Kandidati për Prishtinën, Daut Haradinaj, ka premtuar se do të punojë vetëm në të mirë të vendit. Madje, ai ka thënë se për kryeqytetin është në nivelin e liderëve që kanë drejtuar apo drejtojnë shtetin. E kandidati për Prizrenin, Lulzim, Kabashi ka premtuar përmirësim të resurseve natyrore për rritjen e turizmit
Kandidati i AAK-së për Prishtinën, Daut Haradinaj, e ka krahasuar veten me liderët e institucioneve e me ish-presidentët e vendit. Ka thënë se për Prishtinën është sa të gjithë liderët e tjerë bashkë.
“Për Prishtinën jam edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli, edhe Ibrahim Rugova dhe Albin Kurti”, ka thënë ai.
Haradinaj banorëve të lagjeve “Bregu i Diellit”, “Aktashi”, “Hajvalia”, “Veterniku” dhe “Mati” 1 u ka premtuar se do të jetë në shërbim të interesave të tyre.
E përmirësim të resurseve natyrore për rritje të turizmit ka premtuar për Prizrenin kandidati Lulzim Kabashi.
“Të gjitha këto pika të lartcekura do t’ i mbrojmë, funksionalizojmë dhe ndërtojmë për t’ i futur në agjendën tonë turistike duke krijuar kushte që operatorët tanë ekonomikë të turizmit të kenë çka për të ofruar për turistët duke mundësuar turizëm disaditor”, ka thënë Kabashi në një video në Facebook.
Punësim të njerëzve dhe pa ndikime nga jashtë ka premtuar kandidati për Podujevën, Besnik Tahiri.
“Rekrutimin do ta kthejmë në e-rekrutim në formë elektronike, ku nuk do të dihen emri dhe mbiemri, por do të jetë numër një kod dhe më i miri apo më e mira do të marrë vendin e punës, jo pse e ka një librezë partie apo pse është e njohur diku”, ka thënë ai.
Kandidati për Pejën, Rrustem Berisha, mori përkrahje nga shefi i partisë Ramush Haradinaj, i cili qytetarëve atje u premtoi dyfishim të pagave.
“Do të punojmë pra me e shty ligjin e pagave dhe dyfishimin e pagave në Kosovë se po lajmërohen shtrenjtime, duhet me i dyfishu të ardhurat e të gjitha kategorive”, ka premtuar Haradinaj.
Programin e tij në rrjetet sociale e ka shpalosur kandidati për Klinën, Zenun Elezaj. Për qytetarët e Klinës, ai ka premtuar ndërtimin e dy shkollave të reja dhe ndërtimin e një emergjence.