Donjeta Sadiku është kualifikuar në finale të turneut elitar të boksit amator.
Në gjysmëfinalen e turneut “Felix Stamm”, që po mbahet në Varshavë të Polonisë, Sadiku e kategorisë deri 60 kilogramë mposhti italianen Rebecca Nicoli.
Italianen Nicoli, Sadiku e kishte mposhtur edhe në finalen e turneut në Bruksel të Belgjikës.
Sadiku në çerekfinale e kishte mposhtur 5:0 polaken Alesandra Jankowiak.
Me kalimin në finale, Sadiku ka siguruar të paktën medaljen e argjendtë. Por ajo synon të artën në turneun e organizuar nga “World Boxing”.
“Sot arrita fitoren e dytë në turneun e madh në Poloni ‘Feliks Stamm dhe jam shumë e lumtur. Përballë kisha një kundërshtare mjaft të mirë të cilën e kam vlerësuar gjithmonë. Jam e lumtur për fitoren. Këtu jam vetëm për të artën. Finalen e pres me padurim. Thash më herët se këtu kam ardhur vetëm për të artën dhe shpresoj të stolisem me medalje të artë”, ka thënë Sadiku për “World Boxing”.
Vëllezërit Shpëtim dhe Bashkim Bajoku janë eliminuar.