Në vitin 2019, virologu i Institutit Kirby, Stuart Turville, po kërkonte një tjetër punë. Por para se të largohej, shpërtheu pandemia COVID-19. Tani ai drejton laboratorin e sigurisë së lartë ku virusi që shkaktoi COVID-19 studiohet.
Kur mendon prapa se do ta linte punën, Turville citon: “Kur keni nevojë për mua, por nuk më dëshironi, atëherë duhet të qëndroj”. Ai shtoi se virologët gjithsesi do të nevojiten edhe në të ardhmen.
Por, si përhapet një virus dhe si ta parandalojmë atë?
Ndryshimi klimatik dhe shkatërrimi i mjedisit do të sjellë “surpriza”
Se ku vjen ajo ditë, është e vështirë të parashikohet, tha Turville, por virologët dhe ekspertët pajtohen se më shumë pandemi të tjera janë të paevitueshme. Çfarë është më e paqartë, është se nga ku do të vijë tjetra dhe sa të ashpra do të jenë.
Përgjigjet e atyre pyetjeve varen nga sa përgjegjësi marrin njerëzit për ndikimin e tyre në mjedis, thotë Turville. Historia tregon se përparimet në teknologji, ndërsa përmirësojnë aftësinë tonë për t'u marrë me pandemitë, mund të jenë gjithashtu gjërat që i shkaktojnë ato dhe ushqejnë përhapjen e tyre.
Ai përmend sëmundje infektive përgjatë viteve nëpër botë të cilat janë përhapur nga njerëzit si pasojë e shkatërrimit të mjedisit dhe klimës.
Rreth tre të katërtat e të gjitha sëmundjeve të reja virale në zhvillim gjatë dy dekadave të fundit kanë qenë të transmetuara nga një burim kafshe, kryesisht lakuriqë natyre, brejtës ose zogj. Por shpesh mungon në diskutimet për origjinën e tyre, edhe roli i njerëzve, shkruan The Guardian.
“Fatkeqësisht, gjërat si ndryshimet klimatike dhe shkatërrimi mjedisit do të sjellin me vete ‘surpriza’ derisa kafshët luftojnë për t’u ballafaquar me ndryshimet në mjediset e shkaktuara nga ne”, ka thënë Turville.
Me këtë pajtohet edhe profesori Dominic Dwyer, virolog, i cili është pjesë e një ekipi prej 14 personash që po studiojnë COVID-19. I njëjti ekip tani po identifikon studimet që duhet të bëhen që të përgatiten më mirë për pandeminë e radhës dhe ta parandalojnë që të mos jetë kaq e rëndë.
Ata mendojnë se pjesë kyçe që të përgatitemi për pandemitë e radhës do të jetë të kuptojmë kafshët, mjedisin dhe ndërveprimin e njeriut. Dwyer thotë se të gjithë viruset në 50 vitet e fundit kanë ardhur nga kafshët apo mjedisi dhe lidhja mes këtyre faktorëve dhe njerëzve është shumë e rëndësishme.
Dwyer e sheh thelbësore që vendet ku vërejnë përhapje të virusit ta raportojnë sa më shpejt, dhe kjo do të ishte ndihma e madhe për ta parandaluar që të ndalet përhapja e madhe e një virusi.
Ka viruse që po presin në “prapaskenë”
Një artikull i botuar nga Elsevier lidhur me përgatitjen për viruset e transmetueshme nga kafshët, thotë se ekspertët kishin paralajmëruar për pandeminë COVID-19 për vite me radhë, shpesh duke e modeluar atë në literaturë me emrin “Sëmundja X”.
"Skenari i sëmundjes X për të cilin shumë shkencëtarë kishin paralajmëruar u bë i vërtetë", thotë artikulli.
Dwyer thotë se në një herë tjetër, do të jemi në situatë më të mirë, do zhvillohen teste me më shpejtësi dhe do të mund të kontrollohet më mirë dhe më shpejt. Ndërkaq, profesoresha Cassandra Berry, është shprehur se për t’iu përgjigjur sa më shpejt një virusi a pandemie, duhet të fillohet të trajnohen dhe të investohet në gjeneratën e re të studiuesve të viruseve. Ajo thotë se duhet të rriten kapacitetet njerëzore menjëherë pasi konsideron se një tjetër virus i ri mund të jetë veçse në “prapaskenë”.