(Përditësuar, 14:27) - Akil Gjakova nuk ka mundur të futet në luftë për medalje në Kampionatin Botëror të xhudos në Budapest të Hungarisë.
Në kategorinë deri 73 kilogramë, Gjakova në xhiron e parë ishte i lirë. Në të dytën e mposhti rumununin Ioan Dzitac, por nuk ia doli ndaj brazilianit Daniel Cargnin. Lufta për çerekfinale ishte e gjatë dhe e fortë. Zgjati mbi tetë minuta e gjysmë, kur Gjakova e pësoi dënimin e tretë. Kështu fitorja i takoi brazilianit, që shfaqi më shumë se xhudisti kosovar gjatë gjithë luftës.
Në ekipin e Kosovës në xhudo nuk kanë pritur shumë nga Akil Gjakova për shkak të një lëndimi të krahut me të cilin po përballet ai. Për shkak të lëndimit, nuk e kishte fazën e duhur përgatitore. Po ashtu nuk e kishte forcën e zakonshme gjatë luftës dhe rrjedhimisht hedhjet e tij nuk ishin mjaftueshëm të rrezikshme.
Në të kaluarën Gjakova kishte dy fitore ndaj Cargninit. Por këtë herë ishte braziliani që festoi në fund, ndonëse arriti fitore shumë të vështirë.
Prej ekipit të Kosovës ka mbetur të garojë edhe Laura Fazliu. Ajo garon të hënën në kategorinë deri 63 kilogramë. Të shtunën Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë në kategorinë deri 52 kilogramë.
Akil Gjakova fillon me fitore
(Përditësuar, 12:35) - Akil Gjakova e ka fituar luftën e parë në Botërorin e xhudos në Budapest.
Të dielën, në kategorinë deri 73 kilogramë, Gjakova e mposhti rumunin Ioan Dzitac.
Ndaj tij fitoi në kohën shtesë. Realizoi aksion për Yuko, që ishte mjaftueshëm për avancim.
Dita e tretë e Botërorit, sot garon Akil Gjakova
Akil Gjakova do të garojë sot, në ditën e tretë të Kampionatit Botëror të xhudos në Budapest të Hungarisë.
Akili garon në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa fillimisht do të përballet me rumunin Ioan Dzitac.
Gjakovën e ka munduar një lëndim i krahut në javët e fundit dhe për këtë nuk kishte fazën përgatitore më të mirë të mundshme. Nëse shfaq më të mirën dhe nuk ka telashe me krahun, xhudisti kosovar mund të përfshihet në garë për medalje.
Në kategorinë deri 73 kilogramë janë 41 xhudistë. Të hënën garon Laura Fazliu.