Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Mes telasheve politike, Kosova fiton shumë medalje në Mesdhetarin në Spanjë

Karate

Kosova pati të tjera telashe politike në Guadalajara të Spanjës, ku u mbajt Kampionati Mesdhetar i karatesë. 

Fillimisht u lejua të marrë pjesë, por vetëm pa simbole. Pas shumë diskutimesh, u vendos që të gjitha shtetet pjesëmarrëse të paraqiten pa flamuj, sipas Federatës kosovare. 

Në Mesdhetarin, ku emri i Kosovës nga Federata Spanjolle e Karatesë në sajtin e saj zyrtar u paraqit me fusnotë, u arritën suksese. Kosova i fitoi disa medalje, kryesisht te kategoritë e reja, të shtunën, ndërsa të tjera u fituan të dielën.

Në transmetimin zyrtar të kampionatit në “Youtube”, gjithë karateistët janë prezantuar edhe me shtetin prej nga vijnë. Por karateistët e Kosovës janë prezantuar vetëm me emër e mbiemër.  

Te seniorët me medalje të argjendtë të dielën u stolis Betim Maliqi në kategorinë deri 75 kilogramë. Diellza Sejdijaj e fitoi një tjetër të argjendtë në kategorinë mbi 68 kilogramë. Me të bronztën në këtë kategori mbeti Fortesa Orana. 

Edhe Kosova në Mesdhetar pa flamur, por me trajtim të barabartë Luftarake Kosova në Mesdhetar pa flamur, por me trajtim të barabartë

Karateistët seniorë u paraqitën edhe në gara ekipore. Ekipi 2 i Kosovës te karateistet zuri vend të pestë, kurse Kosova te karateistët u rendit e shtata. 

Dukshëm më shumë suksese u arritën te kadetët e juniorët të shtunën. 

Lanika Rexhepi, Prijam Gashi, Aid Curri, Korab Gashi e Suela Arifi fituan medalje të arta. 

Të argjendta fituan Rion Bahtiri dhe Blerand Osmani, ndërsa me medalje të bronzta nga Guadalajara e Spanjës kthehen Lijana Iseni dhe Dea Hasanaj. 

Kadetët e juniorët e Kosovës fituan edhe medalje të artë dhe të bronztë në gara ekipore. 
E arta u fitua nga ekipi i kadetëve i përbërë nga Prijam Gashi, Almir Pollomi, Anuar Krasniqi dhe Rion Bahtiri. E bronzta u fitua nga ekipi i junioreve që në përbërje kishte Suela Halimin, Lijana Isenin, Suela Arifin dhe Alina Kurtin. 

Kosova në Spanjë mori pjesë me 48 sportistë, ndërsa delegacioni i Kosovës numëronte plot 56 anëtarë. 

Edhe Telashe të tjera për sportistët kosovarë në Spanjë Luftarake Telashe të tjera për sportistët kosovarë në Spanjë

Në Mesdhetar, pjesëmarrëse ishin 16 shtete me 582 garues. 

Kosova edhe në të kaluarën është ballafaquar me telashe në Spanjë. Këtë javë madje Federata e Futbollit e Spanjës bëri prezantim diskriminues ndaj Kosovës. Për një ndeshje të përfaqësueseve U21, Spanja nuk e përmendi Kosovën me emër zyrtar. Fillimisht e shkroi “Territori i Kosovës” e më pas “Federata e Kosovës”. Dhe askund nuk e shkroi “Kosova”.