Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Studim: Ndryshime në sjelljet e burrave dhe grave gjatë izolimeve të pandemisë

Konstatimet e një studimi tregojnë se njerëzit në përgjithësi bënin telefonata shumë më të gjata menjëherë pas fillimit të izolimit të parë shkaku i COVID-19. Pasi filloi izolimi i parë në Austri më 16 mars 2020, thirrjet telefonike nga gratë drejtuar grave të tjera ishin 1.5 herë më të gjata sesa para pandemisë. Ndërkohë thirrjet telefonike nga burrat tek gratë zgjatën gati dy herë më shumë

A u shndërrua izolimi i parë shkaku i koronavirusit në një “reality show” gjigant?

Shkencëtarët në Austri thonë se karantina që e imponoi COVID-19 u dha atyre mundësinë që të kryenin një “eksperiment social të drejtpërdrejtë”, duke zbuluar se burrat dhe gratë sillen shumë ndryshe gjatë një pandemie.

Studimi zbuloi se gjatë një krize gratë kanë tendencën të bëjnë telefonata dukshëm më të gjata, dhe të ndjekin më shumë masat e qeverisë sesa burrat. Ndërkohë, burrat kanë më pak gjasa që të pranojnë kufizime në lëvizjen e tyre për shkak të masave të izolimit, dhe priren që të rikthehen më shpejt në normalitet sesa gratë.

Ekspertët e Complexity Science Hub Vienna (CSH) thonë se këto modele klishe të sjelljes u shfaqën gjatë kohës së izolimit të parë për COVID-19 në pranverën e vitit 2020. Duke përdorur të dhënat nga izolimi i parë, studiuesit vlerësuan të dhënat e telefonave celularë nga 1.2 milionë austriakë, midis shkurtit dhe qershorit të vitit të kaluar.

“Mbyllja totale e jetës publike ishte si një eksperiment i gjallë mbi gjithë popullatën”, thotë studiuesi Tobias Reich.

Edhe OpEd Pandemi e dhunshme

Gjatë asaj kohe, CSH-ja ka pasur qasje në të dhënat e një kompanie të madhe të shërbimit celular në Austri, të cilat shkencëtarët i përdorën për të vëzhguar sjelljen e lëvizshmërisë sociale të njerëzve.

“Ishim të interesuar për nivelin në të cilën njerëzit i mbështetën masat anti-COVID të vendosura nga qeveria. Kur analizuam të dhënat sipas gjinisë, gjetëm ndryshime çuditërisht të theksueshme në sjellje midis burrave dhe grave”, thekson ai.

Gjetjet e këtij studimi zbulojnë se njerëzit në përgjithësi bënin telefonata shumë më të gjata menjëherë pas fillimit të izolimit.

“Ata biseduan me më pak njerëz sesa zakonisht, por folën më gjatë”, thekson Reich.

Pasi filloi izolimi i parë në Austri më 16 mars 2020, thirrjet telefonike nga gratë drejtuar grave të tjera ishin 1.5 herë më të gjata sesa para pandemisë. Ndërkohë thirrjet telefonike nga burrat tek gratë zgjatën gati dy herë më shumë. Po ashtu studimi zbuloi se kur gratë u telefononin burrave, ata flisnin në telefon për një kohëzgjatje 80 për qind më të gjatë, ndërsa kohëzgjatja e telefonatave midis burrave është rritur për 66 për qind.

“Sigurisht, nuk e dimë përmbajtjen apo qëllimin e këtyre telefonatave. Megjithatë, literatura nga shkencat shoqërore sigurojnë dëshmi, kryesisht nga sondazhe të vogla apo intervista, se gratë kanë tendencën që të zgjedhin strategji më aktive për të përballuar stresin, sikurse është biseda me të tjerët. Studimi ynë e konfirmon këtë”, ka vërejtur George Heiler, një studiues në CSH dhe Universitetin e Teknologjisë në Vjenë.

Edhe Studimi shpërfaq pasojat serioze të përdorimit të telefonave nga adoleshentet Lifestyle Studimi shpërfaq pasojat serioze të përdorimit të telefonave nga adoleshentet

Ndërkohë, ekipi zbuloi se dallimet ekzistuese sociale midis burrave dhe grave u përforcuan më shumë nga bllokimi, me ç’rast gratë dilnin jashtë shumë më pak sesa burrat. Duke përdorur të dhëna nga një zonë e madhe rekreative dhe një qendër tregtare në Vjenë, studiuesit zbuluan se më shumë burra sesa gra i vizituan që të dyja zonat gjatë bllokimit.

Ekipi i CSH-s ka vënë gjithashtu re se burrat u rikthyen më shpejt në jetën dhe modelet e tyre të sjelljes nga koha e para pandemisë.