Pothuajse secili prej nesh e ka bërë të paktën një herë pyetjen: a është ende i sigurt për t’u konsumuar ushqimi i mbetur nga dreka e djeshme, apo është koha të hidhet në mbeturina? Përgjigjja varet nga lloji i ushqimit dhe mënyra se si është ruajtur.
Edhe pse frigoriferi e ngadalëson prishjen e ushqimit, nuk e ndalon plotësisht shumimin e baktereve. Prandaj është e rëndësishme të dihet se sa kohë mund të qëndrojnë të sigurta për konsum ushqime të ndryshme.
Në përgjithësi, shumica e ushqimeve të gatuara mund të ruhen në frigorifer për tre deri në katër ditë, për aq kohë sa ftohen shpejt dhe ruhen në enë të mbyllura mirë. Këtu përfshihen gjellët, makaronat, orizi dhe perimet.
Mishi i pulës apo i viçit kanë po ashtu afat prej tre deri në katër ditësh. Edhe produktet e përpunuara të mishit, si sallamet apo salsiçet, kanë afat të ngjashëm pas gatimit. Peshku është më i ndjeshëm – ushqimet me peshk janë të sigurta vetëm për një deri në dy ditë.
Vezët kanë një afat pak më të gjatë: vezët e ziera mund të ruhen në frigorifer deri në shtatë ditë, ndërsa gatimet që përmbajnë vezë duhet të konsumohen brenda tre deri në katër ditësh.
Orizi kërkon kujdes të veçantë. Edhe pse duket i padëmshëm, orizi mund të ruhet maksimumi një deri në tre ditë, vetëm nëse ftohet shpejt dhe paketohet siç duhet. Sallatat pa mish ose majonezë zgjasin rreth dy deri në tre ditë, ndërsa ato me majonezë ose mish duhen konsumuar brenda një deri në dy ditësh.
Sa u përket produkteve të qumështit, jogurti apo kremi zakonisht janë të sigurt për tre deri në pesë ditë pas hapjes, ndërsa shumica e djathërave zgjasin pesë deri në shtatë ditë, varësisht nga lloji.
Ekspertët këshillojnë që ushqimi të hidhet pa hezitim nëse ka erë të pazakontë, teksturë të rrëshqitshme, myk të dukshëm ose nëse thjesht duket i dyshimtë. Në këto raste, intuita shpesh është udhërrëfyesi më i mirë.
Ruajtja e duhur e ushqimit jo vetëm që mbron shëndetin, por edhe ndihmon në reduktimin e mbetjeve ushqimore. Megjithatë, kur ka dilemë, siguria duhet të ketë gjithmonë përparësi.