga Kosova humbi nga garuesja serbe në finale të Kampionatit Evropian për kadetë dhe fëmijë që u zhvillua në Tiranë.
Taekwondistja e re, V.F., u godit me shuplakë nga babai dhe trajneri saj, Valmir Fetiu.
Trajneri nga Suhareka, Fetiu, thekson se shuplaka nuk ishte për disfatën nga taekwondistja serbe, por për të qetësuar vajzën e tij.
“Ajo ishte për ta qetësuar, pasi e mori afër zemrës. Ishte shuplakë e vogël, ishte për vajzën time. Ajo nisi të qajë dhe të bërtas dhe unë nuk doja ta shoh para tjerëve në atë gjendje”, ka thënë Fetiu të dielën pasdite për KOHËN.
Në videon, që bëri bujë dhe u shpërnda shumë në vende të ndryshme të regjionit, shihet trajneri duke tërhequr fillimisht për helmete 8-vjeçaren, e cila bie në dysheme në shenjë dëshpërimi për humbjen, ngrihet duke qarë dhe më pas merr një goditje me shuplakë nga trajneri.
Gjyqtari fillimisht e paralajmëroi trajnerin nga Kosova për veprimin e më pas e raportoi.
Për ngjarjen në Tiranë është raportuar gjerësisht edhe në mediat serbe. Vëmendjen e ka marrë veprimi jo i matur i Fetiut karshi vajzës së tij. Është bërë e ditur se trajneri Fetiu do të pezullohet për gjashtë muaj nga sporti i taekwondos.
Taekwondistja e re, V.F., ishte në garë për medalje të artë në Evropianin që nisi më 7 nëntor dhe përfundoi të dielën. Ajo fitoi medaljen e argjendtë për fëmijë . Për medalje të artë luftoi pas dy luftërave të fituara.
“Ishte garë për vendin e parë. Ajo zuri vendin e dytë, ishte shumë më e mirë se garuesja nga Serbia. Është vajzë 8-vjeçare dhe filloi të qajë. I thash të qetësohet. Nuk ka qenë shuplakë, një prekje në fytyrë për ta qetësuar dhe për t’i thënë se ka përfunduar dhe të shoh ta përshëndes ashtu siç i ka hije një sportisti”, thekson tutje trajneri Fetiu.
Valmir Fetiu thekson se arbitri e dëmtoi vajzën e tij gjatë gjithë luftës.
“Ajo është shumë e mirë. Ajo ka qenë në vend të parë. Humbi, mori vendin e dytë në Evropian. Deri në finale kaloi dy luftëra. Ishte puna me serben dhe më e ndjeshme dhe ishte arsyeja se ishte shumë më e mirë se ajo. Nuk e di pse u bllokua, por me siguri ka ndikuar pse të humb nga serbja. Ajo gjithmonë ia kapte këmbën dhe gjyqtari ka anuar kah ajo. U mbushën shumë gjëra, e kapa dhe i thash të ndalet dhe të bëhemi gati për garat tjera. Nuk mund ta dojë askush më shumë se unë fëmijën tim. E shkrijë gjithë pasurinë pas fëmijës tim, është logjike. Ajo ishte për ta qetësuar. U përgatit për ta fituar vendin e parë”, është shprehur Fetiu.
KOHA ka kontaktuar edhe me kryetarin e Federatës së Taekwondos së Kosovës, Arsim Agushin. Pasi kuptoi pyetjen, Agushi ndërpreu telefonatën. KOHA i është drejtuar me pyetje me shkrim FTK-së por nuk ka marrë përgjigje.
Në Kosovë kanë nisur reagimet publike për veprimin e trajnerit.