Lifestyle

Çka është “sëmundja X” dhe pse po i brengos ekspertët

Studiuesit janë duke hulumtuar rreth “sëmundjes X”, e cila në vitin 2022 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është përkufizuar si term që përdoret për të treguar “një patogjen të panjohur që mund të shkaktojë një epidemi të rëndë botërore”.

Ajo është në listën e viruseve që mund ta shkaktojnë pandeminë e ardhshme vdekjeprurëse.

Studiuesit po kërkojnë një agjent që mund të shkaktojë këtë sëmundje dhe e cila mund të jetë pandemia e radhës, raporton The Independent.

Autoritetet shëndetësore anembanë botës janë ende duke u përballur me mësimet e nxjerra në fillim të pandemisë COVID-19.

“Duke pasur parasysh atë që bota përjetoi kur shpërtheu COVID-19, është e rëndësishme që ekspertët dhe shkencëtarët e sëmundjeve infektive të monitorojnë vazhdimisht kërcënimet e reja”, ka thënë Thomas Russo, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Buffalos.

Ai ka shpjeguar se një kontakt i ngushtë i njerëzve me kafshët, krijon rrethana në të cilat një virus që deri tani ka prekur vetëm kafshët të fillojë t'i prekë edhe njerëzit.

Por shkencëtarët nuk po e dinë ende se çfarë lloj virusi mund të shkaktojë pandeminë tjetër ose, me fjalë të tjera, se cili virus do të shkaktojë “Sëmundjen X”.

Shumë njerëz mendojnë se mund të jetë një koronavirus si puna e SARS-CoV-2, që shkakton sëmundjen e COVID-19 ose një lloj të ri gripi.

“Nuk ka asnjë mënyrë për të treguar se kur do të shfaqet ‘sëmundja X’ dhe as nuk mund të bëjmë ndonjë hamendje se sa vdekjeprurëse do të jetë”, ka thënë Ruso, duke shtuar se vigjilenca ndaj sëmundjeve të reja duhet të jetë e lartë.

Russo ka këshilluar që krejt çka njerëzit duhet të bëjnë është të qëndrojnë sa më të shëndetshëm që të munden në mënyrë që të luftohet më së miri çfarëdo lloj virusi.

(Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi)