Analiza e Spanjës, Italisë, Polonisë, Çekisë, Rumanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar tregon se mbrojtja e pacientëve me kancer në vendin e punës nuk mbështetet në një model unik evropian. Disa vende fokusohen te sigurimet shoqërore dhe vazhdimësia e të ardhurave gjatë sëmundjes, të tjera te rehabilitimi profesional dhe rikthimi në punë, ndërsa disa kanë ndërtuar mekanizma të fortë kundër diskriminimit. Megjithatë, pavarësisht dallimeve, këto sisteme ndajnë të njëjtin parim: diagnoza e kancerit nuk duhet të çojë automatikisht në humbje të sigurisë ekonomike dhe profesionale
Ky projekt është financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, në kuadër të projektit Human Rightivism të zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF). Përgjegjësia për përmbajtjen i takon plotësisht autorit/krijuesit. Sida, Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe CDF-ja nuk i ndajnë domosdoshmërisht pikëpamjet dhe interpretimet e shprehura.
Pas modeleve më të zhvilluara evropiane të trajtuara në pjesën e parë, analiza vazhdon me një grup shtetesh që përfaqësojnë qasje të ndryshme ndaj mbrojtjes së pacientëve me kancer në vendin e punës. Spanja, Italia, Polonia, Çekia, Rumania dhe Mbretëria e Bashkuar nuk kanë ndërtuar të njëjtin model të mbështetjes si Holanda, Gjermania apo shtetet nordike, por secila prej tyre ofron mekanizma që synojnë të kufizojnë ndikimin e sëmundjes në sigurinë ekonomike dhe profesionale të pacientëve.
Në këto vende, mbështetja nuk ndërtohet domosdoshmërisht mbi të njëjtat shtylla. Disa sisteme mbështeten kryesisht te sigurimet shoqërore dhe kompensimi financiar gjatë sëmundjes, të tjera te rehabilitimi profesional dhe rikthimi në punë, ndërsa disa kanë zhvilluar mekanizma të fortë kundër diskriminimit. Megjithatë, pavarësisht dallimeve, qëllimi mbetet i njëjtë: të sigurohet që diagnoza e kancerit të mos shndërrohet automatikisht në humbje të të ardhurave ose përjashtim nga tregu i punës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAnaliza e këtyre vendeve tregon se mbrojtja e pacientëve me kancer mund të organizohet përmes instrumenteve të ndryshme ligjore dhe institucionale. Në disa raste, pesha kryesore bie mbi sigurimet shoqërore, të cilat marrin përsipër kompensimin financiar pas përfundimit të periudhës fillestare të mbuluar nga punëdhënësi. Në raste të tjera, fokusi vendoset te krijimi i kushteve për rikthim gradual në punë ose te mbrojtja ligjore kundër diskriminimit.
Pavarësisht dallimeve në organizimin e sistemeve të tyre, këto vende ndajnë një element të përbashkët: njohjen e faktit se trajtimi i kancerit është proces afatgjatë, i cili shpesh kërkon periudha të gjata mungese nga puna, mbështetje financiare të vazhdueshme dhe masa të posaçme për të ruajtur lidhjen e pacientit me tregun e punës. Pikërisht për këtë arsye, shumica e tyre kanë zhvilluar mekanizma që shkojnë përtej pushimit të zakonshëm mjekësor dhe synojnë ta mbështesin pacientin gjatë gjithë procesit të trajtimit dhe rikuperimit.
Megjithatë, këto vende nuk përfaqësojnë të gjithë panoramën evropiane. Në pjesë të tjera të kontinentit, mbështetja për pacientët me kancer organizohet përmes kombinimeve të ndryshme të sigurimeve shoqërore, përfitimeve të sëmundjes, rehabilitimit profesional dhe mbrojtjes kundër diskriminimit. Disa sisteme fokusohen më shumë te vazhdimësia e të ardhurave gjatë sëmundjes, ndërsa të tjera kanë zhvilluar instrumente të veçanta për mbrojtjen ligjore ose për akomodimin e pacientëve në vendin e punës.
Analiza e Spanjës, Italisë, Polonisë, Çekisë, Rumanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar ofron një perspektivë më të gjerë mbi mënyrën se si shtetet evropiane përpiqen të balancojnë mbështetjen sociale, përgjegjësinë e punëdhënësit dhe nevojat e pacientëve me sëmundje afatgjata. Edhe pse këto vende nuk ndjekin të njëjtin model, ato tregojnë se mbrojtja e pacientëve me kancer mund të organizohet përmes instrumenteve të ndryshme, të përshtatura me traditat dhe strukturat e secilit sistem kombëtar.
Kur sigurimet shoqërore marrin barrën e mbështetjes
Spanja ka një sistem të mbështetur në sigurimet shoqërore, ku sëmundja trajtohet përmes kategorisë së paaftësisë së përkohshme për punë. Ky model është i rëndësishëm sepse nuk e kufizon mbështetjen vetëm te disa javë pushim të paguar nga punëdhënësi, por e lidh atë me sistemin publik të sigurimeve.
Ligjet kryesore janë Ligji i përgjithshëm për sigurimet shoqërore (Ley General de la Seguridad Social) dhe Statuti i Punëtorëve (Estatuto de los Trabajadores).
Në Spanjë, punonjësi që nuk mund të punojë për shkak të sëmundjes hyn në skemën e paaftësisë së përkohshme për punë (Incapacidad Temporal). Për sëmundjet e zakonshme, ditët e para zakonisht nuk paguhen. Nga dita e 4-t deri në ditën e 15-të, barra e kompensimit zakonisht bie mbi punëdhënësin, ndërsa nga dita e 16-të përgjegjësia ekonomike kalon te sistemi i sigurimeve shoqërore. Nga dita e katërt deri në ditën e njëzetë, kompensimi është 60% e bazës rregullatore të pagës. Nga dita e njëzetenjëtë e tutje, kompensimi rritet në 75%.
Materiali thekson se pushimi mund të zgjasë deri në 365 ditë, me mundësi zgjatjeje edhe për 180 ditë të tjera nëse pritet rikuperim. Kjo është me rëndësi për pacientët me kancer, sepse u mundëson mbështetje për një periudhë më të gjatë, edhe pse niveli i pagesës nuk është gjithmonë i barabartë me pagën e plotë.
Për pacientët me kancer, sistemi spanjoll ofron një farë sigurie për shkak të kohëzgjatjes së mbështetjes, por mund të krijojë sfida financiare për shkak të uljes së të ardhurave. Një person që merr vetëm 60% ose 75% të bazës së pagës mund të përballet me vështirësi, veçanërisht nëse trajtimi sjell edhe shpenzime shtesë.
Nga dita e katërt deri në ditën e njëzetë, kompensimi zakonisht është 60% e bazës rregullatore të pagës, por mënyra e financimit ndryshon: deri në ditën e 15-të barra bie kryesisht mbi punëdhënësin, ndërsa nga dita e 16-të mbi sigurimet shoqërore. Punëdhënësi duhet të marrë parasysh gjendjen shëndetësore të punonjësit dhe të shmangë ekspozimin ndaj detyrave që mund ta rrezikojnë. Për pacientët me kancer, kjo mund të nënkuptojë shmangie nga ngarkesa fizike, puna në kushte të rënda ose orare që e pamundësojnë trajtimin.
Në fushën e mosdiskriminimit, mbrojtja buron nga Kushtetuta, ligji i punës dhe ligjet për barazi. Në rastet kur kanceri shkakton kufizime afatgjata në aftësinë për punë ose në jetën e përditshme, ai mund të përfshihet në mbrojtjen kundër diskriminimit si aftësi e kufizuar ose si gjendje shëndetësore e mbrojtur.
Akomodimi i pacientëve dhe rikthimi gradual në punë
Italia ka një sistem të kombinuar të mbrojtjes për punonjësit që përballen me sëmundje të rënda, ku ndërthuren rregullat e marrëdhënies së punës, sigurimet shoqërore dhe legjislacioni për personat me aftësi të kufizuara. Për pacientët me kancer, ky sistem është i rëndësishëm sepse nuk mbështetet vetëm në pushimin e zakonshëm mjekësor, por mund të lidhet edhe me statusin e aftësisë së kufizuar dhe me të drejta shtesë në vendin e punës.
Korniza kryesore ligjore përfshin Kodin Civil (Codice Civile), sistemin e Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore (INPS) dhe Ligjin për ndihmën, integrimin social dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara (Legge 104/1992).
Në rast sëmundjeje, kompensimi financiar zakonisht kalon përmes INPS-it pas ditëve të para të pritjes. Materiali thekson se nga dita e katërt deri në ditën e njëzetë kompensimi është rreth 50% e pagës, ndërsa nga dita e njëzetenjëtë e tutje rritet në rreth 66.66% të pagës. Ky kompensim zakonisht mund të paguhet deri në 180 ditë brenda vitit kalendarik. Për pacientët me kancer, ky kompensim mund të jetë i rëndësishëm, por jo gjithmonë i mjaftueshëm, sidomos kur trajtimi zgjat për muaj të tërë dhe kur pacienti përballet edhe me shpenzime shtesë mjekësore, transporti apo kujdesi.
Rëndësia më e madhe e modelit italian qëndron te Ligji 104/1992. Ky ligj nuk është ligj specifik për kancerin, por është një instrument kyç për mbrojtjen e personave që njihen si persona me aftësi të kufizuara ose me nevoja të veçanta shëndetësore. Nëse një pacient me kancer merr njohje formale të statusit të aftësisë së kufizuar, ai mund të përfitojë të drejta shtesë në punë, përfshirë leje të posaçme, orar më fleksibil, mbështetje për përshtatje të vendit të punës dhe mbrojtje më të fortë nga trajtimi i pafavorshëm.
Për rikthimin në punë, sistemi italian lejon forma të ndryshme të përshtatjes, por ato shpesh varen nga statusi ligjor i pacientit, sektori i punësimit dhe kontratat kolektive. Në praktikë, kjo mund të përfshijë kalim në detyra më të lehta, ndryshim të përkohshëm të pozitës, shmangie të punëve fizikisht të rënda ose organizim më fleksibil të kohës së punës. Kjo është e rëndësishme për pacientët me kancer, sepse lodhja pas trajtimit, imuniteti i dobësuar dhe nevoja për kontrolle të vazhdueshme mund ta bëjnë të pamundur rikthimin e menjëhershëm në ritmin e mëparshëm të punës.
Në aspektin e mosdiskriminimit, Italia mbështetet në parimet kushtetuese të barazisë dhe në legjislacionin kundër diskriminimit për shkak të aftësisë së kufizuar dhe gjendjes shëndetësore. Materiali thekson se mbrojtja lidhet me ndalimin e diskriminimit për shkak të gjendjes shëndetësore dhe me ligjin që transpozon standardet evropiane për barazi në punë.
Në krahasim me modelet si Holanda ose Gjermania, Italia nuk ka të njëjtin nivel të strukturuar të riintegrimit të detyrueshëm, por ofron një bazë të rëndësishme mbrojtjeje përmes ligjit për aftësinë e kufizuar. Për Kosovën, modeli italian është i vlefshëm, sepse tregon se pacientët me kancer mund të mbrohen edhe përmes njohjes së sëmundjes së rëndë si bazë për akomodim dhe trajtim të veçantë në vendin e punës.
Kur sigurimet shoqërore marrin barrën e mbështetjes
Polonia ka një sistem të organizuar të mbështetjes për punonjësit që përballen me sëmundje të rënda, ku përgjegjësia ndahet ndërmjet punëdhënësit dhe Institucionit të Sigurimeve Shoqërore (ZUS). Ky model synon të sigurojë vazhdimësi të të ardhurave për personat që përballen me mungesa të gjata nga puna për shkak të sëmundjes.
Sipas Kodit të Punës dhe Ligjit për Përfitimet Monetare nga Sigurimi Shoqëror në Rast Sëmundjeje dhe Amësie, punëdhënësi paguan kompensimin gjatë 33 ditëve të para të sëmundjes gjatë vitit kalendarik. Për punonjësit mbi moshën 50-vjeçare kjo periudhë zakonisht kufizohet në 14 ditë. Pas kësaj periudhe, pagesa merret përsipër nga ZUS-i.
Kompensimi i zakonshëm i sëmundjes zakonisht arrin në 80% të pagës bazë dhe mund të paguhet deri në 182 ditë. Për pacientët me kancer, kjo periudhë ka rëndësi të veçantë pasi trajtimi onkologjik shpesh zgjat shumë më tepër sesa disa javë. Sistemi polak e njeh këtë realitet dhe krijon mundësi për mbështetje më afatgjatë sesa ajo që ofrohet për mungesa të zakonshme nga puna.
Një element i rëndësishëm i sistemit polak është përfitimi rehabilitues. Nëse pas përfundimit të periudhës së kompensimit personi vazhdon të mos jetë i aftë për punë, por ekziston mundësia e rikuperimit, ai mund të përfitojë mbështetje shtesë rehabilituese. Ky mekanizëm është veçanërisht i rëndësishëm për pacientët me kancer, të cilët shpesh kalojnë një periudhë të ndërmjetme mes përfundimit të trajtimit dhe rikthimit të plotë në aktivitet profesional.
Në aspektin e mbrojtjes së të drejtave në punë, Polonia ka zhvilluar gjithashtu dispozita për personat me aftësi të kufizuara. Në rastet kur kanceri shkakton kufizime afatgjata në aftësinë për punë, pacientët mund të përfitojnë nga masa shtesë mbështetëse, duke përfshirë përshtatje të caktuara në vendin e punës. Megjithëse sistemi polak nuk ka mekanizma të integrimit në punë aq të zhvilluar sa Holanda apo Gjermania, ai njeh nevojën për mbështetje gjatë rikuperimit dhe rikthimit në aktivitet profesional.
Në praktikë, modeli polak paraqet një kombinim të kompensimit financiar afatgjatë dhe rehabilitimit, duke krijuar më shumë siguri për pacientët me sëmundje të rënda sesa sistemet që kufizohen vetëm në pushimin standard mjekësor.
Mbështetje afatgjatë për pacientët që nuk mund të rikthehen menjëherë në punë
Çekia ka zhvilluar një sistem që mbështetet kryesisht në sigurimin e sëmundjes dhe në mbrojtjen sociale të personave që përballen me sëmundje afatgjata. Për pacientët me kancer, ky model është i rëndësishëm sepse siguron mbështetje financiare për periudha relativisht të gjata dhe njeh faktin se trajtimi onkologjik shpesh kërkon mungesa të zgjatura nga puna.
Sipas legjislacionit çek, punëdhënësi paguan kompensimin gjatë 14 ditëve të para të sëmundjes. Pas kësaj periudhe, përgjegjësia kalon te sistemi shtetëror i sigurimit të sëmundjes. Pagesat llogariten mbi bazën e të ardhurave të mëparshme dhe zakonisht fillojnë në rreth 60% të bazës përkatëse, me rritje graduale gjatë periudhës së sëmundjes.
Një nga karakteristikat më të rëndësishme të modelit çek është kohëzgjatja e mbështetjes. Pagesat nga sistemi i sigurimit të sëmundjes mund të vazhdojnë deri në 380 ditë kalendarike. Kjo periudhë është veçanërisht e rëndësishme për pacientët me kancer, sepse shumë trajtime zgjasin me muaj dhe shpesh kërkojnë periudha të gjata rikuperimi.
Përveç kompensimit financiar, sistemi çek parashikon edhe mekanizma të rehabilitimit dhe mbështetjes për personat që përballen me kufizime afatgjata në aftësinë për punë. Në rastet kur gjendja shëndetësore shkakton pasoja të vazhdueshme, pacientët mund të kenë qasje në forma të ndryshme të mbështetjes sociale dhe profesionale.
Në aspektin e mbrojtjes kundër diskriminimit, Çekia zbaton standardet evropiane për trajtim të barabartë në punë. Kjo do të thotë se personat që përballen me sëmundje të rënda nuk duhet të trajtohen në mënyrë të pafavorshme për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, veçanërisht kur ajo shkakton kufizime afatgjata.
Modeli çek është i rëndësishëm sepse demonstron se mbështetja për pacientët me kancer nuk duhet të kufizohet vetëm në kompensimin financiar afatshkurtër, por duhet të krijojë siguri për periudha që përputhen me realitetin e trajtimit dhe rikuperimit.
Mbështetje afatgjatë për pacientët që nuk mund të rikthehen menjëherë në punë
Rumania mbështetet në një sistem të kombinuar të sigurimeve shëndetësore dhe mbrojtjes sociale për personat që përballen me sëmundje të rënda. Për pacientët me kancer, ky sistem siguron mbështetje gjatë periudhave të gjata të trajtimit, megjithëse niveli i përfitimeve dhe fleksibiliteti i sistemit ndryshojnë nga modelet e Evropës Perëndimore.
Sipas legjislacionit rumun, punëdhënësi mbulon pesë ditët e para të pushimit mjekësor. Pas kësaj periudhe, përgjegjësia kalon te Shtëpia Kombëtare e Sigurimeve Shëndetësore (CNAS). Kompensimi zakonisht varion ndërmjet 75% dhe 100% të bazës së llogaritjes, varësisht nga natyra e sëmundjes dhe kategoria e përfitimit.
Paaftësia e përkohshme për punë zakonisht mund të zgjasë deri në 183 ditë. Për disa sëmundje të rënda, përfshirë kategori të caktuara të sëmundjeve onkologjike, mund të aplikohen periudha më të gjata të mbështetjes. Kjo tregon se sistemi rumun e njeh faktin se trajtimi i kancerit shpesh tejkalon kufijtë e pushimeve standarde mjekësore.
Përveç përfitimeve financiare, Rumania ka zhvilluar mekanizma të caktuar të rehabilitimit dhe mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara. Në rastet kur sëmundja shkakton kufizime afatgjata, pacientët mund të përfitojnë nga masa shtesë sociale dhe mbrojtje në vendin e punës.
Megjithëse sistemi rumun nuk konsiderohet ndër më të avancuarit në Evropë, ai paraqet një shembull të rëndësishëm të mënyrës se si vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore përpiqen të kombinojnë sigurimet shëndetësore, kompensimin financiar dhe mbështetjen sociale për pacientët me sëmundje afatgjata.
Kur diagnoza e kancerit aktivizon mbrojtje ligjore
Ndër të gjitha vendet e analizuara në këtë pjesë, Mbretëria e Bashkuar paraqet një nga modelet më të veçanta për mbrojtjen e pacientëve me kancer në vendin e punës. Ndryshe nga shumica e sistemeve evropiane, ku personi duhet të dëshmojë se sëmundja ka shkaktuar kufizime afatgjata për të përfituar mbrojtje të veçantë, në Mbretërinë e Bashkuar vetë diagnoza e kancerit aktivizon automatikisht mbrojtjen ligjore.
Pagesa gjatë sëmundjes sigurohet përmes Statutory Sick Pay (SSP), e cila paguhet nga punëdhënësi deri në 28 javë. Megjithatë, niveli i kësaj pagese është relativisht i kufizuar krahasuar me të ardhurat e zakonshme të shumë punonjësve, prandaj aspekti më i fortë i sistemit britanik nuk është kompensimi financiar, por mbrojtja juridike.
Sipas Equality Act 2010, kanceri konsiderohet automatikisht si aftësi e kufizuar që nga momenti i diagnozës. Kjo do të thotë se pacienti nuk ka nevojë të dëshmojë pasoja afatgjata ose kufizime të veçanta për të përfituar mbrojtje kundër diskriminimit. Vetë diagnoza është e mjaftueshme për të aktivizuar të drejtat ligjore.
Një nga pasojat më të rëndësishme të kësaj qasjeje është detyrimi i punëdhënësit për të ofruar “reasonable adjustments” ose përshtatje të arsyeshme. Këto mund të përfshijnë orar fleksibil, punë nga shtëpia, reduktim të përkohshëm të ngarkesës së punës, ndryshim të detyrave, leje për trajtime dhe masa të tjera që ndihmojnë pacientin të vazhdojë punën gjatë trajtimit ose rikuperimit.
Për pacientët me kancer, ky model krijon siguri të rëndësishme juridike. Në vend që personi të luftojë për të dëshmuar se meriton mbrojtje të veçantë, ligji e njeh automatikisht cenueshmërinë që krijon diagnoza dhe vendos obligime të qarta për punëdhënësin.
Pikërisht për këtë arsye, Mbretëria e Bashkuar konsiderohet një nga shembujt më të avancuar evropianë në fushën e mbrojtjes kundër diskriminimit për pacientët me kancer.
Çfarë tregojnë modelet e Evropës Jugore, Qendrore dhe Mbretërisë së Bashkuar?
Analiza e Spanjës, Italisë, Polonisë, Çekisë, Rumanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar tregon se, pavarësisht dallimeve në organizimin e sistemeve të punës dhe mbrojtjes sociale, pacientët me kancer gëzojnë forma të ndryshme të mbështetjes që shtrihen përtej pushimit të zakonshëm mjekësor.
Disa vende mbështeten kryesisht te sigurimet shoqërore dhe kompensimi financiar gjatë sëmundjes. Të tjera fokusohen më shumë te rehabilitimi profesional, integrimi në tregun e punës ose mbrojtja kundër diskriminimit. Megjithatë, të gjitha ndajnë të njëjtin parim themelor: diagnoza e kancerit nuk duhet të çojë automatikisht në humbje të të ardhurave, përjashtim nga tregu i punës apo cenim të dinjitetit profesional të pacientit.
Në krahasim me modelet e analizuara në pjesën e parë, këto vende tregojnë se mbrojtja e pacientëve me kancer mund të ndërtohet përmes instrumenteve të ndryshme ligjore dhe institucionale. Disa sisteme investojnë më shumë në sigurimet shoqërore, disa në rehabilitim dhe disa në mbrojtje të fortë kundër diskriminimit. Por në të gjitha rastet, mbështetja shkon përtej konceptit tradicional të pushimit mjekësor.
Këto përvoja ofrojnë një bazë të rëndësishme krahasimi për Kosovën, veçanërisht në diskutimin mbi nevojën për mekanizma më të qëndrueshëm të mbështetjes financiare, rikthimit gradual në punë dhe mbrojtjes së pacientëve me kancer në marrëdhëniet e punës.
(Vijon nesër)
Pjesa e parë: