Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Studimi: Rreth 30% e punonjësve shëndetësorë në Evropë të ekspozuar ndaj rrezikut nga kanceri në punë

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Gati një e treta e punonjësve të sektorit të shëndetësisë dhe kujdesit social në Evropë përballen rregullisht me rreziqe që mund të shkaktojnë kancer gjatë punës së tyre, ka zbuluar një studim i fundit. 

Sipas Agjencisë Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (EU-OSHA), kanceri mbetet shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me punën në Bashkimin Evropian, duke shkaktuar rreth 100 mijë vdekje në vit dhe duke ekspozuar miliona punëtorë ndaj faktorëve të rrezikshëm në vendin e punës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Studimi i realizuar nga EU-OSHA, përfshiu 24,402 intervista telefonike me punëtorë në Finlandë, Francë, Gjermani, Hungari, Irlandë dhe Spanjë gjatë viteve 2022-2023.

Rezultatet tregojnë se 47.3 për qind e punëtorëve të përfshirë në studim në të gjithë sektorët ishin ekspozuar ndaj të paktën një faktori rreziku për kancer gjatë javës së fundit të punës. 

Në sektorin e shëndetësisë dhe kujdesit social, 29.5 për qind e punonjësve raportuan ekspozim ndaj një ose më shumë faktorëve kancerogjenë, ndërsa 7.8 për qind ndaj dy ose më shumë faktorëve.

Autorët e studimit theksuan se rreziqet nga substancat kancerogjene në sektorin e shëndetësisë shpesh kanë qenë më pak të dukshme krahasuar me sektorët e tjerë ekonomikë.

Sektori i shëndetësisë dhe kujdesit social është një nga më të mëdhenjtë në Evropë, duke punësuar mbi 21.6 milionë njerëz, ose rreth 11 për qind të fuqisë totale punëtore.

Studimi identifikoi 24 faktorë të njohur rreziku për kancer në vendin e punës, përfshirë kimikate industriale, faktorë fizikë të rrezikut dhe substanca të krijuara gjatë proceseve të punës.

Ndër rreziqet më të zakonshme për punonjësit e shëndetësisë ishin ekspozimi ndaj rrezatimit jonizues, gazrave të motorëve me naftë e rrezatimit ultraviolet nga dielli.

Sipas studimit, punonjësit mund të ekspozohen ndaj faktorëve të ndryshëm kancerogjenë gjatë gjithë jetës së tyre profesionale. Rreziku mund të vijë nga përdorimi i kimikateve pastruese, procedurat mjekësore apo puna me pajisje si aparatet me rreze X dhe radioizotopet.

Hulumtimi evidentoi gjithashtu se disa profesione janë më të rrezikuara, përfshirë shoferët dhe mekanikët e automjeteve me naftë, punonjësit e laboratorëve anatomikë dhe teknikët dentarë që punojnë me materiale të dëmshme.