Virusi COVID-19 mund të qëndrojë në disa gjëra ushqimore të gatshme për ditë, kanë konfirmuar ekspertët në Mbretërinë e Bashkuar.
Shkencëtarët kryen teste për Agjencinë e Standardeve të Ushqimit (FSA), duke e lyer qëllimisht virusin në ambalazhe dhe produkte ushqimore, duke përfshirë fruta, pasta dhe pije në shishe.
Ata zgjodhën sende që njerëzit mund t'i vendosnin në gojë pa i gatuar apo larë, shkroi BBC.
Rreziku për konsumatorët mbetet shumë i ulët, thonë ata.
Për shumicën e produkteve ushqimore të testuara kishte një ulje të theksuar të niveleve të virusit përgjatë 24 orëve të para.
Por, në disa raste gjurmët mbijetuan për rreth një javë, zbuloi ekipi.
Ekspertët kanë thënë se nuk ka nevojë që blerësit të ndërmarrin masa shtesë për ushqimin – përveç larjes së duarve para përgatitjes dhe ngrënies.
Ata zgjodhën ushqime që shiten zakonisht më shumë në dyqane, si buka, mollët, specat, djathi, proshuta, ullinjtë, e të tjera.
Ndërsa, testuan edhe pijet në shishe, karton dhe kanaçe.
Virusi duket se rri për kohë më të gjatë në produktet që nuk kanë sipërfaqe të njëjtë, si brokoli, sesa në sipërfaqet e lëmuara si mollët.
Mollët përmbajnë kimikate natyrale në lëkurën e tyre dhe mund të fillojnë ta thyejnë virusin COVID brenda minutash apo orësh, thanë shkencëtarët.
Ëmbëlsirat po ashtu pas disa orësh e largojnë virusin.
Kurse, djathi dhe mishi i ngrirë u zbulua se e lejon virusin të mbijetojë për ditë – potencialisht një javë.
COVID-i mund të mbijetojë në deri një javë në sipërfaqet plastike. Për kartonët, mund të jetë disa ditë dhe për kanaçet vetëm disa orë, shtuan studiuesit.