Një raport i ri ka zbuluar se disa produkte higjienike që përdoren për ciklin menstrual që shiten në Britani përmbajnë pesticide toksike në nivele 40 herë më të larta se kufiri i lejuar për ujin e pijshëm, ka raportuar “The Guardian”.
Sipas një hulumtimi nga “Pesticide Action Network UK” (Pan UK), “Women’s Environmental Network” dhe “Pesticide Collaboration”, në tamponë është gjetur glifosat, një pesticid i lidhur me zhvillimin e kancerit.
Studiuesit testuan 15 kuti tamponësh nga marka të ndryshme të shitura në Britani dhe në një prej tyre u gjet glifosat në nivelin 0.004 mg/kg, ndërkohë që kufiri i lejuar për ujin e pijshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian është 0.0001 mg/kg, pra 40 herë më pak.
Pse kjo është alarmante?
Ekspertët kanë paralajmëruar se substancat që hyjnë në trup përmes vagjinës përthithen direkt në qarkullimin e gjakut, duke shmangur filtrat natyralë të trupit.
“Kjo do të thotë se edhe sasi të vogla kimikatesh që bien në kontakt të drejtpërdrejtë me vagjinën mund të sjellin rreziqe për shëndetin”, thuhet në raport.
Amy Heley, nga “Pesticide Collaboration” ka ngritur pyetjen se si ka mundësi që ky lloj pesticidi të lejohet në këto produkte higjienike ndërkohë që konsiderohet i rrezikshëm në ujin e pijes.
“Nëse ky nivel glifosati konsiderohet i pasigurt në ujin që pimë, si ka mundësi që lejohet në produktet menstruale? Hulumtimi ynë tregon se gratë, vajzat dhe të gjithë personat që kanë cikël menstrual nuk janë të mbrojtur nga ekspozimi ndaj kimikateve të rrezikshme. Dhe pjesa më e keqe është se shumica e njerëzve nuk janë as të vetëdijshëm për këtë”, ka theksuar Heley.
Si përfundojnë pesticidet në tamponë?
Dyshohet se glifosati futet në produkte përmes pambukut, i cili është përbërës kryesor i tamponëve. Pambuku është një nga bimët më të varura nga pesticidet, me deri në 300 kimikate që përdoren në rritjen e tij në shkallë globale.
“U tronditëm kur gjetëm glifosat në tamponët që shiten në rafte të supermarketeve britanike. Ky kimikat i dëmshëm është tashmë i pamundur për t’u shmangur, pasi spërkatet nga komunat në rrugë dhe parqe, dhe ndot një pjesë të madhe të ushqimit dhe ujit tonë për shkak të mbipërdorimit në bujqësi”, ka deklaruar Josie Cohen, drejtore e përkohshme në “Pan UK”.
Ajo shtuar se njerëzit kanë nevojë urgjente për të ulur toksicitetin në trup.
“Ne kemi nevojë urgjente për të ulur ngarkesën toksike në trupat tanë. Nuk duhet të shqetësohemi për glifosatin apo pesticide të tjera të rrezikshme në produktet tona menstruale. Kjo është një mangësi e dukshme në rregulloret e shëndetit dhe sigurisë që qeveria duhet ta trajtojë menjëherë”, ka thënë Cohen.
Pavarësisht këtyre zbulimeve, qeveria britanike nuk ka treguar ndonjë plan për të rregulluar përbërjen kimike të produkteve menstruale, edhe pse studime të mëparshme kanë zbuluar metale të rënda si plumbi dhe arseniku në tamponë.
Autorët e raportit kanë propozuar vendosjen e një skeme rregullimi dhe testimi, për të garantuar që produktet menstruale të jenë pa pesticide dhe të sigurta për përdorim.
Rreziqet për shëndetin dhe mjedisin
Glifosati është herbicidi më i përdorur në botë. Ai ndalon rritjen e bimëve duke bllokuar një enzimë kyçe, ndërsa nuk dëmton kulturat bujqësore të modifikuara gjenetikisht për ta përballuar atë.
Megjithatë, “Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin”, pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e ka klasifikuar si “potencialisht kancerogjen për njerëzit”.
Ai është lidhur gjithashtu me sëmundje si Parkinsoni dhe studime të reja tregojnë lidhje të mundshme me sëmundje të tjera serioze.
Përveç shëndetit të njeriut, glifosati kërcënon biodiversitetin: hulumtimet e fundit tregojnë se dëmton kolonitë e bletëve të egra dhe ndikon negativisht tek organizmat ujore.
Ndërkohë që shumë komuna në Britani vazhdojnë ta përdorin, rreth 70 deri në 80 komuna kanë filluar të përdorin metoda pa kimikate, ose thjesht lejojnë bimësinë të rritet natyrshëm, si në Bath & North East Somerset dhe Highland në Skoci.