Një raport i ri po ngre shqetësime për izolimin social te të rinjtë e Gjeneratës Z (të lindurit ndërmjet viteve 1997 dhe 2012), duke sugjeruar se pas pandemisë së COVID-19 një pjesë e tyre nuk janë rikthyer plotësisht në jetën sociale, ka shkruar The New York Post.
Sipas një analize të të dhënave të regjistrit amerikan, bazuar në “American Time Use Survey”, gati 10 për qind e të rinjve 23-29 vjeç deklarojnë se nuk kanë asnjë ndërveprim ballë për ballë me persona të tjerë gjatë një dite të zakonshme.
Para pandemisë, në vitin 2019, kjo shifër ishte vetëm rreth 3 për qind. Pas lehtësimit të kufizimeve të COVID-19, në fund të vitit 2021, ajo u rrit në afro 9 për qind, ndërsa arriti rreth 10 për qind në vitin 2023. Shifra ka rënë pak gjatë viteve 2024 dhe 2025, por mbetet dukshëm më e lartë se para pandemisë.
Të dhënat tregojnë se grupet më sociale të të rinjve e kanë rikthyer deri diku jetën sociale pas pandemisë.
Para vitit 2020, të rinjtë më socialë kalonin rreth 87 për qind të ditës me njerëz të tjerë. Gjatë kufizimeve kjo ra në 78 për qind, ndërsa deri në vitin 2025 u rikuperua në rreth 83 për qind.
Edhe
Tre zakone të mëngjesit për një mëlçi më të shëndetshme
Por situata është shumë më ndryshe për grupin më të izoluar. Para pandemisë, këta të rinj kalonin rreth një të tretën e ditës me njerëz të tjerë. Gjatë pandemisë, kjo kohë ra pothuajse në zero dhe, sipas të dhënave, nuk është rikthyer në nivelet e mëparshme.
Izolimi shoqëror shoqërohet edhe me rritjen e kohës para ekraneve.
Amerikanët, tash, kalojnë më shumë kohë në kompjuterë dhe rrjete sociale sesa në vitin 2015. Koha mesatare ditore është rritur nga rreth 25 minuta në 37 minuta në vitin 2025.
Adoleshentët janë grupi që kalon më shumë kohë në këto aktivitete, me një mesatare prej rreth 90 minutash në ditë.
Ndërkohë, puna nga shtëpia është bërë gjithashtu shumë më e zakonshme. Në vitin 2025, 35 për qind e të punësuarve deklaruan se punonin pjesërisht ose plotësisht nga shtëpia.
Edhe
Katër ushqime të pasura me proteina dhe fibra
Të dhënat nuk provojnë se COVID-19 është shkaku i vetëm i izolimit social, por tregojnë një ndryshim të fortë që ka ndodhur gjatë dhe pas pandemisë.
Për shumë të rinj, vitet e pandemisë përkuan me një periudhë të rëndësishme për krijimin e shoqërive, zhvillimin e aftësive sociale dhe pavarësimin. Për disa prej tyre, rikthimi në jetën sociale duket se nuk ka ndodhur plotësisht.