Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje urgjente për veprim për të parandaluar një tjetër shpërthim të madh të virusit Chikungunya, i cili transmetohet nga mushkonjat dhe që dy dekada më parë preku pjesë të mëdha të botës. Rreziqet janë rikthyer tani, me përhapje të reja që po nisin nga rajoni i Oqeanit Indian dhe po arrijnë deri në Evropë dhe kontinente të tjera, ka raportuar Reuters.
Sipas OBSH-së, rreth 5.6 miliardë njerëz në 119 vende jetojnë në zona ku ekziston rreziku nga virusi Chikungunya, i cili shkakton temperaturë të lartë, dhimbje të forta në nyje dhe në disa raste pasoja afatgjata në lëvizshmëri.
“Po e shohim historinë duke u përsëritur”, ka thënë Diana Rojas Alvarez, zyrtare e OBSH-së, gjatë një konference për media në Gjenevë. Ajo i ka krahasuar shpërthimet aktuale me epideminë e viteve 2004-2005, e cila preku pothuajse gjysmë milioni njerëz, fillimisht në ishuj të vegjël, përpara se të përhapej nëpër botë.
Rritja aktuale e rasteve ka nisur në fillim të vitit 2025 dhe po ndodh pikërisht në ishujt që ishin më të prekur më herët: La Reunion, Mayotte dhe Mauritius. Në La Reunion, rreth një e treta e popullsisë tashmë është infektuar, sipas Rojas Alvarez. Virusi është përhapur gjithashtu në Madagaskar, Somali dhe Kenia, ndërsa në Azinë Juglindore, përfshirë Indinë, janë vërejtur transmetime epidemike.
Evropa është veçanërisht në rrezik, për shkak të rasteve të shumta të importuara dhe tashmë edhe të transmetimeve lokale. Vetëm në Francë, nga 1 maji janë shënuar rreth 800 raste të importuara të chikungunyas, ndërsa 12 shpërthime lokale janë raportuar në rajone të ndryshme në jug të vendit. Këto raste kanë ndodhur te persona që nuk kanë udhëtuar në zona endemike, çka do të thotë se janë infektuar nga mushkonja vendore. Një rast i ngjashëm është regjistruar edhe në Itali.
Virusi Chikungunya nuk ka trajtim specifik dhe përhapet kryesisht nga mushkonja Aedes, e njohur edhe si “mushkonja tigër”, e cila transmeton gjithashtu ethet hemorragjike dhe virusin Zika. Këto mushkonja pickojnë gjatë ditës, prandaj parandalimi është thelbësor, përmes përdorimit të preparateve mbrojtese kundër insekteve dhe veshjeve me mëngë të gjata.
OBSH bën thirrje për kujdes dhe ndërgjegjësim, pasi virusi ka aftësi të përhapet shpejt dhe në përmasa të mëdha.