Të mërkurën ishte Kongresi i IJF-së e të enjten është shorti. Dhe çdo gjë është gati për Kampionatin Botëror të Xhudos që mbahet në Budapest prej të premtes deri më 20 qershor.
Pjesëmarrja u lejohet vetëm xhudistëve që janë në Top-100 të ranglistës botërore në secilën kategori.
Natyrisht, në Botëror nuk mungon Kosova.
Distria Krasniqi garon në kategorinë deri 52 kilogramë, Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë dhe Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë.
Distria garon të shtunën, Akili të dielën dhe Laura të hënën.
Gjithsej në Kampionatin Botëror, që është ngjarja më e rëndësishme e vitit në xhudo, marrin pjesë 557 xhudistë nga 93 vende të ndryshme.
Ekipi i Kosovës ka udhëtuar tashmë për në kryeqendrën hungareze, ndërsa shpresohet për medalje.
Medalja në Botëror nuk do të ishte asgjë e re për ekipin e kryemjeshtrit Driton Kuka. Xhudistët kosovarë janë fitues të rregullt të medaljeve në ngjarjet e mëdha, duke përfshirë Lojërat Olimpike.
Botërori nuk bën përjashtim.
Megjithatë gjendja e ekipit nuk është më e mira këtë herë.
Laura Fazliu është bartësja e katërt në kategorinë deri 63 kilogramë, por ajo nuk ka garuar që nga 7 marsi për shkak të një lëndimi. Lëndimin e kishte pësuar në Grand Prix në Austri, ku ndonëse e lënduar kishte fituar medaljen e bronztë.
Akil Gjakova është bartësi i tetë në kategorinë me konkurrencë shumë të madhe, atë deri 73 kilogramë.
Por Akilin po e mundon një lëndim në krah dhe nuk ka pasur fazën përgatitore më të mirë për Botëror.
Ndërkohë Distria Krasniqi është bartëse e dytë në kategorinë deri 52 kilogramë. Distria është në formë të mirë, plotësisht e gatshme dhe shumë e uritur për sukses tjetër. Distria më 23 prill e fitoi titullin e kampionit të Evropës dhe tani synon medalje botërore.
“Akili ka problem me krah. Për Laurën mbetet të shihet se cila është forma e saj, pasi ka sanuar lëndimin. Distria është në formë të mirë. Akili pas Evropianit nuk ka ushtruar sa duhet. Është dashur të kursehej për shkak të lëndimit”, ka thënë për KOHËN trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Në Evropianin në Podgoricë, Akil Gjakova pati një luftë të jashtëzakonshme me legjendën gjeorgjiane, Lasha Shavdatuashvili. Lufta zgjati plot 16 minuta, ndërsa një luftë në xhudo zakonisht zgjat katër minuta. Të dy xhudistët, që u përballën në çerekfinale, shpenzuan energji të jashtëzakonshme. Dhe të dy i humbën shpejt luftërat pasuese. Shavdatuashvili pësoi lëndim serioz, ndërsa edhe Akilit iu paraqit problemi me krah pas asaj lufte shumë të gjatë e me ngarkesë maksimale.
Shpresohet që Akili të jetë në gjendje të mirë fizike dhe të përfshihet në luftë për medalje botërore.