Raport i ri i shkencëtarëve paralajmëron se disa kimikale sintetike që përdoren gjerësisht në sistemin ushqimor po rrisin rastet e kancerit, problemet zhvillimore te fëmijët dhe infertilitetit, ndërsa po e dëmtojnë njëkohësisht mjedisin dhe bujqësinë.
Sipas shkencëtarëve, barra vjetore shëndetësore nga kimikalet e dëmshme si ftalatet, bisfenolët, pesticidet dhe kimikalet “PFAS” mund të arrijë deri në 2.2 trilionë dollarë, ka raportuar The Guardian.
Autorët theksojnë se edhe dëmtimet ekologjike, si humbjet bujqësore dhe kostot për pastrimin e ujit, mund të shtojnë edhe 640 miliardë dollarë të tjerë.
Raporti paralajmëron se nëse ekspozimi ndaj kimikaleve që ndikojnë në sistemin hormonal vazhdon me ritmet aktuale, deri në fund të shekullit mund të ketë 200 deri në 700 milionë më pak lindje.
Kimikalet në fjalë gjenden në paketim ushqimor, doreza plastike, letër që është rezistente ndaj yndyrës dhe në pesticidet e përdorura masivisht në bujqësinë industriale.
Sipas shkencëtarëve, këto substanca lidhen me dëmtime të sistemit hormonal, kancer, keqformime të lindjes, probleme intelektuale dhe obezitet.
Philip Landrigan, pediatër dhe ekspert i shëndetit publik, e quajti raportin “një thirrje për zgjim”, duke theksuar se ndotja kimike është po aq serioze sa kriza klimatike.
Ai paralajmëroi se ekspozimi i fëmijëve ndaj kimikaleve të rrezikshme po ndikon në zhvillimin e trurit të tyre, duke rritur rrezikun për sëmundje kronike gjatë jetës.
Shkencëtarët theksojnë se katër grupet e studiuara janë vetëm “maja e ajsbergut”, pasi qindra mijëra kimikate të tjera sintetike përdoren pa u testuar plotësisht për siguri, ndërsa ndikimet e tyre mbeten kryesisht të panjohura.