Luftarake

Laura Fazliut i vdiq gjyshi në ditën kur u nis për në Botërorin ku fitoi medalje

Laura Fazliu

 Edhe pasi e siguroi medaljen në Kampionatin Botëror, Laura Fazliu nuk është shfaqur shumë e gëzuar. Nuk ka buzëqeshur thuajse fare, ndonëse menjëherë i mori urimet nga Majlinda Kelmendi. 

Xhudistja Laura Fazliu, garoi në fillim të javës në Kampionatin Botëror që u mbajt në Budapest të Hungarisë. E fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 63 kilogramë, në ngjarjen kryesore të vitit.

Laura thotë se kishte ndjenja të përziera edhe pasi siguroi medaljen me shumë vlerë. Ishte gëzuar për suksesin, por e mërzitur për vdekjen e gjyshit të saj. Gjyshi i vdiq në ditën kur Laura dhe ekipi i Kosovës në xhudo u nis për në kryeqendrën hungareze, më 11 qershor.

“E vërtetë që nuk isha shumë në disponim. Ka qenë një ditë me emocione të përziera. Pak për shkak të lëndimit dhe që nuk e kisha sigurinë e plotë se si do të shkonin garat. Edhe më tepër pasi isha shumë e mërzitur, pasi në ditën që jam nisur për në Kampionat Botëror ndërroi jetë gjyshi im. Humbja e gjyshit e bëri edhe më të vështirë për mua”, ka thënë Laura Fazliu në një bisedë për KOHËN.

Laura njihet për sakrificën e madhe në karrierë. Në moshë fare të re u largua nga familja në Mitrovicë për ta vazhduar karrierën në Pejë, nën urdhrat e kryemjeshtrit Driton Kuka. Familjen në Mitrovicë e viziton shpesh, ndërsa përkrahjen prej saj e ka shumë të madhe. Por, shkuarja në një qytet tjetër, e vetme, derisa ende ishte duke u rritur, është sakrificë e Laurës që çmohet. Sakrificë që ia vlejti, po ashtu.

Ajo tashmë ka medalje olimpike, dy medalje botërore e, po ashtu, medalje evropiane.

Në vitin 2022, Fazliu fitoi medalje të argjendtë evropiane. Vjet fitoi medalje të bronztë në Kampionat Botëror e më pas edhe në Lojërat Olimpike në Paris. Tani 24-vjeçarja fitoi tjetër medalje të bronztë në Kampionatin Botëror.

Pas Lojërave Olimpike në Paris, Laura garoi në Grand Prix të Austrisë, më 7 mars të këtij viti. Por, e  lëndoi këmbën në luftë për medalje të bronztë, të cilën e fitoi. Dhe për shkak të atij lëndimi nuk ka garuar për tre muaj. Pas lëndimit u kthye pikërisht në Botëror.

“Jam shumë e kënaqur me rezultatin, sidomos duke e pasur parasysh që jam kthyer nga një pauzë prej tre muajsh për shkak të lëndimit. Ishin tre muajt më të vështirë në karrierën time, por kam punuar shumë që të kthehem fizikisht dhe psikikisht. Medalja është e bronztë, por ka vlerë ari për mua, sepse erdhi në momentin kur më së shumti kisha nevojë për një medalje të tillë”, ka thënë Fazliu.

Ajo fitoi ndaj kundërshtareve nga Polonia e Italia, para se të mposhtej shpejt nga legjenda braziliane Rafaela Silva në çerekfinale. Më pas e mposhti xhudisten tjetër braziliane, Nauana Silva për medalje të bronztë botërore.

“Besoj fuqishëm se ende kam shumë hapësirë për përmirësim. Ende nuk jam në formën më të mirë, por po lëvizi drejt saj. Po ndihem çdo ditë e më mirë dhe po e shoh që me punë e përkushtim shumë shpejt do të jem në kulm. Sa i takon humbjes nga braziliania, ishte vetëm një moment pakujdesie. Ajo e shfrytëzoi momentin. Nuk e kam njohur mirë si kundërshtare, pasi ishte në kategori tjetër dhe tani ka dalë në 63 kilogramë. Ndoshta kjo ka bërë që mos ta kem sigurinë e duhur”, ka theksuar Laura Fazliu.

Ajo ka rreshtuar disa medalje bronzi. Por, kur do të shndërrohet bronzi në ar?

“Medaljet e bronzta janë rezultat i mirë, por e di që mund të arrij edhe më shumë. Synimi im është që shumë shpejt të marr medalje të artë në ndonjërën nga garat e mëdha”, thotë Laura.

Njëra prej sportistëve shqiptare më të mira në histori është shumë falënderuese ndaj trajnerit, kryemjeshtrit Driton Kuka, por edhe ndaj Majlinda Kelmendit. Majlinda ka disa vjet që është asistente e Kukës.

“I falënderoj Tonin, Majlindën që gjithmonë janë afër meje, si në tatami, ashtu edhe jashtë tij. Sidomos e falënderoj Tonin. Falë tij unë sot i gëzoj gjithë këto suksese. Më mori si fëmijë në duart e tij dhe sot i gëzojmë të gjitha këto suksese. Dhe për këtë jam falënderuese nga zemra”, thotë Laura Fazliu.