Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Studimi: Kanabisi mjekësor ka potencial ta trajtojë kancerin

Kanabisi mjekësor

Kanabisi mjekësor mund të luajë rol të rëndësishëm në trajtimin e simptomave të kancerit dhe madje edhe në luftimin e vetë sëmundjes, sipas një studimi të publikuar këtë javë në revistën shkencore “Frontiers in Oncology”. Ky është studimi më i madh i këtij lloji që është realizuar ndonjëherë, shkruan “The Guardian”.

Studimi, i udhëhequr nga Ryan Castle, drejtor i kërkimeve në Institutin e Onkologjisë Shëndetësore, shqyrtoi mbi 10 mijë kërkime shkencore që lidhin kanabisin me trajtimin e kancerit. Sipas Castle, qëllimi ishte të krijohej një konsensus shkencor mbi efektivitetin e kanabisit, një fushë që për vite me radhë ka qenë e ndikuar nga debatet politike dhe kufizimet ligjore, pasi kanabisi vazhdon të klasifikohet si substancë e paligjshme në nivel federal në SHBA.

“Prisnim që rezultatet të tregonin një konsensus të moderuar, ndoshta 55% në favor të efektit pozitiv të kanabisit. Por ato tejkaluan pritjet tona – rreth 75% e studimeve sugjeruan përfitime të qarta nga përdorimi i kanabisit”, ka thënë Castle.

Studimi konkludon se kanabisi mjekësor është efektiv në lehtësimin e simptomave si humbja e oreksit, dhimbja, të përzierat dhe inflamacioni. Por më tej, rezultatet treguan potencial të kanabisit për të ngadalësuar përhapjen e qelizave kancerogjene dhe për të nxitur procesin e “apoptozës” – vdekjes natyrale të këtyre qelizave.

Për analizimin e një sasie kaq të madhe të të dhënave, Castle dhe ekipi i tij përdorën inteligjencën artificiale dhe teknika të përpunimit të gjuhës natyrore, si “analiza e ndjenjave”, për të përcaktuar qëndrimet pozitive, neutrale apo negative të studimeve ndaj përdorimit të kanabisit në trajtimin e kancerit.

Megjithatë, jo të gjithë shkencëtarët janë të bindur. Onkologu i njohur Donald Abrams, profesor në Universitetin e Kalifornisë, mbetet skeptik ndaj pretendimeve se kanabisi mund të shërojë kancerin. Ai thotë se pavarësisht përfitimeve për simptomat, nuk ka prova të mjaftueshme klinike që vërtetojnë ndikimin e drejtpërdrejtë të kanabisit në zhdukjen e tumorit.

Edhe Kanabisi nuk është trajtim efektiv për ankthin dhe shëndetin mendor Lifestyle Kanabisi nuk është trajtim efektiv për ankthin dhe shëndetin mendor

Nga ana tjetër, Castle thekson se përveç provave paraklinike, gjithnjë e më shumë të dhëna nga pacientët dhe studimet pilot tregojnë rezultate premtuese. Një provë e vogël tregoi se pacientët që përdornin kanabis mjekësor krahas trajtimit tradicional kishin jetëgjatësi më të madhe, ndërsa një tjetër gjeti se CBD sintetike (që gjendet në bimën e kanabisit) ndihmonte në zvogëlimin e tumorit.

Për të vërtetuar plotësisht efektin e kanabisit, studiuesit kërkojnë zhvillimin e studimeve klinike të gjera, të cilat aktualisht pengohen nga statusi ligjor i substancës në SHBA. Castle shpreson se gjetjet e këtij studimi do të nxisin autoritetet të lehtësojnë këto kufizime.

“Ne nuk po kërkojmë të ulim standardet për trajtimin e kancerit. Po themi se kanabisi i përmbush, madje shpesh i tejkalon ato – ndonjëherë më shumë sesa disa trajtime farmaceutike ekzistuese”, ka deklaruar Castle.